Ministri i Jashtëm iranian, Hossein Amir-Abdollahian ka nisur një vizitë zyrtare në Riad me ftesë të homologut të tij saudit, tha sot Ministria e Jashtme në Teheran.
Irani dhe Arabia Saudite kanë një histori të gjatë si rivalë të ashpër rajonalë, por në mars fqinjët njoftuan synimin e tyre për të rifilluar marrëdhëniet diplomatike si pjesë e një afrimi të ndërmjetësuar në heshtje nga Kina.
Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Princi Faisal bin Farhan vizitoi Iranin në qershor. Kjo ishte vizita e parë e një përfaqësuesi të rangut të lartë nga mbretëria sunite në Iranin me shumicë shiite në vite.
Në Irak janë zhvilluar edhe disa raunde bisedimesh mes përfaqësuesve nga të dy vendet, kryesisht për çështjet e sigurisë.
Ngrohja e marrëdhënieve mund të çojë në ndryshime të mëdha rajonale, veçanërisht në Jemen, ku Irani dhe Arabia Saudite mbështesin palët rivale në luftën civile që ka çuar në një krize urie dhe shkaktuar dhjetëra mijëra të vdekur.
Arabia Saudite ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin pas një sulmi nga islamistët iranianë në ambasadën saudite në Teheran, në vitin 2016.