Ministrat e Punëve të Jashtme të Italisë, Shqipërisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut do të mblidhen të enjten në Brindisi, Itali, në kuadër të një nisme e cila synon rritjen e bashkërendimit midis vendeve që përshkohen nga Korridori Panevropian VIII.
Korridori Panevropian VIII është një infrastrukturë strategjike midis Detit Adriatik e Detit të Zi, platformë ideale për rritjen e dialogut politik dhe bashkëpunimit ekonomik midis vendeve të rajonit.
Në një njoftim për shtyp të ambasadës së Italisë në Shqipëri bëhet e ditur se në qendër të punimeve të këtij takimi do të jenë integrimi dhe bashkëpunimi, trajtimi i temave si lidhja, infrastrukturat, rritja ekonomike dhe dialogu me shoqërinë civile.
Në mbledhje do të marrin pjesë Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Antonio Tajani, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Olta Xhaçka, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Bullgarisë, Mariya Gabriel dhe Ministri për Punët e Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.
Punimet, që do të zhvillohen brenda Castello Federiciano duke nisur prej orës 11.30, do të paraprihen, në orën 11.15 nga një fotografi e përbashkët.
Në përfundim të punimeve, rreth orës 12:50, në Klubin e Oficerëve të Marinës Ushtarake, pranë Castello Federiciano, do të mbahet një konferencë për shtyp e përbashkët e ministrave.