Policia e Shtetit bën të ditur se vijon në të gjithë vendin, megaoperacioni policor antikanabis i koduar “FOKUSI” ku janë angazhuar drejtoritë vendore të Policisë në çdo qark, Policia Kufitare dhe FNSH-ja.
Në kuadër të këtij operacioni në fshatin Zall Herr, gjatë kontrollit në territorin e një reparti ushtarak, u gjetën të kultivuara dhe u asgjësuan 125 bimë kanabis.
Policia deklaron se u arrestuan në flagrancë për shpërdorim të detyrës, 3 punonjës të repartit ushtarak, shtetasit G. M., 52 vjeç, me detyrë Shef Seksioni i Sigurisë, R. K., 25 vjeç, me detyrë Specialist për Zbulimin dhe G. Zh., 45 vjeç, me detyrë specialist sigurie.
Gjithashtu u proceduan penalisht dhe 4 shtetas të tjerë A. J., 41 vjeç, me detyrë Specialist Infrastrukture, P. H., 52 vjeç, me detyrë Zv/Komandant toge, I. D., 47 vjeç, me detyrë magazinier dhe P. D., 57 vjeç, me detyrë Komandant Reparti.
Sipas policisë këta shtetas, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, duke shpërdoruar detyrën, kanë lejuar kultivimin e bimëve narkotike, në ambientet e repartit ushtarak.
Lidhur me ndalimin e punonjësve ushtarakë ka reaguar edhe Ministria e Mbrojtjes duke theksuar se “menjëherë janë pezulluar nga detyra të gjithë personat përgjegjës”
Ministria e Mbrojtjes dënon me forcë çdo aktivitet të kundërligjshëm dhe inkurajojmë organet ligjzbatuese të bëjnë detyrën në çdo rast.
Gjatë kësaj jave janë angazhuar për kontrollin e territorit dhe për asgjësimin e bimëve narkotike, 6000 punonjës policie dhe 75 dronë të cilësisë së lartë. Si rezultat, janë asgjësuar rreth 17000 bimë cannabis sativa dhe 100 kubikë të kultivuar me fara të kësaj bime. Gjithashtu, janë sekuestruar shuma të konsiderueshme parash (në valuta të ndryshme), një armë gjahu dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Megaoperacioni policor antikanabis “FOKUSI” vijon pandërprerë në të gjithë vendin, me shërbime nga toka, monitorim nga ajri me dronët e Policisë, si dhe përmes bashkëpunimit të ngushtë me partnerët e GDF-së.