Rritja e eksporteve shqiptare është një tjetër tregues në pararojë të objektivave të qeverisë.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjete sociale shifrat që tregojnë se eksportet shqiptare në zonën e CEFTA-s janë rritur.
Eksportet janë rritur nga 398 milionë euro në vitin 2018, në 686 milionë në vitin 2022 (+72%).
Sipas tij, kjo përbën një tjetër shembull të qartë të ngjitjes së Shqipërisë në një nivel të ri.
“Rritja e eksporteve shqiptare nga 398 mln euro në 2018, ne 686 mln në 2022 (+72%) në zonën e CEFTA-s, ku hyjnë gjashtë vendet e rajonit tonë plus Moldavia, përbën një tjetër shembull të qartë të ngjitjes së Shqipërisë në një nivel të ri, drejt majës ku synojmë të ngjitemi në 2030”, shkroi Rama.
Së bashku me vendet e rajonit, Shqipëria ka marrë masa për të bërë më të lehtë tregtinë mes vendeve, duke reduktuar kohën dhe procedurat doganore.
Në vitet e fundit, qeveria ka zbatuar planin kombëtar të veprimit për tregtinë dhe planin për zonën ekonomike rajonale. Veçanërisht me vendet pjesë e marrëveshjes për Tregtinë e Lirë në Europën Qendrore CEFTA, këto masa kanë sjellë rritje të shkëmbimeve tregtare të Shqipërisë, ku kryesojnë eksportet bujqësore.
Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore (CEFTA) u nënshkrua në Bukuresht më 19 dhjetor 2006 dhe filloi të zbatohet gjatë vitit 2007. Vendet që e zbatojnë ndërmjet tyre këtë marrëveshje janë Shqipëria, Mali i Zi, Kosova, Serbia, Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Moldavia. Me fillimin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje u liberalizuan plotësisht vetëm pas vitit 2014 kur të gjitha vendet pjesëmarrëse zbatuan Protokollin II shtesë të kësaj marrëveshjeje.