Kryeministri Edi Rama, gjatë asamblesë së Partisë Socialiste ka njoftuar dhe disa ndryshime në qeveri.
Kështu, Ministër i ri për Europën dhe Punët e Jashtme emërohet Ilgi Hasani, duke zëvendësuar Olta Xhaçkën në këtë pozicion. Ndërkohë, Ogerta Manastriliu largohet nga Ministria e Shëndetësisë, duke marrë drejtimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Ndërkohë, tek Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale emërohet Albana Koçiu.
Ashtu siç ishte paralajmëruar ndryshimet u bënë publike në Asamblenë Kombëtare të PS-së, të mbledhur pasditen e sotme (4 shtator 2023) dhe pritet që t’i përcillen nesër për tu dekretuar tek presidenti i Republikës Bajram Begaj.
Olta Xhaçka, Frida Krifca, Evis Kushi, Edona Bilali, Milva Ekonomi nuk do të jenë më në qeverinë e Ramës, ndërsa për Ogerta Manstirliun dhe Delina Ibrahimajn kemi një ndryshim të portofolit. Ata do të drejtojnë dy ministri të cilat deri sot drejtoheshin nga koleget e tyre.
Rama i beson Igli Hasanit, ish ambasador i Shqipërisë pranë OSBE-së në Vjenë, dhe aktualisht koordinator i kësaj organizate për Aktivitetet ekonomike dhe mjedisore postin e Ministrisë së Punëve Jashtme, në vend të Olta Xhaçkës.
Prej 1 shtatorit Shqipëria ka rimarrë për herë të dytë presidencën e Këshillit të Sigurimit dhe javën e ardhshme Xhaçka do të duhej të ishte në Nju Jork, për të drejtuar një sesion të Këshillit të Sigurimit, kushtuar një platforme të re të përgjigjes me ndihma himanitare, ndaj krizave të ndryshme në botë. Me ndryshimet e reja duket që Shqipëria do të përfaqësohet nga Hasani.
Ministrinë e Financave dhe të Ekonomisë ia besoi Evin Metes, i cili prej majit 2020 mbante detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe në periudhën 2013-2017 ishte zëvendësministër i Financave.
Delina Ibrahimaj, e cila mbante deri tani postin e ministres së Financave, me ndryshimet e reja merr drejtimin e Ministrit të Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesin, duke zevendësuar Edona Bilalin.
Ogerta Manastriliu dorëzon portofolin e Ministrisë së Shëndetësisë, dhe merr drejtimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të cilën e drejtonte Evis Kushi.
Në krye të Shëndetësisë emërohet Albana Koçiu, e cila mban aktualisht pozicionin e Drejtorit të Departamentit të Administratës Publike që prej vitit 2013. Në kabinetin qeveritar rikthehet Anila Denaj. Deputetja e Partisë Socialiste, e zgjedhur në qarkun Vlorë, në zgjedhjet e 2021 dhe që ka mbajtur postin e Ministrisë së Financave (dhjetor 2018 – shtator 2021) tashmë do të ketë portofolin e ministrisë së Bujqësisë, duke zëvendësuar në këtë post Frida Krifcën
Shkrihet ministria e Ekonomit, Arbi Mazniku në qeveri në krye të ministrisë së re
Kabineti qeveritar do të ketë dhe disa ndryshime të reja. Zgjedhjet vendore të 14 majit kanë nxjerrë në pah nevojën e krijimit të një dikasteri të ri që do të forcojë bashkëpunimin mes qeverisë qendrore dhe asaj vendore. Rama vendos të krijojë Ministrinë e Pushtetit Vendor të cilën ia beson Arbian Maznikut, nënkryetarit të bashkisë së Tiranës.
“Duke marrë parasysh se puna e bërë për standardet e shërbimeve është futur në një shtrat dhe nga ana tjetër ne na ka dalë qartësisht në pah, qoftë me zgjedhjet e fundit vendore dhe me sfidat e mëdha të pushtetit vendor në këtë fazë të re të zhvillimit, qoftë me sa fola më parë, nevoja për një koordinim në kohë reale mes qeverisë qëndrore dhe asaj vendore, nuk do kemi më një ministër për standardet e shërbimeve, do kemi një Ministër Shteti për Pushtetin Vendor dhe këtë funksion të ri në qeveri do ta mbulojë Arbian Mazniku’ argumentoi Rama.
Ndërsa është shkrirë Ministria e Shtetit për Standardet dhe Shërbimet.
Porosia: Mos bini në kurthin e pasurimit me djersën e të tjerëve
Rama bëri publike ndryshimet në qeveri në fund të fjalimit gati 90 minutësh në Asamblenë Kombëtare, në pjesë e mirë e të cilës I ishte dedikuar bumit turistik të këtij sezoni veror, Shqipërisë 2030 por dhe mbështetjes së SPAK në luftën e saj kundër korrupsionit në çdo nivel të pushtetit qëndror apo vendor. Ministrave u la dhe porositë
“Bëjeni pra punën tuaj me ndershmëri, me profesionalizëm, me përkushtim.
Mos ia bëni me hile shtetit.
Mos ia bëni me hile njerëzve.
Mos kini frikë nga gabimet e bëra duke punuar drejt dhe pastër, as nga vendimet e marra me drejtësi dhe pastërti për të mirën e vendit, për të mirën e komunitetit. Mos bëni faje nga ato me të cilat merret drejtësia edhe sikur të jeni të bindur që asnjëherë nuk do të merren vesh. Mos bini në kurthin e pasurimit me djersën e të tjerëve. Është haram që nuk bëhet kurrë hallall dhe pasardhësit nuk e kanë borxh që t’i shohin haramit, sherrin.
Mos i harroni dhe amanetet e të parëve.
Kujtohuni për fjalët e gjysheve, për porositë e prindërve kur i dëgjonim nga halli dhe jeni komplet në rregull me SPAK-un, me gjykatën speciale, me drejtësinë dhe me të gjitha ‘’tërli-vërlit’’ me të cilat jo ju të gjithë fatmirësisht, po disa prej jush rrokoanisin kokën e të tjerëve” tha Rama.
NDRYSHIMET NË KABINETIN QEVERITAR
-Ervin Mete, ministër i Ekonomisë dhe Financave
–Igli Hasani, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme
–Anila Denaj, Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
–Ogerta Manastirliu, Ministër i Arsimit dhe Sportit
-Albana Koçiu, Ministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale
-Delina Ibrahimaj, Ministër Shteti për Sipërmarrjen
–Arbi Mazniku, Ministër Shteti për Pushtetin Vendor
-Shkrihet ministria e Shtetit për Standardet dhe Shërbimet
Kryeministri njoftoi ndryshime edhe në Sekretariatin e kësaj partie.
–Ardjan Çela, Sekretari i Organizimit
–Eduard Ndreca, Sekretar i Burimeve Njerëzore
–Evis Kushi, Sekretare e Gruas
–Etjen Xhafa, Sekretar Dixhital dhe i Rinisë
–Romina Kuko, Sekretar i Marrëdhënieve me Jashtë
–Ardian Salianji, Sekretar i Çështjeve Zgjedhore
–Milva Konomi, Sekretare e Programit