REALPOLITIK FLASH NR. 72
1 – 17 KORRIK 2023
Mbi 4 ngjarjet kryesore diplomatike, shkurt dhe shqip, me vetëm 1.000 fjalë nga analisti i njohur, Mjeshtër i madh Dr. JORGJI KOTE
1.Mbyllet Ballkani i Hapur! Nga halli natyrisht dhe trysnia gjermane, sepse më 16 Tetor në Tiranë do të mbahet Samiti i ”rivalit” të tij, Procesit të Berlinit. Kësisoj, nuk shkon ” dy kamberë në një derë” Berlini ose Beogradi, të dyja jo!
Ndaj dhe kjo mbyllje u shpall e njëanshme dhe me ngut në Podgoricë, ku disa muaj më parë Rama shpalli se do ishte Samiti i radhës i Ballkan i Hapur. E bëri këtë në një dalje shtypi me Abazoviçin. Kjo u duk qartë në hezitimin dhe rezervat e shprehura nga Vuçiç dhe Kovacevski në takimin me Ramën, ku ”njeri i binte gozhdës dhe tjetri patkoit” Në fakt, Kryeministri Rama nuk kishte rrugëdalje tjetër, mbasi ”nuk mbante më ujë pilafi”! Ca më tepër kur tani BE-ja dhe Gjermania po mendojnë seriozisht vendosjen e sanksioneve ndaj Beogradit, ku Ballkani i Hapur do të ishte në krye, sepse ”në vend t’i vinte vetullat, i ka nxjerrë sytë” rajonit. Ndaj, distancimi prej tij, tre muaj përpara Samitit të Berlinit në Tiranë, ndonëse tejet i vonuar mendohet se mund ta shpëtojë Ramën nga turpi dhe pasojat e tjera në rrugtimin europian të Shqipërisë.
2.Tur i dështuar rezultoi ai që Kryeministri Rama ndërmori më 6-7 korrik në 5 kryeqytetet e rajonit, me rastin e zhvillimit në Tiranë të Samitit të lartpërmendur më 16 Tetor. E nisi ters, duke krijuar perceptimin e një turi ballkanik të ” liderit global” kur në fakt bëhej fjalë thjesht për takime përgatitore për atë Samit, axhendën, objektivat, procedurat dhe aq. Veç kësaj, pati mungesë komunikimi diplomatik me palët e sidomos me Prishtinën zyrtare. Ca më tepër kur vizita e Ramës atje vinte mbas disa ” tërmeteve” politike që shkaktuan dorëzimi ” fshehurazi” i një drafti mbi krijimin e asociacionit, propozimit për një konferencë ndërkombëtare pa asnjë njoftim paraprak të Prishtinës, anullimin në momentet e fundit të Mbledhjes së përbashkët të dy qeverive dhe mos dërgimit të një ftese për lidershipin e Kosovës me rastin e vizitës së Klintonit në Tiranë më 3 Korrik. Për pasojë, Rama në Prishtinë ” korri atë çka mbolli!” Jo pa probleme shkuan dhe takimet në Shkup, Sarajevo dhe së fundi në Beograd, sidomos me ” kakofoninë” e krijuar lidhur me mbylljen e njëanshme të ”Ballkan i Hapur”. Ja pse ky tur dështak, i pasuar me 2 skandalet më të fundit VIP brenda vendit hedh hije të mëdha dyshimi mbi aftësitë e Kryeministrit Rama si negociator dhe ndërmjetësues rajonal, se ndërkombëtar është ca si shumë. Nuk dihet se sa ngushëllues është Samiti Informal në Tiranë më 17 Korrik, sërish pa Kurtin!
Për pasojë, Ramës i shkuan dëm dhe kreditë që përfitoi falë vizitës së ish Presidentit Clinton në Tiranë.
3.Kurti ka të drejtë por jo fuqi! Më 10 Korrik u njoftua marrëveshja midis Kosovës dhe BE-së për të zbatuar brenda dy javë ve masat e rekomanduara për shtensionimin e situatës në veri të vendit. Siç e kemi përmendur dhe më parë, sipas standardeve demokratike, Kryeministri Kurti dhe Kosova kanë patur të drejtë në qëndrimet e tyre lidhur me tensionet në veri të vendit. Mirëpo, problemi i madh është se Prishtina nuk ka fuqinë dhe kapacitetet për t’i zbatuar. Ndërsa BE-ja, NATO, SHBA-të, ndonëse nuk kanë patur të drejtë, kanë fuqinë dhe kapacitetet për t’i zbatuar ato, në kuadrin e interesave më të mëdha gjeopolitike në rajon. Ndaj dhe duhen dëgjuar e vepruar në unison me to, se në fund të fundit janë aleatët tanë të mëdhenj. Pastaj, nuk shkon asnjë fije sovranizmi sidomos tani që Kosova kërkon anëtarësimin në KiE, BE dhe gjetkë. Vërtet do të dorëzojë diçka nga sovraniteti i saj te aleatët tanë, por në këmbim do të marrë shumë më tepër në të gjitha aspektet.
4.Dilema ukrainiane e NATO-s: Njihet tashmë dilema hamletiane e Shekspirit ” të jesh apo të mos jesh”! Mirëpo, pas 24 Shkurtit 2022 lindi dilema tjetër shumë më e madhe, që ishte dhe në krye të axhendës së Samitit të NATO-s në Vilnius më 11 – 12 Korrik: ” të jetë apo të mos jetë Ukraina në NATO? ” Dhe, nëse po, tani, nesër apo kur?”
Kjo dilemë historike për Ukrainën në NATO u pasqyrua pas shumë debatesh dhe në Deklaratën përfundimtare të Samitit. Edhe pse përgjigja nuk ishte ajo çka priste Ukraina, Vilniusi shënoi një hap historik përpara teksa përmendi për herë të parë ”ftesën” për anëtarësim, kur të jenë dakord të gjithë dhe kur të jenë plotësuar të gjitha kushtet e duhura.
Po ashtu, në Vilnius u miratua dhe më 12 Korrik u mblodh nën kryesimin e Presidentit Zelenski dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, Këshilli i sapokrijuar NATO-Ukrainë, forumi më i lartë këshillimor dhe i krizës për të dyja palët. Ndërkohë, NATO hoqi dhe kërkesën për zbatimin nga Ukraina të Planit të Veprimit për Anëtarësim ( MAP), çka shkurton procedurat dhe përshpejton procesin në fjalë.
Kështu, vijmë natyrshëm te çështja e dytë madhore gjeopolitike që merr dhe më shumë rëndësi në kushtet e shtyrjes së anëtarësimit në NATO – garancitë e nevojshme të sigurisë për Ukrainën. Vilniusi mirëpriti idenë e Presidentit Biden për zbatimin dhe në rastin e Ukrainës të modelit izraelit me garancitë dhe mbështetjen amerikane për mbrojtjen. Mbi këtë bazë, SHBA-të i japin çdo vit Izraelit 3,5 miliard Euro ndihma për modernizimin e armatimit dhe teknikës ushtarake.
Në këtë drejtim, padyshim arritje e madhe e këtij Samiti ishte Deklarata e G-7 e njoftuar më 12 Korrik në Vilnius nga Presidenti amerikan Joe Biden mbi dhënien e garancive për sigurinë Ukrainase, për ta ndihmuar në luftën e saj ndaj ofensivës ruse në ajër, në tokë dhe në det dhe për shkurajimin e Rusisë nga çdo sulm tjetër kundër Ukrainës në të ardhmen. Ky grupim mbështetës me 7 vendet më të fuqishme dhe më demokratike të botës është garancia më e madhe për sigurinë, mbrojtjen dhe fitoren e Ukrainës. Po ashtu, në Vilnius u shpall krijimi i një koalicioni tjetër me 11 shtete, të cilat do të marrin përsipër trajnimin e pilotëve ukrainas për përdorimin e avionëve ushtarakë F – 16 që do t’i livrohen Ukrainës.
Përfundimisht, opsioni me i mirë dhe më i pranueshëm, siç tregoi dhe Samiti në Vilnius është kombinimi i garancive të lartpërmendura mbrojtëse dhe vazhdimi i mbështetjes perendimore me armatime për Ukrainën deri në fitore dhe pas mbarimit të luftës, anëtarësimi i saj sa më i shpejtë në NATO.
© 2023 Argumentum