“Sino-Balcanica: Kryqëzimet e kulturës, gjuhës dhe historisë” ishte konferenca që u zhvillua në Ohër, Maqedoninë e Veriut, nga 26 deri më 29 gusht 2023, me synimin për të promovuar zhvillimin e Sinologjisë dhe studimit të Kinës në këtë rajon dhe për të eksploruar ndërtimin e një rrjeti akademikësh për dialogun midis qytetërimeve. Sipas frymës së letrës uruese të Sekretarit të Përgjithshëm të PKK-së Xi Jinping, drejtuar Kongresit të parë Botëror të Sinologëve, për të aktivizuar më tej traditën e Sinologjisë dhe burimet akademike në Ballkan, Universiteti i Gjuhës dhe Kulturës së Pekinit, Qendra e Njohurive për Sinologjinë në Maqedonisë së Veriut, Qendra Botërore e Sinologjisë dhe Akademia Maqedonase e Shkencave dhe Arteve bashkëorganizuan këtë konferencë Sinologjike në Ballkan.
Ambasadori kinez në Shkup, z. Zhang Zuo në konferencën
Qëllimi i kësaj konference ishte të ndërtojë ura komunikimi akademike midis palëve, të promovojë dialogun dhe shkëmbimet midis studiuesve në Kinë dhe Ballkan, të rrisë shkëmbimet kulturore midis Kinës dhe Ballkanit, të rrisë frekuencën e mësimit të ndërsjellë dhe të japë rëndësinë e merituar studimit të Kinës.
Sinologë dhe studiues të Kinës, nga më shumë se dhjetë shtete duke përfshirë Maqedoninë e Veriut, Kroacinë, Greqinë, Serbinë, Bullgarinë, Shqipërinë, Spanjën, Gjermaninë, Rusinë, si dhe nga Universiteti Tsinghua, Universiteti Sichuan, Universiteti “Capital Normal”, Universiteti Yunnan, Universiteti i Shkencës dhe Teknologjisë Qingdao, Akademia e Shkencave Sociale e Shangait,etj. Një total prej më shumë se 30 ekspertësh dhe studiuesish nga universitetet vendase dhe institucionet akademike zhvilluan diskutime dhe shkëmbime të thella rreth “ndërveprimit të kulturës, gjuhës dhe historisë”. U diskutuan shumë tema, mes te cilave progresi në fushën e Sinologjisë në Ballkan, arritjet më të fundit akademike në këto fusha, dhe marrëdheniet e vendeve të Ballkanit me Kinën.
Në konferencë mori pjesë edhe Ambasadori i Republikës Popullore të Kinës në Maqedoninë e Veriut, Z. Zhang Zuo. Në fjalimin e tij përshëndetës, Ambasadori Zhang u shpreh se Gadishulli Ballkanik është një nga djepet e qytetërimeve të lashta më të ndritura në botë, ka kontribuar me një sistem unik ideologjik dhe ka pasuruar kulturën botërore. Ambasadori theksoi se është me rëndësi të madhe respektimi i diversitetit të qytetërimeve botërore, forcimi i trashëgimisë dhe inovacionit të qytetërimeve. Ambasadori Zhang tha se siç deklaroi presidenti kinez Xi Jinping në letrën e tij të urimit drejtuar Kongresit të parë Botëror të Sinologëve, “Shpresoj që sinologët, si lajmëtarë të qytetërimeve kineze dhe të huaja, do të bëjnë përpjekje më aktive për të komunikuar dhe përmirësuar kulturat përkatëse, mirëkuptimin, miqësinë dhe bashkëpunimin”.
U theksua më tej nga z. Zhang nevoja për t’iu përmbajtur miqësisë brez pas brezi dhe për të punuar së bashku për të ndërtuar një komunitet solidariteti dhe besimi reciprok. Duhet respektuar zhvillimi i përbashkët dhe promovimi i bashkëpunimit për të ndërtuar një komunitet solidariteti, tha ai.
Pjesëmarrës të konferencës
Duke iu drejtuar sinologëve, akademikëve dhe studiuesëve të Kinës në këtë event, z. Zhang u shpreh: “Punoni së bashku për të ndërtuar një komunitet që është larg konfliktit dhe gëzon paqen përgjithmonë; respektoni shkëmbimet dhe mësimin e ndërsjellë, praktikoni iniciativat e qytetërimit global dhe punoni së bashku për të ndërtuar një komunitet tolerant, të mësuarit të ndërsjellë dhe mirëkuptimit të ndërsjellë”.
Dekani i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, Ljupço Kocarev, në fjalën e tij tha se në kohën kur bota po përjeton ndryshime të shpejta, njerëzit po përballen me shumë sfida, dhe është e nevojshme të shikojmë përtej kufijve dhe qytetërimeve për të kërkuar bashkëpunim. Ai beson se filozofia e lashtë kineze përmban konceptin e një fati të përbashkët për njerëzimin, i cili mund të sigurojë frymëzim dhe udhëzim për shoqërinë moderne.
Drejtor i Qendrës Botërore të Sinologjisë Qingdao (pranë Universitetit të Gjuhës dhe Kulturës së Pekinit) Xu Baofeng tha se Ballkani ka tradita të pasura historike dhe burime kulturore të Sinologjisë. Institucionet akademike kineze të përfaqësuara nga Universiteti i Gjuhës dhe Kulturës së Pekinit kanë mbajtur shkëmbime të ngushta akademike dhe bashkëpunim me institucionet akademike në Ballkan. Vitin e kaluar, me mbështetjen e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, të dyja palët krijuan Qendrën e parë Kërkimore të Sinologjisë dhe Studimeve Kineze në rajon.
Akademiku Vitomir Mitevski tha se vitin e kaluar ishim dëshmitarë të lindjes së Qendrës Sinologjike të themeluar bashkërisht nga Qendra Botërore Sinologjike e Universitetit të Gjuhës dhe Kulturës së Pekinit dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, bazuar në qëllimin e përbashkët të shkëmbimeve kulturore dhe mësimit të ndërsjellë të qytetërimeve. Që nga themelimi i qendrës, ajo i është përmbajtur vizionit të njohurive të përgjithshme të Kinës, të kuptuarit e Kinës, krijimit të një komuniteti akademik sinologësh rajonalë, realizimit të vlerës së përbashkët akademike dhe promovimit të përbashkët të progresit akademik të Sinologjisë rajonale.
Konferenca zgjati tre ditë dhe ishte e ndarë në tre nën-forume, me fokus tema të tilla si “ndërveprimi kulturor”, “ndërveprimi gjuhësor” dhe “aspektet historike”. Pjesëmarrësit diskutuan dhe shprehën realitetet e vendeve të tyre në lidhje me studimet e Kinës, komunikuan në thellësi, shkëmbyen ide mbi dallimet dhe ngjashmëritë e tyre në fushat përkatëse dhe ofruan sugjerimet e tyre për zhvillimin e Sinologjisë dhe studimit të Kinës në Ballkan, ndërtuan një rrjet të ri komunikimi midis tyre për të intensifikuar dialogun dhe për të promovuar njohjen reciproke midis vendeve dhe qytetërimeve të tyre.
Shqipëria në Konferencën e Ohrit
Nga Shqipëria mori pjesë Instituti i Studimeve të Globalizimit (AIGS) me një prezantim të mbajtur nga Dr. Marsela Musabelliu. Kumtesa titullohej “Kur shkëmbimet intensive mes njerëzve lënë gjurmë në histori dhe shoqëri – rasti i marrëdhënieve Kinë-Shqipëri”.
Analiza e paraqitur nga Dr. Musabelliu, kishtë dy aspekte, një aspekt historik, dhe një aktual në bazë të një studimi të kryer në vitin 2021 nga Instituti AIGS.
Për dekada me radhe, Kina dhe Shqipëria kanë ruajtur një marrëdhënie të fortë dhe të gjatë bashkëpunimi. Shqipëria ishte një nga vendet e para që njohu dhe vendosi lidhje miqësore me shtetin e sapoformuar kinez, duke uruar dhe përqafuar shpalljen e Republikës Popullore të Kinës (RPK) më 1 tetor 1949.
Marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve u vendosën më 23 nëntor të po këtij viti. Në vitin 1961, Shqipëria dhe Bashkimi Sovjetik ndërprenë marrëdhëniet diplomatike. Kjo ndarje nga Moska përfaqësonte një realitet të vështirë për Shqipërinë pasi vendi ishte i vogël për nga territori, popullsia dhe shkalla ekonomike. Shkëputja e Shqipërisë nga Moska ishte e vështirë edhe për shkak të anëtarësimit të Shqipërisë në Paktin e Varshavës. Udhëheqësit shqiptarë i frikësoheshin ndërhyrjes ushtarake sovjetike, megjithëse përfundimisht kjo ndarje me Moskën nuk pati pasoja serioze në stabilitetin e vendit pasi u zbut nga ndihma kineze. Pas ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik, Kina u bë aleati i ri dhe i vetëm strategjik i Shqipërisë.
Janë nënshkruar shumë marrëveshje dhe protokolle asokohe për bashkëpunimin e dy vendeve në ekonomi, tregti, shkencë, arsim, art, kulturë dhe transportin ushtarak/detar.
Afrimi i parë i një delegacioni të nivelit të lartë shqiptar në territorin kinez ishte në vitin 1956, me atë rast Enver Hoxha kryesoi një delegacion në Kongresin e Tetë të Partisë Komuniste të Kinës. Pas mbërritjes në Pekin më 13 shtator 1956, Hoxha zhvilloi takimin e tij të parë (dhe të vetëm) me Mao Ce Dunin në mes të seancave të Kongresit të Partisë.
Marsela Musabelliu në konferencë
Origjina dhe forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve politike midis Kinës dhe Shqipërisë duhet të gjenden në interesat e përbashkëta të kohës dhe natyrisht në prirjet dhe ideologjinë politike. Bashkëpunimi midis Kinës dhe Shqipërisë u sanksionua nga dy dokumente kryesore: “Deklarata kino-shqiptare” e janarit 1964 dhe “Deklarata kino-shqiptare” e majit 1966. Të dy këto dokumente shprehnin vendosmërinë e të dy vendeve për të ndërmarrë një rrugë të bashkëpunimit të fortë dypalësh.
Nga viti 1954 deri në vitin 1978, Kina i dha përparësi Shqipërisë si marrës të ndihmës së huaj dhe asnjë vend tjetër në kohë paqeje nuk mori nga Kina një ndihmë të tillë ekonomike dhe ushtarake, në përpjesëtim me popullsinë.
Gjatë gjysmës së dytë të viteve 1960, bashkëpunimi midis Kinës dhe Shqipërisë arriti kulmin. Në këtë periudhë Shqipëria eksportonte në Kinë, ndër shumë të tjera, minerale kromi, lëndë djegëse nafte, bitum, bakër dhe duhan; ndërkohë Kina eksportonte në Shqipëri makineri, vegla, teknologji për industrinë, energjinë etj. Gjatë kësaj kohe, Planet Pesëvjeçare Shqiptare për ndërtimin e zonave industriale bazoheshin tërësisht në ndihmën kineze. Kjo përfshirje kineze në Shqipëri përbën më shumë se 150 projekte të ndryshme të shtrira në 24 vjet.
Ndër këto, më të rëndësishmet ishin Kombinati Metalurgjik në qytetin e Elbasanit, Kombinati i Traktorëve në Tiranë, Kombinati i Prodhimit të Tekstilit në Berat, Uzina e Rafinimit të Naftës në Ballsh, dy nga tre Hidrocentrale përgjatë Lumit Drin, Uzina Kimike në Fier, etj. Udhëheqësit kinezë zbatuan udhëzimin e kryetarit Mao: gjithçka do të kërkonin liderët shqiptarë, duhet dhënë.
Përveç bashkëpunimit në fushat sa më sipër një kënd të veçantë kishte kinematografia. Profesor Lu Xiaoning, shprehet se Popullariteti i jashtëzakonshëm që gëzonin filmat shqiptarë në Kinë nga mesi i viteve 1960 deri në mesin e viteve 1970 është një fakt i pranuar dhe krijoi një audiencë të madhe, e cila mori kënaqësi të jashtëzakonshme nga angazhimi me filmat shqiptarë. Më shumë se gjysmë shekulli pas futjes së kinemasë shqiptare në Kinë, imazhet e paharrueshme të nxjerra nga filmat shqiptarë, së bashku me përvojat e kujtuara të filmave të shikuesve kinezë, janë bërë burime të fuqishme të qasjes kulturore dhe nostalgjike, shpreht Lu.
Aleanca asimetrike kino-shqiptare e pati dukshëm manifestimin e saj në sferën e kulturës, si dhe në sferën politike e ekonomike.
Krahas bashkëpunimit të thellë politik, ekonomik dhe industrial, pati edhe një shkëmbim të rëndësishëm midis njerëzve, që la një ndikim edhe më të thellë në popullin shqiptar. Ekspertë të shumtë kinezë banonin në Shqipëri, ndërsa qindra shqiptarë udhëtuan drejt Kinës për t’u shkolluar. Kjo nxiti një histori të përbashkët dhe mirëkuptim kulturor që mbetet i dukshëm edhe sot e kësaj dite.
Në vitin 2021, Instituti Shqiptar për Studimet e Globalizimit kreu një anketë mbarëkombëtare të titulluar “Perceptimi i Kinës në Shqipëri” – me pjesëmarrjen e 1800 individëve.
Një nga pyetjet ishte: A keni dëgjuar ndonjëherë për bashkëpunimin dhe miqësinë dypalëshe të viteve 1960-70 mes Kinës dhe Shqipërisë?
Nëse po, cili është mendimi juaj dhe pse? Kjo pyetje pati 1115 komente.
Nga përgjigjet e kësaj pyetjeje u zbulua një pozitivitet i jashtëzakonshëm nga shqiptarët kundrejt Kinës, një nga tendencat më pozitive të dëshmuara në pyetësor. Me gati 80% të pjesëmarrësve që kanë dëgjuar për marrëdhëniet e kaluara, edhe brezat e rinj dinë shumë për to (librat e historisë dhe programet mësimore kanë patur ndikimin e tyre). Pjesëmarrësve iu kërkua të shtjellojnë më tej përgjigjen e tyre: cili është mendimi juaj (për këtë raport të së kaluarës) dhe pse – shumica dërrmuese (92%) kanë një pikëpamje pozitive për ato kohë dhe fjalën më të përdorur për të lidhur këtë situatë me perceptimin është se “Kina na ndihmoi”.
Nxitja e një kulture të njohjes së ndërsjellë dhe inkurajimi i shkëmbimit mes njerëzve është thelbësore për të fituar përvoja të vlefshme me Kinën dhe për të ruajtur kujtimet personale të së kaluarës, qoftë nga një perspektivë individuale apo komunitare. Ky sondazh zbuloi se Kina është e pranishme në diskursin dhe opinionin publik dhe tiparet e perceptimit nuk janë krijuar vetëm kohët e fundit, ose në disa vite, ato janë formësuar në këndvështrimin e dekadave, veçanërisht ato të ndërveprimit intensiv.
Politika mund të ketë kujtesë të shkurtër, por njerëzit jo! Shqiptarët do të veçonin ndihmën kineze në vitet 1960-1970 si të jashtëzakonshme. Qytetarët e një moshe të caktuar kujtojnë me vlerësim të lartë atë që fituan në ato vite (si përvojën, përmirësimin profesional, një punë të re, një komunietet më aktiv dhe më shumë të ardhura për shkak të prezencës kineze).
Në Shqipëri Kina është e ngulitur në kujtesën kolektive si një vend mik që ndihmoi në kohëra të vështira.
Nga vitet 60-70, kthehemi në vitin 2023 kur u shpall Iniciativa e Qytetërimit Global, propozuar nga Presideni Xi më 15 mars 2023, ku ai u shpreh:
“Vendet duhet të eksplorojnë ndërtimin e një rrjeti global për dialog…dhe të zgjerojnë rrugët e bashkëpunimit për të promovuar mirëkuptimin dhe miqësinë e ndërsjellë midis njerëzve të të gjitha vendeve, dhe së bashku të avancojnë përparimin e qytetërimeve njerëzore.”
Siç tregon kjo përvojë shqiptaro-kineze, kur shkëmbimet ndërpersonale nguliten në të dhënat e historisë dhe shoqërisë, ato shërbejnë si një kujtesë e qëndrueshme e ndikimit që ndërveprimet njerëzore mund të kenë në botën tonë./CRI