KRIZA POLITIKE ÇON NË NJË VDEKJE TË BARDHË TË ESTABLISHMENTIT TË VJETËR POLITIK
Kriza e vitit 2019, në të vërtetë nuk është ekskluzivisht e vitit 2019.
Kjo është një krizë në të gjitha kuptimet e trashëguar në një kohë politike të demonizuar plot absurditet.
Është një krizë që mund të klasifikohet kronologjikisht në cakun ftillëzues të vitit 2013, arriti një apogje në 2017, kur u fitua një mandat i dytë i Ramës si Kryeministër, duke bërë të qartë për të gjithë se pas dy vjetësh politika që jo vetëm nuk i ka zbutur tonet, jo vetëm nuk i ka qartësuar konceptet, jo vetëm nuk i ka moderuar veprimet, por i ka shndërruar të gjitha “arsyet e mos arsyeve” në marrëzira të mëdha dhe kontradikta, të projektuara për një ndeshje pa asnjë kompromis, duke u metaforizuar si një konflikt civil, duke bërë dhe diçka të padëgjuar më parë, si të thuash një ritual harakiri, domethënë “të një vetëvrasjeje të bardhë politike”, kur partitë opozitare, në mënyrë të beftë dhe spektakolare dogjën mandatet e tyre juridike.
Ky precedent e ndërlikoi situatën, por në të vërtetë nuk qe aspak një atu pozitiviteti, shprese dhe vullneti të paepur politik nga ana e opozitës.
Të heqësh dorë nga mandatet juridike, të fituara zyrtarisht nga procesi kushtetues i zgjedhjeve të përgjithshme politike, do të thotë të mos kuptosh asgjë nga statusi juridik, apo edhe nga titujt juridikë të përfaqësimit të personazheve të politikës në organin kryesor ligjvënës, që është Kuvendi i Shqipërisë.
Nëse elektoratet e kanë dhënë votën për të arritur deri në statusin e deputetit, këto elektorate nuk i pyeti askush se pse, për ç’arsye, pa u konsultuar dhe për më tepër pa respektuar vullnetin të një “PO-je” apo një “JO-je” të elektoratit për të mandatuarit të cilët kinse e përfillën në fillim votimin e elektorateve, për të mos përfillur asgjë dhe për të skualifikuar pikërisht procesin zgjedhor të vitit 2017.
Refuzimi dhe heqja dorë nga mandatet e deputetit shkatërron dhe pluhurizon nga pikëpamja juridike vetë statusin kushtetues të opozitës.
Opozita e cila në fillim u tregua e mbërthyer nga një dilemë kur propozimit të Sali Berishës “për djegien e mandateve” nuk iu përgjigj menjëherë e vendosur por e shtyu për shumë kohë këtë vendim “vetëvrasës”, befas ra në kurthin e “mohimit publik të vetvetes”.
Nëse në vitin 2017 kryetari i PD-së Lulzim Basha ngriti të ashtuquajturën “çadër të Lirisë” për të mundur, për të sfiduar publikisht dhe demokratikisht Edi Ramën Kryeministër, dihet se qe më i sigurtë dhe më i mbrojtur në pikëpamje të statusit, sepse nuk e kishte menduar dhe nuk e kishte sendërtuar marrëzinë e tij erazmike për të hequr dorë përfundimisht nga të tërë “mandatet e deputetëve të opozitës”.
Është e pamundur në analiza formale, apo të studimit të silogjizmave të ligjërimeve politike të arrijnë studiuesit politologë për të arritur në një tezë mbushamendëse për të treguar qartë “pse u arrit të bëhej një gjë e tillë, jashtë logjikës formale të këtyre 30 viteve të politikës në Shqipëri”.
Pra teza ogurzezë “e vetësakrifikimit të skajshëm qe diçka që lindi si një konkluzion logjik i debatit të brendshëm në PD dhe në LSI” apo qe një shtytje nga jashtë, domethënë një “subjekt trillant të ndikimeve konspirative nga jashtë?”.
Për mua nuk ka rëndësi fare sqarimi në mënyrë absolute i kësaj pike.
Natyrisht të gjithë duhet të dinë pse ka ndodhur një gjë e tillë, por ajo që na intereson është sepse ndodhi dhe se sa kohë do të ndodhë në zgjatje kohore.
Që me “çadrën e Lirisë” kryetari i PD-së Lulzim Basha duket sikur shpiku një retorikë befasuese dhe tejet alarmante.
Ai foli për “kryengritje konceptuale ndaj shtetit” , ai ngriti tezën utopiste dhe krejtësisht revolucionare për “një Republikë të Re”.
Ai u ngrit kështu kundër establishmentit politik tradicional të tranzicionit, ku ishte dhe vetë ai dhe partia e tij pjesë e substancës kontradiktore dhe absurde.
Pra “kryengritja ndaj të tjerëve” ngjante nga pikëpamja retorike edhe si “kryengritje ndaj vetvetes”.
Kryetari i PD-së në 2017 nuk e kishte fare pranë vetes në atë kohë LSI-në. Pra retorika e tij e sulmonte dhe e zhvlerësonte edhe LSI-në krahas PS-së.
Në disa nga shkrimet e mija në gazetën “Dita” të vitit 2017 e kam sqaruar tezën konfuze, sipas optikës së Bashës, të “Republikës së Re”.
Nuk kaluan as dy vjet kur kryetari i PD-së në vend që të konceptonte diçka vërtetë ndryshe në politikë, duke nxjerrë mësime, duke reflektuar dhe duke u ngritur në një kuotë më të epërme mendore pas zhgënjimeve nga marrëveshja me Ramën më 17 maj 2017, jo vetëm që nuk u tregua i pjekur dhe i matur, çka do të thotë jo vetëm një politikan empirik, por dhe një politikan i mendimit, krijoi të ashtuquajturin “inkubacion të urrejtjes dhe të ballafaqimit luftarak, pa asnjë kompromis”.
Gjithçka tingëllon, gati sipas Testamentit të Vjetër, domethënë një luftë “sy për sy dhe dhëmbë për dhëmbë”.
Basha kishte rast të bëhej vërtetë vetvetja të largohej nga tradita e kobshme e Berishës dhe të tregonte një personalitet origjinal dhe të pavarur në politikë.
Basha i vitit 2019 u kthye plotësisht dhe u identifikua me Berishën e vitit 1996, 1997, 1998.
Pse ndodhi një gjë e tillë?
A duhet të ndodhte një gjë e tillë?
Nuk ka askush kohë dhe durim për të bërë analizuesin gjakftohtë të një përgjigjeje brilante dhe shteruese, sepse në të vërtetë procesi nuk ka mbaruar, përkundrazi si në sindromat e sëmundjeve paraqitet në një fazë infeksioni më të lartë të në ardhmen.
Në shkrimet dhe në analizat e mija unë e kam mbrojtur përherë opozitën, e cila është subjekt i mirëfilltë kushtetues.
Kjo opozitë është absolutisht e domosdoshme.
Kjo opozitë në të vërtetë ka një rëndësi jetike, por si shumica qeverisëse ashtu dhe opozita në vend që të kishin së bashku statusin kushtetues të “raporteve komplementare” kaluan në një grindje sipas hakmarrjes kanunore mesjetare, duke mos pyetur shumë për interesat kombëtare, duke krijuar një kosto të llahtarshme për popullin shqiptar, duke bërë atë që na mëson dialektika heraklitiane kur një pjesë e një dukurie degradon edhe pjesa tjetër e kësaj dukurie nuk mund t’i shpëtojë dot degradimit.
Kështu, po të shprehemi me një silogjizëm filozofik të Soren Kirkegardit se “një vetëvrasje e dikujt është dhe vetëvrasje e të tjerëve”, sepse në fund të fundit dhe në thelbin e thelbeve që të gjithë janë shqiptarë, janë pjesëtarë të një kombi, janë qenie njerëzore, ku për shkak të raporteve të deformuara të iracionalitetit me racionalitetin janë shpallur dhe klasifikuar nga “vëllezër” në “armiq të përjetshëm”, si për të konfirmuar mitin biblik të Abelit dhe të Kainit.
Në një shkrim të mëparshëm tek “Dita” mendoj se e analizova tezën e “mosbindjes civile” që është krejtësisht logjike dhe demokratike në avancimin acarues të “konfliktit civil”.
Kjo do të thotë në të vërtetë një “luftë civile”.
Po të shikohet me kujdes historia shekullore e popullit shqiptar mund të konstatojmë se nuk ka patur “luftëra civile” madje nuk ka patur si në vende të tjera evropiane “as luftëra ndërfetare”.
Shpikësi ogurzi i tezës së “luftës civile” në 1997 është Berisha i cili planifikoi edhe një “luftë civile” midis veriut dhe jugut, por ky mekanizëm i kobshëm nuk funksionoi. Mos të harrojmë dhe grushtin e shtetit të 1998.
Grushti i shtetit në politikologji është shprehje konkrete in extremis të “luftës civile”. Askush nuk e harron dot se si paramilitarët e Berishës dhe të Bukoshit arritën dhe shtinë në dorë edhe televizionin shtetëror të Shqipërisë dhe nga pulti kryesor u deklarua “rënia e Qeverisë Nano” etj., etj.
Por SHBA dhe ndërkombëtarët nuk e pranuan këtë grusht shteti që u pompua si një “triumf populist” i “luftës civile”.
Por ajo që nuk u bë në 1998, që si një spektakël u organizua në mënyrë të plotë dhe të dukshme, nuk mendoj se do të arrihet as në vitin 2019.
Pra pavarësisht se gjatë këtyre 30 vjetëve të tranzicionit e ashtuquajtura klasë politike shqiptare, që unë për hir të shkencëzimit të termit e kam cilësuar përherë si “klasë parapolitike”, populli shqiptar ka treguar një vetëdije politike më të lartë dhe më të epërme dhe nuk u instrumentalizua sipas “instinkteve frojdiane të luftërave të tifozëve për skuadrat e tyre në stadium”.
Le të mendojmë më qetësisht për situatën e tanishme.
Opozita, PD dhe LSI (partizat e vogla që përfaqësohen nga Mediu, Shehu, Duka etj., nuk kanë asnjë rëndësi as politike, as juridike) ndodhen përballë një procesi zgjedhor që lidhet me zgjedhjet administrative, që në thelb nuk kanë të bëjnë me përcaktimin e raporteve politike në Kuvend.
Zgjedhjet administrative janë një modus vivendi për pushtetet vendore, për kryetarët e bashkive dhe komunave.
Ato ndryshojnë kushtetutshmërisht nga zgjedhjet e përgjithshme politike. Dhe kuptohet qartë, me një logjikë të hekurt se partitë që marrin pjesë në zgjedhjet e përgjithshme politike me anë të deputetëve të tyre përcaktojnë në strukturën 140 vendëshe të Kuvendit se kush është shumica qeverisëse pra dhe Kryeministri dhe kush gjatë mandatit 4 vjeçar do të luajë rolin e opozitës.
Po jap një shembull konkret nga historia e këtyre 30 viteve.
Kur PD dhe Berisha fituan zgjedhjet e përgjithshme politike në 22 mars 1992, raportet numerike të deputetëve e bënë PS një parti të pakicës, pra i dhanë statusin e opozitës.
Jo shumë kohë më pas në zgjedhjet administrative PS e fitoi shumicën e numrit të kryetarëve të bashkive dhe komunave të Shqipërisë në raport me PD, por kjo nuk ndikoi në të vërtetë realisht në vendimmarrjet që bënte shumica qeverisëse, Kryeministri i kohës apo dhe Presidenti Berisha.
Sepse krejt i ndryshëm është roli kushtetues i zgjedhjeve të përgjithshme politike.
Kriza e sotme paraqitet veç të tjerave edhe si një luftë absurde mes juridikes dhe politikes. PD dhe LSI kanë deklaruar urbi et orbi, se nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet administrative në 30 qershor 2019, pavarësisht se kjo datë është dekretuar kushtetutshmërisht edhe nga Presidenti Meta.
Por meqenëse presioni i SHBA-së dhe ndërkombëtarëve ka qenë shumë i madh dhe zhvlerësues, mos aprovues, madje shumë kritikues për gjestin “vetëflijues”, të partive të opozitës, befas PD dhe LSI, megjithëse “i kanë hedhur tutje titujt e tyre juridikë”, pra nuk mund të konsiderohen më si “dy parti të opozitës të dalë nga votimet e vitit 2017 me tituj juridikë të përfaqësimit politik” papritur kanë bërë një veprim të beftë dhe të çuditshëm. Brenda afateve kohore PD dhe LSI kanë plotësuar vendet vakante (që i takonin?) në KZAZ ku ka dhe raporte të tilla 50 me 50 të anëtarëve të partive të kundërta politike.
Pyes: Nëse PD dhe LSI nuk do të marrin pjesë në zgjedhje administrative, siç e kanë deklaruar botërisht, atëherë me ç’truk alkimik befas i dërguan dhe i plotësuan vendet e tyre me anëtarë të KZAZ?
A ka këtu një dinakëri?
A ka këtu shfrytëzim të sofistikuar të ligjit?
Apo kemi të bëjmë në të vërtetë me një reflektim dhe kthesë të opozitës?
Nuk e besoj.
Por po i referohem vitit 1996 të zgjedhjeve të përgjithshme politike në Shqipëri.
Në atë kohë unë isha deputet i PS dhe nuk më gënjen as kujtesa as përvoja dhe ndjesia e dëshmitarit. PD dhe Sali Berisha bënë një katrahurë të paparë dhe një deformim kolosal të procesit normal dhe kushtetues të votimit popullor dhe kur u konstatua kjo gjë kryesia e PS-së mori vendimin e papritur dhe që përbënte një precedent të largimit të anëtarëve të PS-së nga komisionet e votimit.
Në të vërtetë Berisha nuk e çau kokën fare për këtë.
Por ky precedent i kushtoi jashtëzakonisht shumë.
Ndërkombëtarët që i monitoruan zgjedhjet hodhën dhe shpalosën dyshimet e tyre për manipulim. Situata politike në vend të qetësohej pësoi një shqetësim të shtërngatshëm. Ndodhi 1997.
Pastaj edhe një antipod tjetër, që përbënte gjithashtu precedent: Grushti i shtetit në 1998.
Pa dashur të bëj profetin, prapë se prapë mund të bëj një pyetje shqetësuese: Nëse opozita nuk pranon zyrtarisht të hyjë në zgjedhjet administrative, pse i plotësoi vendet vakant në KZAZ? A mund të përsëritet ajo që ndodhi në 1996?
Se mos i gënjejë mendja që mund të ngjasë si pasojë apo shprehje e kazualitetit edhe një 1997 apo 1998 në vijim?
Duke qenë kriticist ndaj periudhës 6 vjeçare të shumicës qeverisëse dhe të Kryeministrit Rama, duke besuar se kriticizmi e iluminon politikën dhe është një katharsis i domosdoshëm, i pashpërbëshëm dot, prapë se prapë mund të konstatoj dhe të vërtetoj se me gjithë aksionin gati surrealist të opozitës, as instrumentalizimi i protestave nuk arrin të krijojë ekuacionin e besueshëm të identifikimit të rremë, apo virtual të opozitës me krejt popullin, as kërkesa për një “qeveri tranzitore, apo teknike” nuk mund të miratohen në pikëpamje të logjikës juridike por dhe politike.
Të gjithë mund të reflektojnë për raportin paradoksal të opozitës me ndërkombëtarët. Por edhe ideja delirante “e triumfalizmit qeverisës” që përdorin të ashtuquajturit Rilindas, nuk i mbush mendjen askujt.
Përkundrazi gjatë 6 viteve të qeverisjes së Rilindjes, qeverisja ka qenë aq shumë problematike, më tepër një qeverisje alibike dhe e alambikuar me propagandë, saqë i ashtuquajturi spektakël politik e identifikon me të ashtuquajturën qeverisje, duke harruar që propaganda është deformim i realitetit dhe jo realiteti vetë, sepse propaganda nuk është asnjëherë e vërtetë.
Kjo vlen për të gjitha palët dhe për tërë koleksionin partiak të establishmentit të vjetër politik të Shqipërisë
Implikimi i politikanëve me aferat korruptive, dosjet e përgjuara, krijimi i përfaqësuesve politikë sipas parimit të klonimit dhe jo të krijimit të personaliteteve të vërteta e bëjnë procesin qeverisës të 6 viteve të diskutueshëm dhe pavarësisht tezës skajore “të negativizmit absolut”, që përdor opozita, nuk jemi në rrethana të reja, shpresëdhënëse dhe në një situatë optimale të kthjelltësisë politike si dhe të shpresës për ndryshime progresive për të gjithë shqiptarët.
Mendoj se këto të vërteta i kam artikuluar publikisht pa patur asnjë konflikt vetiak me askënd, as me partitë as me kryetarët e partive, as me politikanët deputetë, as me kryetarët e bashkive etj..
Në përfundim mund të them se absurdi midis juridikes dhe politikës është bërë gati një normë retrograde e politikës në Shqipëri.
Për fat të keq moduli, monada apo matrica e vonesës historike të politikës në këto 30 vitet e fundit është politikani Berisha dhe berishianët e tij.
E habitshme është se si ata e urrejnë popullin por e trajtojnë në propagandë si një “epifenomen”, duke shpikur lloj-lloj teologjie revolucionare, dhe ndonëse tallen dhe anatemojnë Rilindasit e Ramës, sërish Basha evokon dhe përuron Ringjallësit e republikës, politikës, çka nuk është gjë tjetër veçse një tautologji e përdorur me pak ndryshime semantike nga të dy kundërshtarët.
Basha është në një udhëkryq të ngatërrueshëm labirinthik, dhe kurrsesi nuk ka përpara Rubikonin e shpëtimit të gjërave, apo të një Kohe të Re Politike
Ai e konsideron tashmë veprimin e tij si një “models through”, domethënë “të mbijetuarit me çdo mënyrë”.
A do të ketë përplasje?
Tjetër është përplasja dhe tjetër është lufta civile.
Luftë civile nuk do të ketë.
Por pështjellim dhe acarim të ngjarjeve do të ketë.
Atëherë për partitë politike qoftë të majta, qoftë të djathta apo partitë hibride gjysmë të majta gjysmë të djathtë do të vijë e ashtuquajtura “Dies Irae”, domëthënë “Dita e Hidhërimit”, ose “e Ndëshkimit”.
Jam i bindur që kriza politike do të çojë pashmangshmërisht në një zgjim dhe emancipim politik, në mënyrë që zëvendësimi i substancës historike të mos identifikohet me surrogato të historisë.
Në datën 18 maj 2019 mora pjesë në një Akademi përkujtimore të organizuar në Institutin Albanalogjik të Prishtinës, të organizuar nga “Organizata e të burgosurve politikë”, “Organizata e dëshmorëve të Kombit” me rastin e 20 vjetorit të zhdukjes nga pushteti serb i mendimtarit politik dhe tribunit popullor të lirisë dhe të pavarësisë së Republikës së Kosovës, Ukshin Hotit.
Ishte botuar për këtë jubilar dhe libri i tij kryesor “Filozofia politike e çështjes shqiptare” për të cilën unë kam shkruajtur një Parathënie, kur u botua për herë të parë në 1995.
Duke i rilexuar dhe një herë shkrimet dhe librat e këtij politikologu të madh shqiptar, mbase më të shquarit mendimtar politik të shekullit XX të Kombit tonë, u binda dhe ndjeva thellë se raca e politikanit misionar, të ndershëm dhe të ditur, kurajoz dhe të pafrikshëm, është diçka më triumfuese në histori, se sa raca mediokre, e zombizuar e politikanëve shqiptarë jo vetëm në Tiranë por dhe në Prishtinë apo dhe në ndonjë vend tjetër.
Është e pamundur të qëndrojmë indiferentë për bëmat politike që po ndodhin.
A do të ketë vetëm zgjedhje apo duhet të ketë zgjidhje?
Shpreh besimin se dy anët e politikës konfliktuale në Shqipëri, duke mbartur padyshim sipas të vërtetës historike dhe identifikimet e tyre përkatëse duhet më në fund të gjejnë një “koine politike” të përbashkët të mirëkuptimit, të kriticizmit dialogues, për hir të interesave të mëdha kombëtare, humane, për hir të së ardhmes së projektuar në integrimin evropian të Shqipërisë.
Për secilin duhet të thuhet pyetja “Quid est veritas?”, domethënë “Çfarë është e vërteta?”.
Të mbytur dhe të zhytur, të demonizuar nga propagandat politike shqiptarët duket sikur i kanë humbur shqisat për të kuptuar dhe lexuar të vërtetën.
Jeta shqiptare ngjan me një “Modus vivendi”, domethënë “një Mënyrë të jetuari”, për t’u bërë “Modus operandi”, pra “një Mënyrë veprimi” për të mos përfunduar në një “Modus moriendi”, domethënë “një Mënyrë për të vdekur”.
Do të ketë, jam i bindur “vdekje të bardhë të partive të estabilishmentit të vjetër”.
Po nuk ka pse të ketë një “harakiri” të Shqipërisë?/DITA