Presidenja e Kosovës Vjosa Osmani është pritur me nderime të larta shtetërore në Tiranë, nga presidenti Bajram Begaj.
Në konferencën e përbashkët për mediat në selinë e Presidencës së Shqipërisë, Begaj dhe Osmani u fokusuan në bashkëpunimin mes dy vendeve, mbështetjen e Shqipërisë ndaj Kosovës, tensionet e fundit në veri të Kosovës dhe çështje të tjera.
Begaj: Shqipëria dhe Kosova janë dhe duhet të mbeten faktorë stabiliteti në rajon
Presidenti Begaj theksoi se Shqipëria mbështet fuqishëm aspiratat e Kosovës për integrim euroatlantik dhe shtoi se Shqipëria është proaktive për institucionalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me NATO-n.
Begaj tha se lidhur me bashkëpunimin ndërshtetëror, vëmendja kryesore u përqendrua në forcimin dhe thellimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik në të gjitha aspektet, duke shtuar se marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë janë shumë të mira.
“Karakteri strategjik i marrëdhënieve midis dy shteteve tona është me rëndësi të patjetërsueshme dhe me një rol unik për stabilitetin, sigurinë, zhvillimin e qëndrueshëm dhe perspektivën euroatlantike të gjithë rajonit. Kosova është një prioritet kombëtar i Shqipërisë. Kjo ka qenë e mbetet devizë e çdo shtetari në Shqipëri”, tha Begaj.
Ai theksoi se dialogu Kosovë-Serbi i lehtësuar nga BE-ja dhe i mbështetur sipas tij fuqishëm nga SHBA-ja është rruga e vetme drejt paqes e normalizimit të marrëdhënieve, si dhe të anëtarësimit të Kosovës në organizata rajonale dhe ndërkombëtare, përfshirë edhe OKB-në.
Begaj u shpreh se në kuadër të bashkëpunimit rajonal, Shqipëria dhe Kosova janë dhe duhet të mbeten faktorë stabiliteti në rajon dhe vende kontribuuese të rëndësishme për sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por jo vetëm.
Duke folur për situatën dhe tensionet e fundit në veri të Kosovës, Begaj tha se: “Vlerësova se pavarësisht provokimeve për të tensionuar situatën në komunat me shumicë serbe në veriun e Kosovës si dhe ndërhyrjeve hibride nga aktorë të tretë dashakeqës, duhet një koordinim më i ngushtë dhe më i mirë me parterët tanë kryesorë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe bashkimin Evropian”.
Begaj shtoi se askush nuk mund të vërë në pikëpyetje, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës si dhe të drejtën e saj për të zbatuar ligjet dhe kushtetutën e vendit.
Duke iu përgjigjur pyetje të gazetarëve për çështjen e kufizimit të zonave detare mes Shqipërisë dhe Greqisë, dhe lëshimit të autorizimit të tij në lidhje me grupin e ri negociator me Greqinë për marrëveshjen e re, Begaj tha se “Po shqyrtohet për të bërë të mundur që autorizimi që do të lëshohet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë, në përputhje të plotë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë (vendimi i vitit 2010 që anuloi marrëveshjen e mëparshme të nënshkruar), me ligjet shqiptare dhe ligjet ndërkombëtare”.
Kujtojmë se Shqipëria dhe Greqia janë dakorduar që t’i drejtohen drejtësisë ndërkombëtare për të zgjidhur çështjen e kufizimit të zonave detare mes dy vendeve.
Osmani: Kombi shqiptar ka qenë dhe vazhdon të mbetet faktor stabiliteti në rajon
Presidentja Osmani theksoi se kryefjala e vizitës sime është bashkërendimi për një strategji dhe veprim të unifikuar të politikës së jashtme.
Ajo tha se me presidentin Begaj diskutuan për të arriturat dhe sukseset e Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës, por edhe për sfidat që sipas saj, sfida të cilat duhet t’i tejkalojnë së bashku.
“Kosova dhe Shqipëria kanë një lidhje unike historike, kulturore e kombëtare që e bën bashkëpunimin tonë dhe lidhjet tona të forta dhe të pathyeshme. Përballë sfidave ne qëndrojmë të bashkuar duke u fokusuar në një qëllim: stabiliteti, prosperiteti dhe integrimi euroatlantik i vendeve tona. Kombi shqiptar gjithnjë ka qenë dhe vazhdon të mbetet faktor stabiliteti në rajon dhe me orientim të qartë euro-atlantik”, u shpreh Osmani.
Ajo theksoi se synim shtetëror dhe strategjik i Kosovës mbetet anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian si dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare.
Osmani thekoi se janë të vendosur për të kontribuar në funksion të paqes dhe stabilitetit dhe të mbrojnë së bashku vlerat të cilat sipas saj “po rrezikohen dhe atakohen nga Rusia dhe satelitet e saj në rajon”.
“Përderisa politika shtetërore e Serbisë vazhdimisht po e sfidon integritetin territorial të Kosovës dhe angazhohet në agresion institucional kundër Kosovës në baza të rregullta ne do të kemi nevojë për përkrahjen e Shqipërisë e po ashtu për përkrahen e aleatëve dhe partnerëve euroatlantikë. Nuk është situata në veri ajo që ka acaruar dialogun Kosovë-Serbi, është Serbia ajo që gjithnjë acaron situatën në rajonin tonë nëpërmjet sulmeve të njëpasnjëshme ndaj Kosovës. Nuk duhet të lejojmë që plani i Putinit të zbatohet nga Vuçiqi në Ballkanin Perëndimor”, tha ajo.
Osmani theksoi se dialogu me Serbinë është duke vazhduar, por shtoi ajo, natyrisht që rruga e vetme që sjellë paqe dhe stabilitet afatgjatë për gjithë rajonin është atëherë kur rezultati përfundimtar është njohja reciproke dhe ruajtja e integritetit territorial, sovranitetit dhe rendit kushtetues.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u prit sot në takim nga Kryeministri Edi Rama ndërsa ndodhet në Shqipëri për vizitë zyrtare dyditore me ftesë të homologut Bajram Begaj.
Pas takimit, Osmani shkroi në rrjetet sociale se me Kryeministrin Edi Rama pati një bisedë përmbajtësore rreth aspiratës së përbashkët evropiane të Kosovës dhe Shqipërisë.
Ajo publikoi momente nga takimi në Kryeministri.
Në takim ishin të pranishëm edhe Bledi Çuçi, Kryetar i Grupit Parlamentar të PS, Gazment Bardhi, Kryetar i Grupit Parlamentar të PD, Fatmir Mediu, Kryetar i Grupit Parlamentar “Aleanca për Ndryshim”, Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi dhe Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishi.
Kryetarja Nikolla nënvizoi se, Kosova është një prioritet kombëtar i Shqipërisë dhe bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë është strategjik, me rol unik për stabilitetin, sigurinë, zhvillimin dhe perspektivën euroatlantike të rajonit. Intensifikimi i bashkëpunimit mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës po kontribuon në përshpejtimin e integrimit të të dy vendeve në BE, të Kosovës në NATO dhe përfaqësimit të saj në organizatat ndërkombëtare.
Shqipëria do të vijojë të mbështesë e lobojë për pranimin e Kosovës në KiE dhe në organizata të tjera ndërkombëtare. Dialogu i mbështetur nga ShBA dhe BE është rruga e vetme drejt paqes. Shqipëria mirëpret vendimin për rifillimin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE. Në partneritet me aleatët tanë strategjikë ShBA dhe BE, Kosova fitoi luftën dhe me këtë partneritet do të fitojë edhe paqen.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, falenderoi Kryetaren Nikolla për pritjen e ngrohtë dhe e përgëzoi për bashkëpunimin shumë të ngushtë e produktiv me Kuvendin e Kosovës. Bashkëpunimi mes institucioneve të të dy vendeve duhet të rritet sidomos në fushën e politikës së jashtme, për të cilën duhet të përcaktojmë objektiva konkrete.
Kosovës i duhet mbështetja e Shqipërisë dhe koordinimi i dy vendeve na bën një zë më të fuqishëm në rajon dhe më të besueshëm të partnerët e miqtë tanë. Kosova ka qenë dhe do të jetë për vazhdimin e dialogut, mbështetur në rekomandimet e partnerëve tanë strategjikë, ShBA dhe BE, mbështetja e të cilëve lehtëson dhe afron realizimin e objektivave tona kombëtare.