Julian Hodaj, zv.ministër i Brendshëm, duke komentuar ndalimin e dy punonjësve të Policisë në Lezhë dhe Durrës, tha sot se qeveria ka dhënë një sinjal të qartë të vendosmërisë pa kompromis për pastrimin e Policisë nga elementë që e dëmtojnë atë.
Në një deklaratë për mediet, Hodaj tha se qëllimi është krijimi i një organizate policore të shëndetshme në betejën ndaj paligjshmërisë.
“Siç është theksuar nga Ministri i Brendshëm, goditja e elementeve të inkriminuar apo edhe shkelësve të etikës, edhe brenda radhëve të organizatës së Policisë së Shtetit do ta çojë Shqipërinë në një nivel tjetër të sundimit të ligjit. Nga ana tjetër, një Polici e pastruar nga elementët e dëmshëm, qofshin këta të inkriminuar apo shkelës të etikës, është një vlerësim më shumë për punën e palodhur të mijëra e mijëra uniformave blu që shërbejnë me besim të palëkundur te shteti i së drejtës. Ata meritojnë respekt, vlerësim e mbështetje”, tha Hodaj.
Numri dy i Ministrisë së Brendshme vlerësoi dhe punën e realizuar për ndalimin e dy punonjësve të Policisë të dyshuar për korrupsion dhe të përfshirë në luftën ndaj narkotikëve.
“Vetëm gjatë javës së fundit, falë operacioneve të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me prokuroritë respektive të juridiksionit të përgjithshëm janë vënë përpara përgjegjësisë ligjore, konkretisht: Në Durrës, një oficer policie, i dyshuar si i implikuar në korrupsion dhe në përpjekje për të zhbërë luftën e policisë kundër trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike. Rasti tjetër në Lezhë, ku punonjës të policisë kishin mbyllur sytë përballë kultivimit të bimëve narkotike, tregon se kushdo që kryen vepër penale duke përdorur apo duke u fshehur pas uniformës do të përgjigjet përpara ligjit. Këta individë që përdhosin uniformën, jo vetëm tradhtojnë kolegët e tyre dhe organizatën, por njollosin gjithashtu sakrificën dhe gjakun e atyre qindra dëshmorëve të rënë në krye të detyrës duke i shërbyer qytetarëve dhe shtetit”, theksoi Hodaj.
“Këto operacione janë vetëm fillimi dhe një sinjal i qartë për vendosmërinë pa kompromis të qeverisë shqiptare dhe të Ministrisë së Brendshme për pastrimin e radhëve të Policisë së Shtetit nga ata elementë të cilët e dëmtojnë atë”, bëri me dije zv.ministri.
Më tej, Hodaj nënvizoi rëndësinë e zbatimit të kodit të etikës.
“Jo më pak i rëndësishëm është zbatimi rigoroz i kodit të etikës së drejtuesve dhe punonjësve të Policisë së Shtetit. I afishuar tashmë në çdo komisariat apo drejtori në Shqipëri, ky kod duhet t’i kujtojë të gjithëve se organizata ekziston për t’u shërbyer qytetarëve. Jo rastësisht, këtë javë janë zbatuar edhe masa ndëshkuese për shkelje të këtij kodi, deri në përjashtim punonjësish, dhe kështu do të vazhdojë të jetë për këdo që nuk e respekton atë”, tha Hodaj.
“Në emër të Ministrisë së Brendshme shpreh besimin se, forcimi i bashkëpunimit mes të gjitha hallkave të zinxhirit të drejtësisë, në luftën e përbashkët për goditjen e krimit, do t’i japin Shqipërisë dhe shqiptarëve një nivel akoma më të lartë të sundimit të ligjit. Përfitoj nga rasti që në emër të Ministrisë së Brendshme të inkurajoj të gjithë qytetarët që të besojnë dhe të mbështesin punën e Policisë së Shtetit”, nënvizoi Hodaj.
“Integriteti, profesionalizmi dhe etika janë kolona mbështetëse për të ngritur standardet e policimit. Ndaj, ne do të shohim dhe do të ecim vetëm përpara”, përfundoi Hodaj.
Zv.ministri kërkoi angazhimin e të gjithë qytetarëve për denoncime për raste të shkeljes së ligjit apo shkelje të etikës. Kjo sipas tij, do ta bëjnë Policinë një organizatë më të shëndetshme, në zbatim të ligjit dhe garantimit të rendit e sigurisë publike.