Ish-kryeministri Sali Berisha mbajti këtë të premte konferencën e përjavshme për shtyp, ku u pyet për rikthimin e Lulzim Bashës në krye të Partisë Demokratike.
Berisha u pyet nga gazetarët nëse do të krijojë parti të re politike apo do të vijojë betejën ligjore për vulën e Partisë Demokratike. Në përgjigjen e tij kreu i Rithemelimit theksoi se ata janë Partia Demokratike e Shqipërisë dhe askush nuk mund t’ua ndryshojë dot emrin.
“Ne nuk mund të na ndryshojë askush emrin. Jemi PD nisim betejën kundër regjimit. Sot kemi një mbledhje të rëndësishme dhe askush nuk mund t’u ndryshojë demokratëve identitetin. Do të përballemi me regjimin dhe Ramën”, tha Berisha.
Gjithashtu Berisha u ndal dhe te çështja e inceneratorëve, ku tha se vonesat për hetimin në inceneratorin e Tiranës i kanë shkaktuar një dëm prej 40 milionë euro buxhetit të shtetit.
Kryetari i grupit të Rithemelimit të Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se, “sekuestrimi këtë javë i shoqërisë Integrated Energy dhe pasurive të tyre nga SPAK, ka qenë temë kryesore e debatit javor”.
“Personalisht unë dhe PD kemi mbështetur dhe do mbështesim çdo masë, vendim, akt që përputhet me zbatimin e paanshëm të ligjit”, tha Berisha në konferencën e përjavshme me gazetarët.
“Në këtë kuadër, ne mbështesim si një masë në drejtimin e duhur, vendosjen e sekuestros mbi shoqëritë dhe pasuritë e shoqërive që në letra kanë në pronësi djegësin e Tiranës”, theksoi ai.
Por, vijoi Berisha, “PD përsërit gjithashtu se, sikundër djegësat janë vjedhja e shekullit, hetimi i tyre është dështimi i shekullit”.
“Vonesat në hetim i kanë kushtuar qytetarëve mbi 40 milionë euro të grabitura nga hajdutët e shekullit. Për PD-në, vonesa e kësaj sekuestroje përbën në vetvete një vepër të rëndë penale”, tha Berisha.
Ai shtoi se “vetëm pak muaj më parë kreu i SPAK deklaroi se nuk vendosim sekuestro se nuk dimë pronarët dhe ata do na hedhin në arbitrazh. Me këtë pohim ai pohoi se ekzekutivi po fsheh pronarët e kompanive për të vazhduar të qetë vjedhjen e miliona eurove. Ata e bënë këtë fshehje, këtë vepër penale, jo për të mbrojtur pasurimin e Zotos dhe Mërtirit, por për të mbrojtur pasurimin e tyre, sepse pronarët e vërtetë janë Rama dhe Veliaj dhe të tjerë”.
“Ata të cilët kanë fshehur pronarët në letra, kanë kryer një krim të shëmtuar dhe duhej të ishin me kohë në qeli, por kjo nuk ndodh sepse prokuroria është e tyre. Prokurori e di se shteti është i detyruar t’i dalë zot para ligjit kontratës që ka firmosur, dhe kur ajo nuk i del zot, fsheh një krim apo kryen një krim”, tha Berisha.