Marjana DODA
Qasja pragmatike e Kinës në rajonin tonë shpeshherë përkthehet si influencë e Pekinit e cila synon të avancojë interesat e saj gjeo-strategjike në Ballkan.
Por Kina nuk erdhi rishtas në rajon. Pekini dhe vendet ish-Jugosllave ndër dekada kanë patur lidhje të ngushta diplomatike, ekonomike dhe kulturore. Po ashtu Shqipëria dhe Kina kanë një marrëdhënie të gjatë diplomatike.
Për shqiptarët e kohës së komunizmit miqësia me Kinën ishte e një rëndësie të veçantë, si në aspektin politik e ideologjik, ashtu dhe në zhvillimin ekonomik dhe fuqizimin ushtarak.
Në këtë artikull do të analizojmë pikërisht angazhimin ekonomiko-kulturor të Kinës me vendet e Ballkanit Perëndimor me secilin prej këtyre vendeve që ende sot pas 3 dekadave nga ndryshimi i sistemit janë në tranzicion të thellë politik e ekonomik.
Ballkani ndihet i zënë në kurth duke qenë në një udhëkryq në mes Lindjes dhe Perëndimit, nisur dhe nga pozita e saj gjeostrategjike, luftrat dhe konfliktet ballkanike, ndaj padyshim popujt e Ballkanit kanë nevojë për një përkrahje më të madhe ekonomike.
Megjithatë sa herë ajo tenton të krijojë aleanca dhe partneritet me Kinën, shikohet si një devijim i këtyre vendeve nga kursi euro-atlantik, duke e mitizuar çdo investim të Kinës në këto vende.
“Nëse Evropa nuk ofron një perspektivë për të ardhmen [për gjashtë vendet joanëtare të BE-së të Ballkanit Perëndimor], Kina, Rusia ose një aktor tjetër me ndikim do ta bëjnë këtë”, kjo frazë përdoret rëndom si karta e vetme e përshpejtimit të procesit të pranimit në BE për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në këtë analizë do të shohim se si qasja e Kinës ndaj gjashtë vendeve jashtë BE-së të Ballkanit Perëndimor nuk pengon interesat e BE-së në Ballkan, përkundrazi bëhet një levë e rëndësishme e lëvizjes ekonomike më të shpejtë të këtyre vendeve drejt integrimit evropian.
Flitet për avantazhe, të mirat dhe përparësitë e integrimit të rajonit në BE por asnjëherë nuk është folur për obligimet që kanë para dhe pas aderimit të Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane.
Megjithatë në çdo rast Ballkani është në zemër të BE-së dhe nuk i përket asnjë kontinenti tjetër, por në një botë globale, është avantazh që një vend me superfuqi ekonomike sytë i ka nga ne.
Diskursi i BE-së
Ishte qershori i vitit 2003, kur në “Deklaratën e Selanikut” në samitin BE-Ballkani Perëndimor u pohua pa mëdyshje se “e ardhmja e Ballkanit është brenda Bashkimit Evropian”. Që atëherë, vetëm Sllovenia dhe Kroacia kanë hyrë në BE, përkatësisht në 2004 dhe 2013. Sot, në mesin e gjashtë vendeve të anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor, Mali i Zi dhe Serbia kanë filluar tashmë negociatat e anëtarësimit në BE, përkatësisht në 2012 dhe 2013; Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut morën dritën jeshile për hapjen e negociatave të anëtarësimit në vitin 2020, por ende nuk kanë filluar negociatat; ndërsa Bosnja e Hercegovina dhe Kosova mbeten kandidate potenciale.
E pra, sot 20 vjet nga Samiti i Selanikut të Bashkimit Evropian ku u premtua Perspektiva e BE-së për Rajonin; dhe Liria e Lëvizjes për Ballkanin Perëndimor, ende jemi në vendnumëro.
Sfidat e brendshme të BE-së (në veçanti, kriza financiare 2008-2009), kriza e migracionit/refugjatëve dhe Brexit e ka anashkaluar plotësisht politikën e zgjerimit brenda BE-së. Gjithashtu zhvillimet gjeopolitike në arenën globale duke filluar nga Pranvera Arabe dhe konflikti sirian në jug deri në konfliktin Rusi- Ukrainë e vonuan procesin e zgjerimit dhe gjithashtu kanë ulur pjesërisht interesin nga Ballkani.
Por nga ana tjetër, Ballkani Perëndimor si kurrë më parë po përjeton një largim masiv të popullsisë për shkak të gjendjes ekonomike dhe jo vetëm.
“Po plaken, po vdesin, po largohen”. Kështu titullohet një artikull i fundit i revistës së njohur The Economist, ku trajtohet fenomeni i tkurrjes së popullsisë së vendeve të Ballkanit.
“Problemet e shumta të rajonit i shtyjnë njerëzit e rinj, të talentuar të largohen. Në të gjithë Ballkanin, popullsitë po zvogëlohen dhe plaken, dhe nëse situata nuk ndryshon edhe më shumë do të largohen”, shkruhet në artikull.
Në grafikun e paraqitur nga The Economist, për Shqipërinë parashikohet që popullsia do të reduktohet me 26% deri në vitin 2050, në krahasim me vitin 1989. Kjo është tkurrja më e madhe në Ballkan, me përjashtim të Bosnjës (-37%)- (shënim i Monitor). Mali i Zi, me 3% dhe Kosova, me 11%.
Dhe vijon të thuhet se Kina është “kërcënim”…?
Rreziku i “influencës kineze” në rajon, dominon si argument në retorikën politike, jo vetem në politikën e brendshme por edhe në diskursin e diplomacisë evropiane,
Në analizat, punimet kërkimore etj, Kina shihet si një pengesë për Ballkanin në BE dhe që rrezikon të minojë vlerat e BE-së. Por asnjë nuk flet për marrëdhëniet e shkëlqyera politike-ekonomike, që Kina ka me vendet e Bashkimit Evropian, qoftë me institucionet zyrtare të BE por dhe vendet anëtare të saj.
Kjo sipas proverbës së vjetër shqiptare përkthehet në “bëj çfarë them unë dhe jo çfarë bëj unë”, duke u bërë pengesë për zhvillimin ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Çuditërisht janë po të njëjtët vende që janë skeptike për një marrëdhënie mes Kinës dhe Ballkanit… që në fakt ka qenë ndër dekada aty.
Kina për hir të së vërtetës është një mbështetëse e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE.
Deri më tani, investimi i Kinës në projektet e infrastrukturës dhe energjisë në vendet e Ballkanit Perëndimor ka ndihmuar në nxitjen e rritjes ekonomike rajonale, promovimin e lidhjes rajonale dhe përfundimisht përmirësimin e mjedisit lokal të biznesit, duke ofruar kështu ndihmë për këto vende për t’u bashkuar përfundimisht në BE.
Ndryshe nga fuqi të tjera, ajo çfarë e bën pozitive politikën dhe bashkëpunimin e Kinës me vende të tjera, si dhe me Shqipërinë, është se politika e Pekinit nuk ndërhyn në punët e brendshme.
Miti i “kurthit të borxhit”
Prezenca e investimeve kineze në Ballkan përmes Iniciativës së saj “Brez dhe Rrugë”, rruga e re e Mëndafshit që lidh Lindjen me Perëndimin –më shumë se sa mundësi për zhvillim, interpretohet si një rrezik për rajonin.
Marrëdhëniet tregtare midis Kinës dhe Ballkanit Perëndimor janë rritur gjatë dekadës së fundit, megjithëse sërish BE-ja mbetet partneri kryesor tregtar i rajonit, me mbi 70% të vëllimit të përgjithshëm tregtar. Kina është bërë partneri i dytë ose i tretë më i rëndësishëm tregtar i rajonit. Shkëmbimet tregtare arritën në 6.3 miliardë dollarë në vitin 2020, sipas bazës së të dhënave Comtrade të Kombeve të Bashkuara.
Kina ofron fonde, si grante ashtu edhe kredi, kryesisht për pajisje dhe për zhvillimin e infrastrukturës. Po ndërsa çdo aktivitet i Kinës në Greqi, Serbi, Maqedoni, Shqipëri, Mal të Zi, Bosnjë dhe Hercegovinë apo Hungari shikohet me dyshim dhe i quajnë investimet e saj si “diplomaci e borxhit”, askush nuk analizon huadhënësit e tjerë shumëpalësh në rajonin tonë si; Banka Botërore, Banka Evropiane e Investimeve dhe BERZH, FMN si dhe Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal- RCC) në Sarajevë.
Kuptohet, presupozohet se duke qenë aktorë financiarë evropianë nuk mund të kemi asnjë dyshim në qëllimin e tyre të mirë, por nga ana tjetër, si çdo kredi, grant apo marrëveshje financiare nga BE përpos rregullave të tyre, mund te themi se jo gjithmonë janë perfekte.
Natyrisht ka edhe korrupsion me fondet e BE-së, zvarritje te investimet, etj. Megjithatë, unë nuk i shoh investimet kineze apo ato evropiane si zëvendësuese të njëra-tjetrës në Ballkan por si komplementare në zhvillimin ekonomik të rajonit tonë.
Duhet theksuar se investimi i sipërmarrjeve kineze në rajonin e Ballkanit jo vetëm që zgjidh problemin e mbijetesës së sipërmarrjeve të industrisë, por nxit punësimin lokal dhe zhvillimin ekonomik lokal. Një shembull i mirë është blerja nga China Hegang e fabrikës serbe të çelikut Smederevo, e cila ishte në gjendje falimentimi. Pasi kompania kineze mori drejtimin, jo vetëm aktivizoi fabrikën e vjetër, por zgjidhi edhe çështjet e punësimit të afro 5000 personave. Termocentrali Stanari i ndërtuar nga Shanghai Dongfang Electric në Bosnje dhe Hercegovinë prodhon gjithashtu energji të pastër që plotëson standardet mjedisore të BE-së dhe siguron kërkesën lokale për energji elektrike si dhe punësimin. Projekti i termocentralit B të termocentralit Kostolac në Serbi, i ndërtuar nga China Machinery, jo vetëm që solli teknologji të re dhe përmirësoi kapacitetin origjinal të prodhimit të prapambetur të ndërmarrjes, por gjithashtu garantoi jetesën e banorëve vendas, nxiti zhvillimin e industrinë energjetike të vendit dhe siguroi furnizimin me energji elektrike të Serbisë.
Dhe ky është një realitet që tentojnë ta fshehin nën propagandën e mitit të “kurthit të borxhit”.
Sidoqoftë ne sot duhet të përqendrohemi në dy pika kryesore nga vëmendja e nje vendi me superfuqi ekonomike siç është Kina;
Zhvillimin ekonomik, duke përfituar nga ardhja e investitorëve, huadhënësve dhe turistëve kinezë në gadishullin e Ballkanit.
dhe
Zhvillimin gjeopolitik, duke qenë në fokus të aktorëve institucionalë dhe globalë për këtë rajon, për shkak dhe të pozicionit gjeografik.
A mund të përfitojmë ne nga Kina?
Është e njohur se Kina ka ndërtuar marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë dhe ka pasur bashkëpunim në disa fusha. Kina është një investitor i rëndësishëm në Shqipëri dhe ka ndihmuar në zhvillimin e projekteve të mëdha infrastrukturore në vend.
Në aspektin ekonomik Kina mbetet partnere e rëndësishme e Shqipërisë. Delegacionet e niveleve të larta qeveritare, dhe jo vetëm, po e dëshmojnë më së miri këtë proces. Në sajë të bashkëpunimit të dikurshëm, kinezet janë njohësit më të mirë të resurve të vendit tonë.
Ndaj bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Kinës mund të jetë i efektshëm në disa fusha të ndryshme:
– Ekonomia: Kina është një nga ekonomitë më të fuqishme në botë, me një rritje të shpejtë dhe kapacitete të mëdha prodhuese. Bashkëpunimi në fushën e tregtisë, investimeve dhe infrastrukturës mund të ndihmojë në zhvillimin e ekonomisë shqiptare dhe krijimin e vendeve të punës.
-Energjia: Shqipëria ka burime të pasura natyrore të energjisë së rinovueshme, veçanërisht në sektorin hidroenergjetik. Kina ka përvojë dhe teknologji në ndërtimin e hidrocentralëve dhe infrastrukturës së energjisë. Bashkëpunimi në fushën e energjisë mund të ndihmojë Shqipërinë të përmirësojë prodhimin e energjisë dhe të diversifikojë burimet e saj.
-Infrastruktura: Kina është një ndër liderët botërorë në fushën e infrastrukturës dhe ndërtimit të rrugëve, tuneleve, porteve dhe aeroporteve. Bashkëpunimi me Kinën në këtë sektor mund të ndihmojë Shqipërinë të përmirësojë infrastrukturën e saj dhe të zgjerojë lidhjet ndërkombëtare.
-Arsimi dhe kultura: Bashkëpunimi në fushën e arsimit dhe kulturës mund të rrisë ndërveprimin dhe njohuritë ndërkombëtare mes dy vendeve. Shkëmbimi i studentëve, profesorëve dhe kërkuesve shkencorë mund të sjellë përparim në nivelin arsimor dhe krijimin e kontakteve të reja kulturore.
-Turizmi: Shqipëria ka një potencial të madh turistik. Kina ka një popullsi të madhe të turistëve të interesuar për të eksploruar vende të ndryshme. Bashkëpunimi në fushën e turizmit mund të rrisë numrin e vizitorëve dhe të krijojë mundësi për zhvillim ekonomik. Marrëveshja e heqjes së vizave në fillim të ketij viti me Kinën është një hap i madh në këtë drejtim.
Gjithë kjo tablo, parë dhe në kontekstin e një bote të trazuar që kohët e fundit sa vjen e po bëhet më e paqartë për perspektiven e saj, bëjnë që marrëdhëniet me Kinën të marrin një rëndësi të veçantë. Duke lënë pas politikat e skepticizmit ndaj Kinës dhe nismave të saj në Ballkanin Perëndimor, ndoshta do të na ndihmojë të njohim, të kuptojmë por mbi të gjitha të besojmë te njëri-tjetri. Popujt kanë vuajtur gjithnjë nga dogma, ideologji e politika që kanë ngritur veç mure, ndërsa kanë nevojë për ura bashkëpunimi, për sa më shumë mirëkuptim e mirëqenie në funksion të së cilës duhet të jetë politika e çdo vendi.
© 2023 Argumentum.