REALPOLITIK FLASH NR. 73
1 – 16 GUSHT 2023
Mbi 5 ngjarjet kryesore diplomatike, shkurt dhe shqip, me vetëm 1.000 fjalë nga analisti i njohur, Mjeshtër i madh Dr. JORGJI KOTE
1.Paqja vetëm dëshirore! Më 5 gusht zyrtarë të lartë nga 40 vende të botës u mblodhën në Jedah të Arabisë Saudite për të diskutuar mbi një plan të mundshëm paqeje midis Ukrainës dhe Rusisë, ku kjo e fundit mungonte. Aty u fol mbi bazën e propozimeve për paqe/armëpushim të Kinës, Brazilit, 7 vendeve afrikane dhe Zelenskit. Mirëpo, u ra dakord vetëm për faktin se sovraniteti dhe tërësia territoriale e Ukrainës është e paprekshme. Për asgjë tjetër. Gjithçka u la për takimin e ardhshëm. Mirëpo, faktikisht, paqja midis Rusisë dhe Ukrainës është vetëm dëshirë e mirë, asgjë më tepër. Ajo mund të realizohet vetëm kur Rusia të tërhiqet menjëherë nga territoret e pushtuara të Ukrainës, të zotohet me garanci praktike dhe ligjore se nuk do të ndërmarrë më sulme të tilla, duke i çelur rrugën negociatave të vërteta për paqen, siç ndodh në të tilla raste. Mirëpo kjo nuk ka gjasa të ndodhë siç po duken bathët. Ndaj, çdo propozim për armëpushim, ose paqe pa ndryshuar asgjë në statuskuonë e tanishme për Ukrainën nuk do të ishte paqe, por pushtim. Deri atëhere paqja do të mbetet vetëm ” dëshirore” Po atëhere, lind pyetja, përse shpenzojnë kohë dhe energji kancelaritë perendimre dhe të tjerat? Në fakt, kjo është pjesë e ” lojës politike” diku për për konsum të brendshëm dhe të jashtëm politik dhe diplomatik, diku gjetkë për efekte zgjedhore, herë për protagonizëm gjeopolitik, sidomos nga Kina, Brazili, ndërsa të tjerët, sic i themi në shqip ”për t’u gjindur Kola në punë”.
2.Ndryshoni kursin! Ky është mesazhi që i dhanë Administratës së Presidentit Biden dhe BE-së në Letrën e tyre të datës 4 Gusht 10 kryetarë të Komisioneve të Jashtme të Parlamentit nga vende të mëdha europiane dhe Senatit të SHBA-ve si dhe 56 deputetëve të gjithë krahëve politikë. Çuditërisht memecllëk, asnjë prononcim nga Shqipëria! Siç është bërë e njohur, shkurt dhe troç ata kërkojnë që Perëndimi të mos i japë më kulaç por kërbaç Serbisë, jo më me politikë qetësuese por shtrënguese, jo me përkëdheli dhe Beogradin si ” të nënës ndërsa Prishtinën ” si të njerkës”. Dhe të kundërtën ndaj Kosovës si vend aleat dhe partner i Perëndimit të cilës po i bihet më shumë se sa duhet në qafë. ARGUMENTUM në këtë rubrikë dhe në shkrime të tjera ka pasqyruar dhe është shprehur në të njëjtat linja mendimi dhe veprimi. Është koha vërtet që BE dhe SHBA t’i japin fund naivitetetit të tyre politik me Beogradin se me politika të tilla qetësuese do ta mbajë atë larg Moskës. Përkundrazi, Beogradi po abuzon me zemergjerësinë perendimore; ndërkohë, nuk heziton t’i tregojë dhëmbët dhe ta sfidojë haptas BE-së dhe SHBA-të. Le të shpresojmë se Perëndimi ”do t’i thërasë mendjes” përpara se të jetë vonë. Ndonëse shenjat deri tani nuk janë premtuese.
3.Kambanat e Brukselit bien për Tiranën! Të tilla janë konstatimet dhe qortimet e raportit më të fundit të Komisionit Europian të bërë publik më 7 Gusht mbi ecurinë e procesit të skanimit në kuadrin e negociatave tona më BE-në. Krahas disa elementve të veçuar pozitivë, raporti nënvizon të këqiat tashmë të njohura dhe të përhapura në çdo qelizë të jetës në vendin tonë, madje dhe me fondet e vetë BE-së – korrupsioni, krimi i organizuar, informaliteti ekonomik, ndryshimi i shpeshtë i ligjeve, klima e rënduar e biznesit, shkelja e lirisë së shtypit dhe medias, politizimi i administratës publike, ngadalësia dhe problematika në reformën e drejtësisë dhe plot të tjera. Madje, në disa fusha theksohet se jemi poshtë nivelit të mesatares së kërkuar për çeljen e negociatave. Për pasojë, nëse këto difekte madhore nuk riparohen brenda këtyre pak muajve të fundit, që ka shumë fare pak gjasa të ngjajë, rrezikohet seriozisht çelja e vërtetë e negociatave dhe në Janar 2024. Sepse tanimë nuk bëhet më fjalë për parime, deklarata të përgjithshme dhe detyra shtëpie, por dhe për detaje teknike dhe ligjore. Mirëpo, siç thonë me të drejtë, “djalli, sidomos me BE-në qëndron te detajet“!
4.Beleri midis Tiranës, Brukselit dhe Athinës: Ajo çka u tha më lart bëhet dhe më e vërtetë kur sheh përshkallëzimin e Çështjes “Beleri“, Kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, i cili mbahet prej 3 muajsh në paraburgim. Politika dhe diplomacia greke po i ngrenë tonët e polemikës, më 14 Gusht Kryetari i Bashkisë së Athinës, Kostas Bakojanis nga dinastia e Mitsotakis dhe ai i Selanikut ishin në mitingun e protestës së zhvilluar në Himarë. Ashtu si deputeti Syrigas më 10 Gusht, Bakojanis paralajmëroi “furtunë“ në procesin e integrimit të vendit tonë në BE. Shihni strategjinë e re të zgjerimit dhe do të shihni se pasoja e menjëhershme e çështjes “Beleri“ mund të jetë bllokimi i përkohshëm i negociatave dhe i fondeve të prag antarësimit. Nëse politika jonë vazhdon me parimin “pushka bam dhe Muçua tutje“ ka dhe më keq akoma dhe na rroftë sovranizmi. Pa hyrë në analiza, pala greke ka të drejtë për faktin se nga 31 raste, Beleri ishte i vetmi që u arrestua dhe vetëm dy ditë përpara zgjedhjeve; kryesorja, shkelet parimi i « prezumimit të pafajësisë », duke e mbajtur në paraburgim, kur fare mirë ai mund të hetohej në gjendje të lirë, siç ndodh në botën e qytetëruar. Ndaj, kërkohet veprim i shpejtë dhe i guximshëm nga shumica jonë parlamentare, përpara se zullumi të trashet më tej.
5.Të krahasosh të pakrahasueshmet! E kemi fjalën për memen e Kryeministrit Rama më 9 Gusht ku krahasohet eksodi i mijra shqiptarëve në Itali 32 vite më parë dhe “eksodi“ turistik i mijra italianëve këtë vit në vendin tonë! Natyrisht që do të krjonte debate dhe zhurmë në shtetin fqinj dhe te ne. Për absurditetin e krahasimit. E para nuk i takon Kryeministrit tonë të bëjë krahasime të tilla; së dyti, kur flet për eksodin drejt Italisë duhet shprehur respekti për ata djem dhe vajza nënash, por mos harro se tani të kanë ikur qindra mijra, ndoshta 100 herë më shumë se atëhere! Ndaj të permendësh 9 gushtin 1991 është si të “kujtosh litarin në shtëpinë e të varurit“. Së treti, atëhere shqiptarët iknin “nga halli“, sot italianët po vijnë “nga malli“ atëhere shqiptarët ikën për një jetë më të mirë e përgjithmonë, sot italianët po vijnë për disa ditë për turizëm. Ndaj, të krahasosh ato është si skeçi i dikurshëm i Estradës se Ushtarit kur mblidhnin kamionat me batalionat!
© 2023 Argumentum