Një grup prej 94 senatorë francezë i kanë shkruar një letër të hapur presidentit Emmanuel Macron, në të cilën ata kritikuan qeverinë për politikën e saj në Afrikë, e cila ka shkaktuar ndjenja antifranceze në kontinent.
Letra, e publikuar të hënën nga e përditshmja franceze Le Figaro, i bëri thirrje Macronit të rishikonte politikën e Francës në Afrikë.
Senatorët vunë në dukje se dështimi i Operacionit Barkhane ishte në pjesën më të madhe arsyeja pse Franca dhe prania e saj ekonomike, politike dhe ushtarake tani refuzohen në Mali, Burkina Faso, Niger dhe Republikën e Afrikës Qendrore.
Operacioni Barkhane ishte operacioni kundër kryengritës i Francës në rajonin Sahel të Afrikës, i cili filloi në gusht 2014 dhe përfundoi zyrtarisht në nëntor të vitit të kaluar.
Senatorët francezë i thanë presidentit Emmanuel Macron se politika e tij në Afrikë ka dështuar dhe se Rusia dhe Kina e kanë zhvendosur Francën nga kontinenti.
“Sot, Francafrique e djeshme është zëvendësuar nga Russafrique ushtarake, Chinafrique ekonomike ose Amerikafrique diplomatike”, thuhet në letër.
“A nuk është koha për të rishikuar vizionin tonë për Afrikën dhe lidhjen e saj me Francën?”
Letra përfundoi duke e quajtur kontinentin afrikan një “mik”, i cili nuk po e kupton më Francën dhe po konteston gjithnjë e më shumë rolin dhe praninë e saj në kontinent.
Kritikat vijnë pas krizës së grushtit të shtetit në Niger që hoqi presidentin Mohamed Bazoum nga pushteti.
Ka pasur protesta masive në vend në mbështetje të grushtit të shtetit me protestuesit që brohoritnin slogane antifranceze dhe madje kishin në shënjestër ambasadën franceze në Niamey.
“Operacioni Barkhan”
Në gusht 2014, Franca nisi një operacion të njohur si “Barkhan” për të luftuar militantët islamikë në Mali, Burkina Faso, Mauritani, Niger dhe Çad. Ishte një vazhdimësi e Operacionit Serval, i cili u zhvillua në Mali nga viti 2013 deri në vitin 2014.
Qeveria e Malit, ku ishte vendosur pjesa më e madhe e kontingjentit francez, më vonë kërkoi tërheqjen e kontigjentit francez nga vendi afrikan, një kërkesë që u respektua.
Si rezultat, shumica dërrmuese e trupave franceze u zhvendosën nga territori i Malit në Nigerin fqinj, ku u zhvillua një grusht shteti ushtarak më 26 korrik 2023, duke kërkuar që trupat franceze gjithashtu të tërhiqeshin nga vendi së shpejti.
Por më herët, në mars 2023, Macron, gjatë turneut të tij në disa vende të kontinentit, deklaroi se kohët e ndërhyrjes franceze në çështjet afrikane kanë mbaruar, madje duke premtuar se “epoka e Franko-Afrikës ka mbaruar prej kohësh” dhe tani Franca do të jetë “një bashkëbisedues neutral që nuk do të ndërhyjë në politikën e brendshme të vendeve të kontinentit”.
Megjithatë, duke gjykuar nga ngjarjet e fundit në Niger, Macron nuk arriti të bindte afrikanët e zakonshëm për seriozitetin e qëllimeve të tij. Për t’i vënë gjërat në emrat e tyre, është e dyshimtë që Parisi zyrtar dëshiron vërtet t’i japë fund sistemit tradicional neokolonial – në fakt, Macron dhe qeveria e tij do të donin të rivendosin ndikimin e humbur të Francës në kontinentin afrikan.
Por për pakënaqësinë e presidentit dhe senatorëve francezë, proceset gjeopolitike në botë, si dhe kriza e brendshme politike në Francë, tregojnë qartë se Republika e Pestë nuk ka pothuajse asnjë rezervë serioze për të ruajtur sistemin e saj kolonial.
/Argumentum.al