Nga 22 deri më 24 gusht, në Afrikën së Jugut u mbajt samiti i 15-të i BRICS-it. Kjo është hera e parë që takimi i liderëve të vendeve të BRICS-it zhvillohet me prani fizike pas tre vjetëve të pandemisë. BRICS përfshin Brazilin, Rusinë, Indinë, Kinën dhe Afrikën e Jugut.
Takimi i liderëve të BRICS-it me media(Foto:Xinhua)
Si një mekanizëm i ri bashkëpunimi, BRICS janë bërë që në fillim një pikë referimi në promovimin e bashkëpunimit midis vendeve të Jugut dhe në nxitjen e qeverisjes globale. Politikisht, vendet e BRICS respektojnë sovranitetin, sigurinë dhe interesat e zhvillimit të njëri-tjetrit, kundërshtojnë përdorimin e forcës si mjet politik, qëndrojnë kundër mentalitetit të Luftës së Ftohtë dhe shmangen nga konfrontimi ndërblloqe. Në frontin ekonomik, në vitin 2022 pesë vendet e BRICS zotëronin 14.06% të të drejtave të votës në Bankën Botërore dhe 14.15% të totalit të aksioneve të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
BRICS, i cili grupon Brazilin, Rusinë, Indinë, Kinën dhe Afrikën e Jugut, është bërë një platformë e rëndësishme për bashkëpunimin global midis tregjeve në zhvillim dhe vendeve në zhvillim. Të dhënat më të fundit tregojnë se në shtatë muajt e parë të këtij viti, importet dhe eksportet totale të Kinës në vendet e tjera të BRICS arritën në 2.38 trilion juanë (330 miliardë dollarë), një rritje prej 19.1 për qind nga viti në vit, sipas Administratës së Përgjithshme të Doganave të Kinës të hënën( 21 gusht).
BRICS kanë rreth 26.7% të sipërfaqes së tokës në botë dhe 41.5% të popullsisë globale. Brazili, Rusia, India dhe Kina janë ndër dhjetë vendet më të mëdha në botë për nga popullsia, zona dhe GDP (PPP), dhe tre të fundit konsiderohen gjerësisht si superfuqi aktuale ose në zhvillim. Të pesë shtetet janë anëtarë të G20, me një GDP nominale të kombinuar prej 28.06 trilionë dollarë amerikanë (rreth 26.6% të produktit bruto botëror), një GDP totale (PPP) prej rreth 56.65 trilion dollarë (32.5% të PPP globale të PBB-së).
BRICS që filloi si një grupim i ekonomive me rritje të shpejtë jo vetëm që i rezistoi provës së kohës, por gjithashtu transformoi plotësisht identitetin e tij që nga samiti i parë në 2009. Duke mbetur një grup ekskluziv jozyrtar, BRICS shtyn përpara diskutimin mbi më shumë se 30 tema të ndryshme duke përfshirë disa që nuk janë paraqitur në agjendën e G20-ës, përkatësisht sigurinë rajonale, turizmin dhe kulturën. Duke përfshirë vendet afrikane në diskutimet e këtij viti, BRICS nënvizon rëndësinë e multilateralizmit dhe zhvillimit të përbashkët që përfshin Jugun Global. Këto tregje në zhvillim po bëhen një forcë shtytëse jetike për rritjen mbarëbotërore dhe nxitjen e marrëdhënieve më të drejta ndërkombëtare.
Samiti i 15-të i BRICS në Afrikën e Jugut do të sjellë ndryshime të mëdha në peizazhin ekonomik global, pasi një nga pikat kryesore të këtij samiti ishte zgjerimi i bllokut. Një zgjerim që mund të rezultojë në një rritje të konsiderueshme të peshës së tij ekonomike dhe ndikimit në arenën ndërkombëtare.
Një impuls i ri në 25 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike Kinë-Afrikë e Jugut
Përveç pjesëmarrjes në samitin e BRICS, vizita shtetërore e Xi në Afrikën e Jugut, vizita e tij e katërt zyrtare në vend dhe e para në pesë vjet, ka një rëndësi të madhe për marrëdhëniet dypalëshe, pasi këtë vit shënon 25 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Afrikës së Jugut.
Në 25 vitet e fundit, marrëdhënia dypalëshe është promovuar nga një partneritet në një partneritet strategjik dhe më pas në një partneritet strategjik gjithëpërfshirës.
Kina ka ruajtur pozicionin e saj si partneri më i madh tregtar i Afrikës së Jugut për 14 vjet rresht, ndërsa Afrika e Jugut ka qenë partneri më i madh tregtar i Kinës në Afrikë për 13 vjet rresht.
Në mars 2013, Xi, si president kinez, mori pjesë për herë të parë në samitin e BRICS në Durban, Afrika e Jugut. Në 10 vitet e ardhshme, Xi ka bashkuar forcat me liderët e anëtarëve të tjerë të BRICS për të nxitur samitet e BRICS për të prodhuar një sërë nismash.
Me një aksion investimi prej më shumë se 10 miliardë dollarë, Kina është një nga burimet kryesore të investimeve në Afrikën e Jugut.
Foto:VCG
Konkretisht, të dyja palët së bashku kanë ndërtuar dhe vënë në funksion mbi 10,000 km hekurudhë, afro 100,000 km autostradë dhe një sërë projektesh të rëndësishme infrastrukturore, duke përfshirë aeroporte, doke, ura dhe termocentrale, sipas Ministrisë së Tregtisë së Kinës.
Përveç kësaj, dy vendet kryesore në zhvillim kanë bashkëpunuar në vitet e fundit edhe në një sërë projektesh në lidhje me ekonominë digjitale, teknologjinë e nivelit të lartë dhe energjinë e pastër.
Në artikullin e titulluar “Lundrimi i anijes gjigante të miqësisë dhe bashkëpunimit Kinë-Afrikë e Jugut drejt suksesit më të madh”, Xi tha se marrëdhënia midis Kinës dhe Afrikës është një nga më të gjallat në botën në zhvillim, duke shtuar se ajo ka hyrë në një “epokë të artë”, “me një të ardhme premtuese.
Tani në një pikë të re historike, Xi tha se është i gatshëm të punojë me homologun e tij afrikano-jugor për të çuar në një nivel të ri partneritetin gjithëpërfshirës strategjik Kinë-Afrikë e Jugut.
Përgjatë viteve, BRICS ka shfaqur një model harmonik diversiteti, duke demonstruar se si vendet me interesa dhe kultura të ndryshme mund të formojnë një entitet të bashkuar me aspirata të përbashkëta për rimëkëmbje, elasticitet dhe përfaqësim më të gjerë.
Vendet e BRICS nuk përbëjnë vetëm një rreth ekskluziv; ata formojnë një familje bashkëpunuese mbështetëse dhe reciprokisht të dobishme. Kombe të shumta të Jugut të Global kërkojnë përfaqësim dhe mbështetje nga BRICS në adresimin e sfidave globale si krizat e ushqimit, mungesat e energjisë, ndryshimet klimatike, terrorizmi, konfliktet gjeopolitike, hegjemonia dhe proteksionizmi.
Të dhënat nga Fondi Monetar Ndërkombëtar tregojnë se vëllimi i përgjithshëm i tregtisë së mallrave të vendeve BRICS ishte rreth 9.2 trilion dollarë në vitin 2022, një rritje prej 7.8 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Midis tyre, vëllimi i përgjithshëm i tregtisë së mallrave midis pesë vendeve ishte 1.14 trilion dollarë, një rritje nga viti në vit prej 13.3 për qind.
Mes sfidave aktuale të rimëkëmbjes ekonomike globale, vendet e BRICS kanë thelluar bashkëpunimin, kanë luajtur rolin e “stabilizuesve” dhe “përshpejtuesve” të zhvillimit dhe kanë injektuar fuqinë e BRICS në stabilitetin e tregut global.
Zgjerimi- Pse gjithnjë e më shumë vende dëshirojnë të bashkohen me grupin BRICS?
Pikërisht stabiliteti i tregut global ka bërë që 40 vende të botës të jenë të interesuar të bëhen pjesë e këtij mekanizmi. Ndërsa më shumë se 20 vende kanë aplikuar zyrtarisht për t’u bashkuar me grupin, thonë zyrtarët, me në krye Arabinë Saudite një nga më të rëndësishmet.
Por jo vetëm kjo.
Shkëputja e tregtisë nga administrata Biden me Kinën, pengimi i rritjes së gjigantëve të saj teknologjikë për të mbrojtur sigurinë kombëtare të SHBA-së dhe izolimi i Rusisë me sanksione ndërkombëtare ndëshkuese për luftën e saj kundër Ukrainës, u kanë dhënë të gjitha anëtarëve të BRICS një pasiguri ekonomiko-politike.
Pamje nga dialogu i liderëve Kinë-Afrikë, 24 gusht 2023, Johanesburg, Afrikë e Jugut(Foto:VCG)
Pakënaqësia me rendin global në mesin e vendeve në zhvillim u përkeqësua nga pandemia COVID-19 kur vaksinat u grumbulluan nga vendet më të pasura ishte një kambanë e fortë alarmi se është koha për përkrahjen e një bote shumëpolare.
Por pandemia ishte vetëm një nga sfidat e njohura tashmë në këtë fillim të dekadës së tretë të shekullit 21. Por shumë të panjohura dhe sfida të tjera kemi përpara, qofshin gjeopolitike, ekonomike apo klimatike.
Ndaj në takimin e BRICS në Afrikën e Jugut, një nga shtyllat kryesore ishte zgjerimi i këtij grupimi.
Mbi 40 vende, përfshirë Iranin, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Argjentinën, Algjerinë, Bolivinë, Indonezinë, Egjiptin, Etiopinë, Kubën, Republikën Demokratike të Kongos, Komoret, Gabonin dhe Kazakistanin, kanë shprehur interesim për t’u anëtarësuar në këtë bllok, sipas zyrtarëve të Afrikës së Jugut, që po e kryeson bllokun gjatë vitit 2023.
Hegjemonizmi nuk është në ADN-në e Kinës
Por ndërsa mbarë bota për tre ditë me radhë kanë komentuar dhe vëzhguar samitin e BRICS, disa prej tyre e kanë anatemuar duke quajtur një aleancë kundër Perëndimit. Ndaj këtij skepticizmi, përgjigjen e jep udhëheqësi i Kinës, edhe si një ndër vendet anëtare me peshë të madhe në këtë bllok.
Xi Jinping thotë se Kina kërkon një rend ndërkombëtar më të drejtë dhe të barabartë dhe refuzon “konfrontimin e bllokut”.
Në ceremoninë e mbylljes së Forumit të Biznesit të BRICS-it, kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping mbajti një fjalim me temën “Thellimi i solidaritetit e bashkëpunimit për përballimin e rreziqeve dhe ndërtimin e përbashkët të një bote më të mirë”.
Xi vuri në dukje në këtë fjalim që tani bota, koha dhe historia po ndryshojnë si kurrë më parë dhe njerëzimi po ndodhet në një udhëkryq kritik. Duhet të synojmë bashkëpunimin e integrimin apo ndarjen e kundërvënien; paqen e qëndrueshmërinë apo “Luftën e Ftohtë të re”, begatinë me hapje e gjithëpërfshirje apo hegjemoninë dhe depresionin, shtimin e besimit të ndërsjellë me shkëmbime apo arrogancën dhe paragjykimet që errësojnë ndërgjegjen? Drejtimi i historisë varet nga zgjedhjet tona, tha ai.
Kreu i shtetit kinez vuri në dukje më tej që bota e sotme është një bashkësi me fate të përbashkëta. Popujt e ndryshëm nuk po presin as një “Luftë të Ftohtë të re”, as krijimin e “grupeve të vogla”, por një botë paqësore, të sigurt, të lulëzuar, përfshirëse, të pastër e të bukur. Kjo është logjika e përparimit të historisë dhe prirja e zhvillimit të kohës. Palët duhet të kenë një këndvështrim të drejtë të botës, të historisë e të situatës së përgjithshme dhe ta shndërrojnë konceptin e bashkësisë me fate të përbashkëta të njerëzimit në veprime konkrete dhe vizionin ta bëjnë realitet.
Si një vend në zhvillim dhe anëtar i Jugut Global, Kina gjithmonë ka ndarë të njëjtin fat me vendet e tjera në zhvillim, ka ruajtur fuqishëm interesat e përbashkët të vendeve në zhvillim dhe ka nxitur forcimin e së drejtës së fjalës dhe ngritjen e nivelit të përfaqësimit të vendeve në zhvillim për çështjet globale. Hegjemonizmi nuk është në ADN-në e Kinës, dhe gjithashtu Kina nuk ka motiv për përfshirje në konkurrencë ndërmjet fuqive të mëdha. Kina qëndron në mënyrë të vendosur në anën e drejtë të historisë dhe ndjek me vendosmëri parimin “Rruga publike është rruga e drejtë, bota është e të gjithëve”.
Xi Jinping takohet me homologun e Afrikës së Jugut, Ramaphosa, 22 gusht 2023, Johanesburg(Foto:Xinhua)
Bisedimet për zgjerimin e anëtarësimit në BRICS
Secili udhëheqës shprehu mbështetjen për zgjerimin e anëtarësimit në BRICS duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së qëllimit të tij të vërtetë.
“Ne qëndrojmë edhe një herë në një moment tjetër të rëndësishëm ku më shumë se 20 vende të tjera po kërkojnë të jenë pjesë e familjes së BRICS dhe unë e di si udhëheqës të BRICS që po diskutoni këtë çështje dhe po i kushtoni vëmendje të madhe”, tha Ramaphosa, President i Afrikës së Jugut.
Fjalimi i presidentit kinez Xi Jinping theksoi se bota po kalonte një ndryshim dhe po hynte në një epokë të re turbulencash.
“Ne vendet e BRICS duhet të kemi gjithmonë parasysh qëllimin tonë themelues për të forcuar veten në unitet dhe në një ndjenjë të fortë përgjegjësie në rritjen e bashkëpunimit në të gjithë bordin,” tha Xi.
Ai kërkoi thellimin e bashkëpunimit të biznesit dhe ekonomik për të nxitur rritjen ekonomike, duke argumentuar se zhvillimi është një e drejtë e patjetërsueshme e të gjitha vendeve dhe jo vetëm një privilegj i rezervuar për disa.
Presidenti rus Vladimir Putin gjatë fjalimit të tij, të bërë virtualisht, theksoi se BRICS po punon për të zhvilluar mekanizma efektivë për shlyerjet tregtare, monedhën dhe kontrollin financiar.
“Ne po zbatojmë me sukses strategjinë për partneritetin ekonomik BRICS 2025, përkatësisht forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fusha të tilla si diversifikimi i zinxhirëve të furnizimit, de-dollarizimi dhe transferimi në monedhat lokale në ekonomitë tona të përbashkëta.
Ramaphosa tha: “Bota po ndryshon. Realitetet e reja ekonomike, politike, sociale dhe teknologjike kërkojnë bashkëpunim më të madh midis kombeve. Këto realitete kërkojnë një reformë thelbësore të institucioneve të qeverisjes globale, në mënyrë që ato të jenë më përfaqësuese dhe më të afta për t’iu përgjigjur sfidave me të cilat përballet njerëzimi.”
Gjatë fjalimit të tij, presidenti i Brazilit Lula Da Silva tha se “BRICS duhet të veprojë si një forcë për mirëkuptim dhe për bashkëpunim”.
Da Silva theksoi fuqinë që ka BRICS dhe se përfaqësonte 41 përqind të popullsisë botërore dhe ishte përgjegjës për 32 përqind të fuqisë blerëse të PBB-së.
“BRICS – duhet të themi të gjitha (vendet) – vuajnë pasojat e luftës,” tha ai.
Presidenti brazilian tha se lufta në Ukrainë tregoi kufizimet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke shtuar: “BRICS është një forum për të diskutuar çështjet kryesore që prekin paqen dhe sigurinë botërore.
“Kërkimi për paqen është një detyrim kolektiv dhe imperativ për një zhvillim të drejtë dhe një zhvillim të qëndrueshëm,” tha Da Silva.
Kryeministri indian Narendra Modi propozoi fusha të reja për bashkëpunimin e kombeve të BRICS – në eksplorimin dhe kërkimin e hapësirës, bashkëpunimin në zhvillimin e aftësive, arsimin dhe teknologjinë, përpjekjet e përbashkëta në mbrojtjen e maceve të mëdha dhe shkëmbimin e njohurive dhe bashkëpunimit në ekosistemin e mjekimeve tradicionale .
Dakordësimi i BRICS+ në Johannesburg
Ekspozitë e 3-të Ekonomiko-Tregtare Kinë-Afrikë, 29 qershor 2023, qytet Changsha, provincë Hu’nan, Kinë(Foto:VCG)
Padyshim në Samitin e BRICS në Johanesburg Ekonomitë në zhvillim shikojnë një rend botëror shumëpolar.
Ky mund të quhet dhe suksesi i këtij samiti në Afrikën e Jugut pasi pesë vendet e BRICS, njoftuan në përfundim të saj se kanë arritur marrëveshjen për parimet, standardet, kriteret dhe procedurat udhëzuese të procesit të zgjerimit të BRICS, i cili ka qenë në diskutim për një kohë të gjatë.
Kemi konsensus për fazën e parë të këtij procesi të zgjerimit dhe do të vijojnë faza të tjera. Ne kemi vendosur të ftojmë Republikën Argjentinase, Republikën Arabe të Egjiptit, Republikën Federale Demokratike të Etiopisë, Republikën Islamike të Iranit, Mbretërinë e Arabisë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe që të bëhen anëtarë të plotë të BRICS. Anëtarësimi do të hyjë në fuqi nga 1 janari 2024.
Liderët e BRICS miratuan një deklaratë të samitit të tyre të 15-të në Johanesburg, tha të enjten presidenti i Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa.
Presidenti kinez Xi Jinping tha të enjten se zgjerimi i BRICS-it është një ngjarje historike dhe një pikënisje e re për bashkëpunimin e BRICS-it. Ai shtoi se zgjerimi do t’i japë gjallëri të re mekanizmit të bashkëpunimit të BRICS-it dhe do të nxitë më tej forcat për paqen dhe zhvillimin e botës.
Sigurisht me këtë dakordësi të pesë liderëve të te BRICS për zgjerimin e saj do të nxisë shumë polemika. Është e qartë se vendet perëndimore do e perceptojnë atë si një kërcënim. Por le të pranojmë, se tashmë jemi në një rend botëror në ndryshim. Nuk them se erdhi nga Lufta në Ukrainë e madje as nga BRICS. Të gjitha ngjarjet gjeopolitike të tre dekadave të fundit pa marrë parasysh nga cili kontinent vijnë janë pjesë komplementare që çojnë drejt një rendi të ri ekonomik, politik e global që duhet pranuar dhe mbështetur.
Duhet theksuar se gjatë këtij takimi nuk u pa asnjë shenjeshtrim, apo individualizëm, por bashkëpunim dhe shprehje interesi jo vetëm për BRICS si bllok i konsoliduar por për mbarë ekonominë globale. Ndërsa gjendemi një kohë pasigurie të konsiderueshme gjeopolitike sot më shumë se kurrë bota ka nevojë për qeverisje globale e jo ndasi globale./Cri