Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, ka thënë se qëndrimi indiferent ndaj vrasjes së liderit të rrëzuar të Libisë Muammar Gaddafi ishte “gabim shumë i rëndë”.
“Ishte gabim i rëndë për Perëndimin të rrinte duarkryq në vrasjen e Gaddafit. Gaddafi nuk ishte një nga modelet më të mira të demokracisë, por pas vrasjes së tij filloi destabiliteti në Libi dhe Afrikë”, ka thënë Tajani, sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA.
Ai shtoi se falë marrëveshjeve me Muammar Gaddafin, Italia arriti të ndalojë flukset e migracionit dhe se situata është shumë më e qëndrueshme.
“Ai ishte padyshim më i mirë se ata që erdhën pas tij. Pas tij erdhi terrorizmi, Vëllazëria Myslimane”, tha Tajani.
Ju kujtojmë se Muammar Gaddafi ishte lideri afatgjatë i Libisë, i cili u rrëzua gjatë Pranverës Arabe në vitin 2011.
Lideri libian Gaddafi, i cili kryesoi një afrim me Italinë, u vra nga rebelët më 20 tetor 2011.
/Argumentum.al