Kryeministri Edi Rama do të pres sot në Tiranë krerët e vendeve të rajonit dhe komisionerin për Zgjerim në Bashkimin Europian, Oliver Varhely. Ky takim informal zhvillohet në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit që do të mbahet më 16 tetor në vendin tonë.
Takimi, që do të mbahet te ‘Vila 30’ është menduar të zhvillohet në kuadër të përgatitjeve për samitin e Procesit të Berlinit, që do të mbahet në kryeqytet, më 16 tetor.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, vendi i të cilit këtë vit kryeson Procesin e Berlinit, ka paralajmëruar takimin joformal gjatë turneut të tij nëpër shtetet e Ballkanit Perëndimor, pak ditë më parë. Ky takim është thënë se ka për qëllim diskutimin dhe koordinimin, për të hartuar kërkesa të përbashkëta, për t’i paraqitur në samitin e tetorit, ku pritet të marrin pjesë udhëheqës të vendeve të Bashkimit Evropian.
Pjesëmarrjen në këtë takim e kanë konfirmuar komisioneri i BE-se Oliver Varheli, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, kryeministri i Maqedonisë se Veriut, Dimitar Kovaçevski, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç si dhe kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnje Hercegovinës, Borjana Kristo.
Mediet raportojnë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen në takim.
Kreu i ekzekutivit kosovar, Kurti, sipas një njoftimi nga zyra e tij, sot do të jetë në Greqi, ku do të marrë pjesë në edicionin e 25-të të Simpoziumit Ndërkombëtar SYMI, i cili është themeluar nga ish-kryeministri helenik, George Papandreou. Në takimin e së hënës mes udhëheqësve të rajonit, Serbia pritet të përfaqësohet nga kryeministrja Ana Bërnabiç.
Procesi i Berlinit është një nismë e vitit 2015 për të mbështetur integrimin në Bashkimin Europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
/Argumentum.al