Policia e Shtetit në bashkëpunim me SPAK kanë finalizuar gjatë gjithë natës së sotme një operacion kompleks të goditjes së krimit të organizuar.
Në rrjetën e këtij bashkëpunimi kanë rënë eksponentë të krimit të organizuar, zyrtarë të Policisë së Shtetit, si edhe prokurorë të implikuar me krimin.
Ministri i Brendshëm Taulant Balla deklaroi sot se ky operacion domethënës është një pasqyrë e qartë e vullnetit të agjencive tona ligjzbatuese për ta goditur krimin në të gjithë spektrin e tij dhe për ta çuar në një nivel tjetër zotërimin e shtetit në funksion të rendit ligjor në Republikën e Shqipërisë.
Ai ka përgëzuar drejtuesit dhe pjesëmarrësit e uniformave blu në këtë operacion, për profesionalizmin e lartë dhe mbi të gjitha për sigurinë e plotë të informacionit sensitiv deri në finalizimin e operacionit.
Gjithashtu, ministri shprehu besimin e plotë se forcimi i bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese dhe lufta e përbashkët për spastrimin e vatrave të krimit përballë dhe brenda vetë organizmit të shtetit, do ta çojë Shqipërinë në një tjetër nivel të sundimit të ligjit.
Balla ka përgëzuar Policinë e Shtetit për të tre goditjet në harkun kohor të 48 orëve të fundit:
Policia ka goditur edhe një grup kriminal në fushën e mashtrimit kompjuterik të qytetarëve europianë përmes “call-center” si dhe të një grupi kriminal në fushën e skemave mashtruese dhe evazionit fiskal.