Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në kuadër të 20-vjetorit të rënies në krye të detyrës të Dëshmorit të Atdheut, ish-punonjësit të Policisë, Gani Malushi ka zhvilluar një ceremoni përkujtimore në nderim dhe mirënjohje të veprës së tij.
Në ceremoni ishin të pranishëm familjarë të Dëshmorit të Atdheut, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Tonin Vocaj, punonjës policie të DVP Tiranë, dhe përfaqësues nga Prefektura, të cilët vendosën kurora me lule në vlerësim të kontributit të tij.
Akti sublim i Dëshmorëve të Policisë ndër vite përbën një motiv më shumë për çdo punonjës të Policisë së Shtetit, për të vijuar me vendosmëri punën dhe përpjekjet në garantimin e rendit dhe sigurisë, në shërbim të komunitetit.
Gjithashtu Presidenti Bajram Begaj dhe Ministri i Brendshëm, Taulant Balla kanë përkujtuar dëshmorin e Atdheut, komisar Gani Malushin, i cili u vra vetëm pak metra larg Drejtorisë së Policisë së Durrësit, më 7 gusht 2003.
“Dëshmori i Atdheut, Komisar Gani Malushi do të nderohet gjithmonë si shembull frymëzimi për Policinë e Shtetit”, u shpreh Presidenti Begaj.
“Do të kujtohet me respekt për luftën pa kompromis me bandat e krimin”, theksoi Begaj.
“Profesionistë si ai lartësojnë figurën e Policisë së Shtetit dhe rrisin besimin tek ajo”, përfundoi mesazhin e tij Kreu i Shtetit.
Edhe Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka përkujtuar sot 20 vjetorin e ndarjes nga jeta të Komisar Malushit, duke i shprehur mirënjohjen në emër të Policisë së Shtetit për gjithçka ai bëri për rivendosjen e shtetit dhe të ligjit në Tropojë, Berat, Librazhd, Krujë, Kukës. “Sot 20 vite më parë Policia e Shtetit humbi një nga oficerët e saj më të lartë, dhe këtë nuk e them për gradat, por nga përgjegjësitë e mëdha që mori mbi supe dhe standardin që ai vendosi me punën e tij. Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit do t’i jenë gjithmonë mirënjohës Komisar Gani Malushit, Dëshmor i Atdheut, për gjithçka ai bëri për rivendosjen e shtetit dhe të ligjit në Tropojë, Berat, Librazhd, Krujë, Kukës etj”, shkruan Balla. Gjithashtu Balla thekson se po sot 14 vite më parë, po në Durrës, ranë në krye të detyrës katër dëshmorët e Atdheut: Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj, dhe Sajmir Duçkollari, të cilëve jemi gjithashtu mirënjohës dhe do të bëjmë gjithçka që gjaku i tyre të mos tradhëtohet më kurrë nga brenda Policisë së Shtetit.
Gani Malushi, ka shërbyer në strukturat e Policisë së Shtetit nga viti 1995 deri në vitin 2003. Ai u plagos rëndë më 06 gusht 2003, dhe u nda nga jeta vetëm një ditë më pas. Malushi u qëllua vetëm pak metra larg Drejtorisë së Policisë së Durrësit, nga autori tashmë i dënuar, Agim Pepa.
Gani Malushi është shpallur ” Dëshmor i Atdheut” më 16 nëntor të vitit 2004.
/Argumentum.al