Komisioneri i Zgjerimit të BE-së Johanes Hahn ka disa ditë që po zhvillon një fushatë intensive me qëllim që Bashkimi Europian të vendosë për të hapur negociatat me Maqedoninë e Veriut.
Sipas tij, Shkupi duhet të shpërblehet për marrëveshjen historike të Prespës dhe përpjekjen e madhe për reforma.
‘Ne duhet të përmbushim angazhimet tona, ashtu siç po i përmbush Maqedonia e Veriut për reformat që kemi kërkuar. Është në interesin tonë të përbashkët’, –është shprehur Hahn gjatë konferencës ekonomike në Vjenë.
Komisioneri i zgjerimit tha se qeveria dhe opozita e Maqedonisë së Veriut njësoj sillen në një mënyrë shumë të përgjegjshme dhe ata kishin arritur të zgjidhnin marrëdhëniet dypalëshe me Bullgarinë dhe me Greqinë.
‘Qeveria ka ndërmarrë hapa të mëdhenj për të përparuar në rrugën e saj euroatlantike. Greqia ishte vendi i parë që nënshkroi protokollin e pranimit në NATO, gjë që çoi në hyrjen në fuqi të marrëveshjes së Prespës. Procesi i anëtarësimit në NATO është në vazhdim dhe e ankoron vendin si një partner i besueshëm në forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit të rajonit dhe më gjerë’, –theksoi Hahn.