Dr. Jorgji KOTE
Kohët e fundit janë shtuar përpjekjet dhe demarshet diplomatike për uljen e toneve dhe tensioneve politike, ekonomike dhe ushtarake midis SHBA-ve/Perëndimit në përgjithësi dhe Kinës pas akuzave të ndërsjella, incidenteve në Ngushticën e Tajvanit, Detin e Kinës Jugore, me anije dhe avionë luftarakë, etj.
Në fakt, nisur nga serioziteti i gjendjes, është e nevojshme dhe urgjente të mendohet thellë dhe të veprohet më me shpejtësi dhe diplomaci. Veçse kjo kërkon gjykim objektiv realpolitik, pa paragjykime dhe nga pozita të barabarta. E theksojmë këtë, sepse pavarësisht nga faktet dhe argumentat që jep Perëndimi për të shpjeguar shqetësimet e tij gjeostrategjike kundrejt Kinës, ai vetë ka vend për reflektim te ” gjynahet ” e veta, siç po bën dhe mbi problemet, mungesat dhe pengesat që ai ka dhe krijon, pa ” treguar gishtin” vetëm te ” mëkatet ” kineze.
Le ta fillojmë analizën tonë duke pohuar se pavarësisht shqetësimeve të drejta gjeopolitike që bart dalja e Kinës me pretendimet e saj si superfuqi botërore, shumë probleme dhe telashe në botë nuk kanë autorësinë e saj. Kjo mund të thuhet për konfliktet në Lindjen e Mesme, në Amerikën Latine e deri te Ballkani Perëndimor në përgjithësi, e sidomos Dialogu Serbi – Kosovë dhe tensionet më të fundit midis tyre. Në fakt, askund nuk gjen ndonjë gjurmë kineze në qorrsokakun e atjeshëm.
Përmendet shpesh se Kina nuk njeh Kosovën. Po mirë, po pse të shkojmë deri në Kinë, ku gjithsesi dihet ndjeshmëria ndërkombëtare për Tajvanin dhe politikën “Një Kinë” dhe nuk përmendet pothuajse fare se të keqen e kemi nga brenda BE-së! Jo një, por plot 5 vende anëtare as nuk denjojnë ta njohin Kosovën!
Në këtë kuadër, SHBA-të, Gjermania dhe vende të tjera të BE-së po veprojnë mirë që po bëjnë kthesën e duhur, duke hequr dorë me lezet dhe gradualisht nga kërkesat këmbëngulëse ndaj Kinës. Kjo u pa dhe në takimet e Sekretarit të Shtetit Blinken në Pekin më 18 – 19 Qershor.
Pastaj, le të jemi të sinqertë, shteti i të drejtës është bërë kritik dhe sfidë e vështirë dhe për vetë SHBA-të/ BE-në. Fuqia e saj joshëse dhe frymëzuese, për shkak të përshkallëzimit të demokracisë joliberale, populizmit, ekstremizmit, nacionalizmit dhe plot “ izmave” të tjerë është zbehur ndjeshëm në këto 20 vitet e fundit.
Për rrjedhojë, në strategjinë e tij të parë të sigurisë kombëtare, të miratuar më 14 Qershor 2023, në marrëdhëniet e saj me Kinën dhe vende të tjera jo perëndimore, Berlini zyrtar do t’i referohet kryesisht Kartës së OKB-së.
Përveç sa më sipër, momenti kur Kinës i bëhen presione në këtë fushë nuk është më i favorshëm për Perëndimin si në fillimin e viteve 90; besueshmëria e tij është gërryer shumë vitet e fundit. Madje, telashet demokratike janë shtuar dhe për vetë SHBA-të me një katalog të dhimbshëm dukurish të frikshëm. Mjaft të përmendim zgjedhjen e Trump President më 2017, 37 akuzat e tanishme ndaj tij e megjithatë mundësia për të rifituar në zgjedhjet presidenciale 2024, sulmin e armatosur mbi Capitol Hill më 6 Janar 2021, tensionet me racizmin, përshkallëzimi i dhunës me armë zjarri ku çdo vit vriten 40.000 vetë, shumica fëmijë dhe nxënës, etj.
Jo më e mirë paraqitet gjendja dhe brenda BE-së. Veç ”izmave” të lartpërmendur, ekstremi i djathtë ka ardhur në pushtet në Itali, Suedi dhe Finlandë; ndërkohë ai vazhdon të fitojë terren në Francë, Gjermani, Spanjë dhe gjetkë. Sa për anëtarësimin në BE që trumpetohej me bujë dhe nga Selaniku 20 vite më parë, atij ka kohë që “po i xhirojnë gomat në baltë“
Perëndimi ka pësuar dështime dhe përsa i përket sigurisë rajonale dhe kontinentale. Rikujtojmë tërheqjen e tij kaotike nga Afganistani, Libia, Iraku dhe Siria. E pra Kina nuk ka patur fare gisht në këtë drejtim, pasi Perëndimi atje kishte në dorë siç thuhet rëndom “ gurin dhe arrën!”.
Vitet e fundit, vendet perëndimore, sidomos SHBA-të nuk kanë dhënë shembull të mirë as në fushën e diplomacisë shumëpalëshe. Kulmi arriti gjatë Presidencës Trump, kur SHBA-të u larguan nga 10 organizata dhe traktate të rëndësishme ndërkombëtare. Të kundërtën bëri Kina, e cila natyrisht që nuk kishte se si t’i linte bosh këto hapësira, duke aderuar në to në favor të shumëpalëzimit.
Ndërkohë, përse të mos e themi se vitet e fundit SHBA-të dhe Perëndimi në përgjithësi, në vend të një diplomacie shtensionuese me Kinën, janë marrë më shumë me akuza dhe provokime të panevojshme dhe me demostrime force ndaj saj. Kështu, nuk kishte pse ish Kryetarja e Kongresit amerikan Nancy Pelosi të shkonte në Tajvan vitin e kaluar dhe të nxiste në kulm tensionet politike dhe ushtarake. Kishte dhe ka mënyra të tjera për të vepruar në këto fusha me ndjeshmëri të jashtëzakonshme politike dhe diplomatike.
Ose si në rastin e Ministrit kinez të Mbrojtjes, Li Shangf, i cili më 2018 u vendos në listën e sanksioneve amerikane; e megjithatë, disa javë më parë iu kërkua takim nga homologu amerikan, të cilin ai e refuzoi me mirësjellje. Lidhur me këtë, Dennis Wilder, sinolog në Universitetin Georgetown në Uashington shtron pyetjen nëse homologu i tij amerikan Austin do ishte në listën kineze të sanksioneve, a mund të shkonte të takonte homologun kinez? Natyrisht që jo!
Edhe për shpenzimet ushtarake, mund ta kritikosh Kinën, por të njëjtën gjë, madje në masë më të madhe po bën dhe vetë Perëndimi. Kështu, të dhënat zyrtare tregojnë se shpenzuesi më i madh ushtarak më 2022 ishin SHBA-të me 877 miliard Dollarë, baraz me 39 për qind të shpenzimeve globale, më e madhe se e tetë vendeve të saj aleate të marra së bashku! Ndërsa Kina zë vetëm 13 për qind të tyre!
Padyshim që shqetësimet më të mëdha të Perëndimit me Kinën 20 vitet e fundit kanë të bëjnë për shumë arsye madhore me politikat dhe marrëdhëniet ekonomike, tregtare dhe investimet mes tyre. Kjo në radhë të parë për shkak të supervarësisë ekonomike dhe tregtare të vendeve europiane nga Kina. Ndonëse ato i dinin problemet dhe pasojat për të cilat sot kritikojnë pa të drejtë Kinën, ato vijuan bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar sipas parimit ” business as usual”. Kjo në emër të leverdisë dhe tarifave të lira të blerjes së mallrave nga Kina, të thithjes së produkteve dhe investimeve të tyre nga tregu gjigand kinez, etj. U desh lufta në Ukrainë që Perëndimi të kujtohej dhe të ndërmerrte reformat e njohura tashmë, ku përfshihet dhe strategjia e re ”siguria ekonomike” e lançuar nga SHBA, dhe tani në muajin Qershor Gjermania dhe BE-ja. Por, të paktën ato e kuptuan se nuk mund të ndajnë apo shkëputin dot ekonomitë e tyre nga Kina; ndaj sot po flasin për ” de-riskimin” ose minimizimin e rreziqeve prej Kinës; ok, vetëm se e kanë fajin vetë, dhe ”mëkatet” e tyre nuk janë domosdoshmërisht ” gjynahe” kineze.
Shqetësimi i dytë madhor këtu është nisma planetare ” Një brez, një rrugë”që Kina lançoi 10 vite më parë, me synimet dhe arritjet e saj të njohura. Mirëpo, dhe ajo ka hasur në akuza të paqena dhe në politizime të tejskajshme në shumë vende perëndimore. Rastin më të freskët e jep gazetari, ish korrespondent gjerman në Pekin, Philipp Mattheis me librin e tij të botuar më 23 Maj 2023 ” Rruga e pistë e Mëndafshit ( Die Dreckige Seidenstrasse) Ndër të tjera në këtë libër nënvizohet se ” në autostradat që Kina ndërton, veç mallrave transportohen edhe ideologjia, dominanca dhe varësia ekonomike e atyre vendeve nga Kina” Po mirë, atëhere, çdo bërë, të mos ndërtohen këto autostrada dhe aeroporte aq të nevojshëm nga frika se siç thotë autori na rrënokan demokracitë, të cilat në shumicën e atyre vendeve as që ekziston? Pastaj, a do të ishte vërtet gjendja atje më e mirë pa këto autostrada dhe Rrugën e Mëndafshit, apo vetëm me vlerat dhe parimet e demokracisë liberale?
Ja pse, në vend që të qortojë Kinën për këtë nismë madhore, duke e etiketuar dhe si ” Masterplan për sundimin e botës” Perëndimi do të bënte mirë të ndryshonte sjelljen dhe qëndrimin ndaj Kinës dhe ndaj një numri të madh vendesh në Afrikë, Azi dhe Amerikën Latine, të cilët përse të mos e themi janë zhgënjyer prej tij. Këtë e ka pohuar kohët e fundit dhe ish ministri amerikan i Financave Larry Summers, të cilit në një vend afrikan i kishin thënë troç se ”vlerat tuaja na pëlqejnë më shumë, por ama ne duam dhe rrugë e aeroporte“ Mirëpo, për fat të keq, siç thuhet në një status shumë të suksesshëm në diskurset e sotme diplomatike “Kina na ndërton aeroporte, ndërsa SHBA-të na bën leksione“
Këtë nevojë komunikimi ia shprehu disa muaj më parë Presidentit Macron dhe homologu i tij i Republikës Demokratike të Kongos, Felix Tschesedeki, duke i thënë në prani të kamerave se Franca dhe BE-ja duhet të ndryshojnë sjelljen ndaj Afrikës, ta shohin atë ndryshe; të flasin me të jo si më parë, sikur ju keni gjithmonë të drejtë ndërsa ne jemi gabim”
Flitet shumë për ” diplomacinë kineze të borxheve” se demek vendet që nuk, paguajnë dot borxhet, detyrohen të shesin pasuritë e tyre kombëtare”.
Kritikët lenë pas dore historitë e shumta e të mëdha të suksesit të kësaj nisme, ku përfshihen vende anëtare të BE-së, Greqia, Gjermania, Italia, Hungaria. Ja pse, pavarësisht nga rreziqet dhe problemet për shlyerjen e këtyre borxheve, sipas kinezologes së njohur në Berlin, Franceska Ghiretti, ”vendet afrikane kanë oreks më të madh “ për mallra, kredi dhe investime kineze.
Ndaj, është më e udhës që në vend të politizimit të tejskajshëm të gjithçkaje ” Made in China” vendet perëndimore të përmendin e të ndihmojnë konkretisht për të luftuar korrupsionin, këtë ”gangrenë sociale” që përmendet dhe në raportet e Departamentit amerikan të Shtetit dhe në Progres Raportet e Komisionit Europian dhe të këqia të tjera që ndeshen dhe në vende anëtare/kandidate të BE-së.
Vetëm se kujdesi në këto aspekte nuk ka të bëjë fare me frikën dhe alergjinë ndaj rreziqeve imagjinare të investimeve kineze, të cilat na rikujtojnë vitet e monizmit, kur ndihmat, kreditë dhe investimet e huaja u shpallën tradhti e lartë!
Ndaj, është pozitiv fakti që kohët e fundit, SHBA-të, BE-ja, Franca, Gjermania, Italia kanë nisur një ofensivë të gjerë diplomatike në Kinë dhe në vendet e lidhura ngushtë me të në Afrikë dhe Amerikën Latine. Më konkretisht, po bëhen përpjekje për përfundimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë MERCOSUR e cila ka 20 vite që zvarritet, ndërkohë që Kina dhe Rusia kanë hyrë me kohë atje. Dukuria më e re premtuese ishte zhvillimi më 19 – 20 Qershor në Berlin i Konsultimeve qeveritare dypalëshe në nivel kryeministror. Me moton ” Të bashkëpunojmë në mënyrë konsistente.” Kjo merr rëndësi të veçantë, mbasi Kina është partneri më i madh ekonomik i Gjermanisë, me një vëllim prej 300 miliard Euro. Në vijim, mbas Berlinit, Kryeministri kinez Li Qiang shkoi për bisedime qeveritare të nivelit më të lartë në Paris, të cilat u zhvilluan me të njëjtën frymë dhe predispozicion pozitiv.
Po ashtu, BE-ja, në vend të ideologjizimit dhe demonizimit të nismës kineze “Një brez një rrugë”, po kundërpërgjigjet me projektin e saj gjigand prej 600 miliard Euro. Megjithatë, nga Kina nuk ka patur kritika, sepse kjo është sipas saj normale, konkurrencë ekonomike.
Së fundi, problemet dhe mosmarrëveshjet midis tyre nuk zgjidhen me deklarata e kundër deklarata e qëndrime provokuese “ majë më majë” se “kush je ti e kush jam unë”. Ca më tepër që sipas Moritz Rudolf, profesor në Universitetin Yala, Perëndimi është ”i dënuar” të bashkëpunojë me Kinën të paktën në 4 drejtime jetike – mbrojtjen civile, ndryshimet klimatike, sigurimin e drithërave dhe trysninë ndaj Rusisë që të mos përdorë armë bërthamore.
Kur Kina, pavarësisht nga vonesat, mangësitë, hezitimet dhe ndonjë qëndrim pa besueshmëri politike, ka ndërmarrë hapa konkretë për një paqe të mundshme dhe në Ukrainë, siç po bën në Lindjen e Mesme dhe gjetkë. Në fakt, sot kërkohet fantazi krijuese dhe transformuese, siç thoshte Hilary Clinton. Mirëpo kjo kërkon doemos shtimin e jo pakësimin e kontakteve në të gjitha fushat, duke filluar nga mbrojtja. Sepse, nga 40 takime të ekspertëve të mbrojtjes të zhvilluara midis dy vendeve më 2013, më 2022 pati vetëm 4 të tilla!
Ja pse vizita dhe takimet e kryediplomatit amerikan Blinken në Pekin më 18-19 Qershor dhe pritja e tij miqësore nga Presidenti kinez Xi Jinping me mesazhe për ulje tensionesh janë vlerësuar sepse premtojnë një frymë më të pranueshme dhe i çelin rrugën përpjekjeve të mëtejshme për shtensionimin e marrëdhënieve SHBA – Kinë, shërbim i madh për paqen, stabilitetin dhe sigurinë planetare.
© 2023 Argumentum