Në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën Çeke, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, së bashku me presidentin çek, Petr Pavel, sot mbajtën një konferencë për media, të cilës i parapriu takimi ballë për ballë mes dy presidentëve dhe takim plenar i delegacioneve të dy vendeve, transmeton Anadolu.
Sipas njoftimit të kabinetit presidencial, Pendarovski në konferencën për media ka theksuar se është nder i veçantë për të që është në vizitën e tij të parë zyrtare në Republikën Çeke.
“Ky është takimi ynë i parë si presidentë të dy vendeve që kanë ndërtuar marrëdhënie të ngushta dhe miqësore dypalëshe për më shumë se tre dekada. Popujt tanë kanë lidhje të forta historike dhe kulturore ndër shekuj dhe jam i bindur se ju në mandatin tuaj do të vazhdoni të punoni për avancimin e miqësisë sonë”, tha Pendarovski.
Sipas tij, Republika Çeke për vite me radhë ka qenë një partner i rëndësishëm dhe i dëshmuar i Maqedonisë së Veriut në Kombet e Bashkuara, në OSBE dhe në tre vitet e fundit në Aleancën e NATO-s.
“Ne pajtohemi me Presidentin Pavel se stabiliteti dhe siguria e Ballkanit Perëndimor, si dhe zhvillimi i tij demokratik, varen nga perspektiva evropiane, e cila është arsyeja pse Bashkimi Evropian duhet të rrisë praninë e saj në rajonin tonë për të ruajtur besueshmërinë e procesit të zgjerimit”, shtoi ai.
Pendarovksi informon se në takim janë shkëmbyer mendime, jo vetëm për situatën e brendshme politike në të dyja vendet, por edhe për sfidat aktuale me të cilat ballafaqohet Evropa.
“Në kuadër të saj, diskutuam për pushtimin rus të Ukrainës, bashkëpunimin tonë në aleancën e NATO-s, si dhe aktivitetet që ne si kryesues të OSBE-së i ndërmarrim në funksion të sigurisë së përgjithshme evropiane”, theksoi ai.
Ndër të tjera, Pendarovski tha se përveç bashkëpunimit në nivel ndërkombëtar dhe marrëdhënieve të shkëlqyera politike, kanë konstatuar se në 6-7 vitet e fundit ka pasur progres të vazhdueshëm ekonomik dhe rritje të tregtisë.
“Pritjet tona janë që sektori i energjisë, infrastruktura e transportit, sektori i IT, bujqësia, industria ushqimore, si dhe mbrojtja e mjedisit, të jenë prioriteti ynë i përbashkët në të ardhmen, si fusha në të cilat kemi potencial të gjerë për intensifikimin e bashkëpunimit”, shtoi Pendarovski.