Ministri i Brendshëm, Taulant Balla bëri të ditur sot se “sapo është dërguar para drejtësisë një tjetër oficer policie me gradën n/komisar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, i përfshirë në korrupsion dhe minim të luftës së policisë kundër trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike”.
Ministri përgëzoi Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore për dokumentimin e plotë të provave në kuadër të këtij procedimi penal dhe përfundimin e hetimeve në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.
“Shpreh besimin se forcimi i bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese dhe lufta e përbashkët për spastrimin e vatrave të krimit përballë dhe brenda vetë organizatës së Policisë së Shtetit, do ta çojë Shqipërinë në një tjetër nivel të sundimit të ligjit.
Përgëzime dhe vetëm përpara”, u shpreh Balla.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Durrës – Kavajë) në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme në AMP dhe Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka bërë ndalimin në flagrancë të oficerit të policisë, nënkomisar A.XH., 31 vjeç, në Seksionin e Hetimit të Narkotikëve pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës.
Ndalimi u krye në funksion të procedimit të regjistruar nga kjo Prokurori mbi dyshimet për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim i detyrës”.