Greqia ka kthyer mbrapsht zjarrfikësit që ishin nisur nga Maliqi e Korça drejt shtetit fqinj për të ndihmuar mbi situatën me zjarret që kanë pushtuar pyjet në disa rajone. Pas më shumë se 4 orësh në doganën e Kapshticës, pala greke ka kthyer mbrapsht zjarrfikëset dhe mjetet shqiptare.
Dy automjete zjarrfikëse dhe 9 punonjës të shërbimit të zjarrfikëses janë nisur prej mëngjesit nga Maliqi dhe Korça me destinacion Aleksandropolinë. Ata kanë qëndruar për disa orë në hyrje të qytetit të Bilishtit, kanë marrë rrugën e kthimit në drejtim të Korçës, kanë ndaluar në vendin e quajtur “Kthesat e Cangoit”, dhe janë kthyer përsëri në drejtim të Bilishtit.
Një ditë më parë Kryeministri Rama u solidarizua me popullin grek për zjarret në vend.
“Është shumë e trishtueshme të shikosh vendin tonë të bukur fqinj që vuan vazhdimisht nga zjarret, ndërsa populli i guximshëm grek dhe të gjithë ata në uniformë që luftojnë kundër shkatërrimeve të tilla meritojnë solidaritetin tonë të plotë dhe admirimin e thellë”, ka shkruar Rama në rrjete sociale.
Greqia është përfshirë në disa zona nga flakët. Banorët e rajoneve të prekura nga flakët janë evakuuar, ndërsa zjarri vijon të përhapet me shpejtësi për shkak të temperaturave të larta dhe erërave të forta.
Kujtojmë se marredheniet diplomatike ems Shqiperise dhe Greqise jane te tensionuara qe pas arrestimit të Fredi Belerit etnik grek që u zgjodh kryetar i Bashkisë së Himarës në Shqipërinë e Jugut në zgjedhjet bashkiake të 14 majit.
Ndërsa dy ditë më parë me 21 Gusht, në Greqi u mbajt darka informale e liderëve të Ballkanit Perëndimor, e organizuar nga kryeministri grek Kyriakos Mitostakis, me rastin e 20 vjetorit të Samitit të Selanikut, ku mungoi Shqipëria. Zëdhënësi i qeverisë greke, Pavlos Marinakis, tha të dielën se ftesa e munguar për kryeministrin Edi Rama në darkën e shtruar nga kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ishte pasojë e qëndrimeve për rastin e kryetarit të zgjedhur të Himarës, në jug të Shqipërisë Fredi Beleri.
/Argumentum.al