Kryeministri Edi Rama reagoi përmes një postimi në Twitter në lidhje me zhvillimet në veri të Kosovës, duke theksuar se “Bashkimi Europian duhet të veprojë me vendosmëri për të siguruar zbatimin e shpejtë të Marrëveshjes Bazë” .
Rama theksoi se rajoni ynë nuk mund të bëhet peng i një krize të pambarimtë mes Kosovës dhe Serbisë.
“Nuk mund të lejojmë që as Kosova Veriore, ku kufiri mes krimit të organizuar dhe politikanëve vendas është i paqartë, të bëhet një Donbas i vogël për shkak të një kryengritjeje të nxitur nga Rusia dhe as dialogu të bëhet një lojë faji e Ballkanit të vjetër, për mungesë të një vullneti real dhe të fortë të palëve të përfshira”, tha Rama.
Sipas tij, “diskutimet janë të mira, por ajo që i nevojitet rajonit është një përparim para se të jetë tepër vonë”.
Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak takoi dje në Bruksel shefin e ekipit negociator të Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviçin nga pala serbe. Pas takimit Lajçak u shpreh se dialogu do të vazhdojë.
/Argumentum.al