Deputeti holandez i Parlamentit Evropian, Thijs Reuten, beson se diplomacia parandaluese garanton stabilitet në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe ofron mundësi për reagim ndaj secilës krizë eventuale.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Reuten – i cili është edhe anëtar i Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian – e ka komentuar thirrjen e dhjetëra deputetëve amerikanë, britanikë dhe atyre të bllokut evropian që Perëndimi të ketë qasje të re ndaj Kosovës dhe Serbisë, pasi, sipas tyre, politikat aktuale nuk po funksionojnë.
Ai beson se punë më e madhe duhet të bëhet në qasjen ndaj Serbisë.
Radio Evropa e Lirë: Si e komentoni thirrjen e fundit të deputetëve amerikanë dhe evropianë ndaj kryediplomatëve të Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian për ta ndryshuar qasjen ndaj Kosovës dhe Serbisë? Ju jeni njëri prej nënshkruesve të dokumentit.
Thijs Reuten: Jam jashtëzakonisht i kënaqur për këtë iniciativë, sepse jo vetëm që është thirrje përreth Atlantikut – nga deputetë prej 13 vendeve të ndryshme me nismë të Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe Gjermanisë – por është edhe thirrje e thënë thjeshtë dhe qartë. Gjithçka që jemi duke kërkuar është një qasje më e balancuar dhe më proporcionale. Po kërkojmë dy gjëra: rikthim të negociatave për normalizim, dhe ta stabilizojmë rajonin përmes një qasjeje të qartë e të koordinuar dhe jo ashtu siç e kemi parë në muajt e fundit.
Radio Evropa e Lirë: Po e përmendni një qasje të re. Si do të mund të dukej ajo?
Thijs Reuten: Fillimisht duhet dhënë fund qasjes aktuale dhe kjo ka të bëjë kryesisht me qasjen me të butë ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili sipas mendimit tim, është duke ndikuar jo vetëm në punët e Bosnjë e Hercegovinës, duke e mbështetur presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik, por është edhe pengesë për përparim në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e cila është shumë e nevojshme.
Tjetra, duhet të jemi shumë të qartë nga ajo që kërkojmë nga partnerët në gjithë rajonin. Bashkimi Evropian duhet ta kuptojë që stabiliteti i këtij rajoni është kyç për stabilitetin e gjithë kontinentit. Ne nuk mund t’i tolerojmë vetes më shumë gabime dhe një gjë që e propozojmë si deputetë është diplomacia parandaluese.
Radio Evropa e Lirë. Të flasim më shumë për këtë lloj të diplomacisë.
Thijs Reuten: Kjo nënkupton se neve na duhet një plan B, natyrisht, jo për të luftuar, por për t’i bërë të qarta prioritetet tona. Kjo nënkupton përforcimin e EUFOR-it në Bosnjë e Hercegovinë, përforcimin e KFOR-it në Kosovë, nëse është e nevojshme, sidomos në rastet siç kanë ndodhur sulmet ndaj tyre, të ketë përgjigje pa dilema dhe të qartë nga ana e komunitetit ndërkombëtar.
“Shumë incidente i kemi lënë të kalojnë”
Radio Evropa e Lirë: Në të kaluarën nuk është përmendur shpesh diplomacia parandaluese. A do të jetë ajo rrugë përpara?
Thijs Reuten: Është diplomaci në kuadër të një qasjeje më të gjerë, që nuk garanton vetëm stabilitet përmes prezencës ndërkombëtare në rajon, por do të thotë edhe përgjigje ndaj krizave secilën herë që shfaqen ato. Secilën herë që dikush në rajon e minon stabilitetin dhe rrugën drejt integrimeve, duhet të reagohet. Por, kjo nuk ka ndodhur në muajt dhe vjetët e fundit, sepse i kemi lënë të kalojnë shumë incidente.
Radio Evropa e Lirë: Deputetja Alicia Kearns ka thënë se është e rrallë që aq shumë deputetë jeni mbledhur për të shprehur shqetësimin lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë dhe Serbi. Çfarë do të thotë kjo?
Thijs Reuten: Kjo tregon se shumë deputetë jemi të vetëdijshëm se jemi në moment kyç dhe nuk mund ta lëmë këtë çështje për trajtim as pas pushimeve të verës. Gjërat janë duke ndodhur tani dhe kjo tregon se ne duam që kryediplomatët të veprojnë dhe të ketë koordinim ndërmjet tyre.
Marrë me shkurtime nga REL