Presidenti francez Emmanuel Macron tha të hënën se BE-ja “ndoshta” duhet të evoluojë drejt një bashkimi “me shumë shpejtësi” nëse dëshiron të integrojë vende të reja dhe duhet të ndërtojë konsensus me më shumë se 30 shtete anëtare, raporton Politico.
“Rreziku është të mendojmë se mund të zgjerohemi pa reforma. Mund të dëshmoj se është mjaft e vështirë për Evropën të përparojë në tema të ndjeshme me 27 anëtarë. Me 32 ose 35 anëtarë, nuk do të jetë më e lehtë”, tha ai në mbledhjen vjetore të ambasadorëve francezë në Paris.
“Ne do të kemi nevojë për guxim, për të pranuar më shumë integrim në disa fusha dhe ndoshta edhe një Evropë me shumë shpejtësi,” tha ai.
Presidenti francez nuk elaboroi se si do të funksiononte kjo Evropë me shumë shpejtësi, por shtoi se një rishikim i procedurave të BE-së ishte i nevojshëm që blloku të thellonte dhe të ruante “tërheqjen e tij”.
Politico raporton se, sipas disa zyrtarëve francezë, qeveria e Macron po punon për disa propozime për një Evropë me shumë shpejtësi, e cila do të përfshinte krijimin e grupeve joformale të vendeve anëtare që do të punonin në fusha specifike të politikave.
Macron la të kuptohet gjithashtu se ai do të detajojë mendimet e tij për zgjerimin dhe reformën e BE-së në muajt në vijim, dhe përpara zgjedhjeve të BE-së të vitit të ardhshëm.
/Argumentum.al