Kryeministri Edi Rama i pranishëm në panelin e liderëve ne Forumin Strategjik të Bledit, që po zhvillohet në Slloveni, u shpreh se procesi integrimit duhet parë si një proces jo për të bindur Bashkimin Europian, por për të transformuar vendin tonë.
Rama tha se negociatat janë transferimi i dijeve në procesin e shtet-formimit.
“Së pari më duhet të them që s’jam aspak i paduruar. Isha i paduruar shumë përpara se të nisja negociatat, kur na thoshin, “duam të martohemi me ju, por s’duam të flasim me ju”. Ne po bëjmë punën tonë pasi i gjithë procesi nuk është të bindim BE se është i mirë për ta, por të transformojmë vendet tona. Negociatat për mua janë transferimi i dijeve për shtetet formimin që ka krijuar njerëzimi”, tha Rama.
“Unë nuk dua të tingëlloj si i erret këtu, por po dëgjoja Dritanin (Kryeministri i Malit të Zi) nga vendi i qejfit dhe diellit, tha diçka të rëndësishme. Ka një qëndrim natyral, e duhet të jetë e tillë, pasi BE është princip i rëndësishëm. Kjo është ç’ka e ka krijuar atë, si projekt i paqes, si Ukraina duhet parë si vend i mundshëm anëtar. Unë do dëshiroja që kjo të mos jetë kërcënim për Ballkanin Perëndimor. Kur po dëgjoja Dritanin, po mendoja se kush duhet të sulmoj kë në Ballkan për të kërkuar integrimin dhe Bullgaria mund të sulmojë Maqedoninë e Veriut, Kroacia-Serbinë, Serbia- Kosovën, Bosnja-veten, pa asnjë problem. Nëse ne pyesim grekët, edhe ata do na sulmojnë ne me shumë kënaqësi. Mali i Zi nga krahu tjetër mund të luaj në diell volejboll dhe ne pastaj t’i bashkohemi të gjithë trenit me Ukrainën”, tha Rama.
Në fjalën e tij, Kryeministri solli në vëmendje dhe situatën në Rusi.
“E di që duket paksa e errët, por pas kësaj historisë me avionin rus…Nuk e di a dëgjuat se Rusia ka nisur negociatat për të unifikuar orën, kanë 9 orë diferencë nga një pjesë e vendit në pjesën tjetër. Kryeministri atje shkoi tek Presidenti Putin e i tha se kemi një problem, dërgova familjen time me pushime dhe kur i mora në telefon për t’i thënë natën e mirë, më thanë që është mëngjes atje dhe ishin në plazh. Mora Olaf Scholz për t’i uruar ditëlindjen, më tha që është nesër. Mora Presidentin kinez për t’i uruar Vitin e Ri, por më tha se është ende viti i vjetër. Putin u përgjigj që e di, teksa shtoi se edhe unë mora Prigozhin dhe familjen për t’i thënë që avioni s’po nisej ende…”, përfundoi Rama.