26 ministra të punëve të Brendshme nga BE me ftesë të qeverisë shqiptarë janë ulur në Tiranë në të njëjtën tavolinë në një ministetrial në kuadër të procesit të Berlinit.
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka publikuar detajet e konkluzionit të Ministerialit të Ministrave të Brendshëm të BE-së dhe Rajonit mbajtur sot në Tiranë në kuadër të Procesit të Berlinit me pjesëmarrjen 26 delegacioneve të nivelit të lartë.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Johannes Luchner, zv.drejtor i Përgjithshëm i DG Home, Balla deklaroi se Shqipëria ka rikonfirmuar vendosmërinë në luftën kundër krimit të organizuar i cili nuk na godet vetëm ne, por edhe vendet e BE-së
Balla nënvizoi se gjatë takimit është propozuar krijimi i forcave dhe ushtrimeve të përbashkëta për të luftuar aspekte specifike të kriminalitetit.
“Në fund të këtij takimi ne kemi bërë një thirrje për bashkëpunim më të fortë ndërkombëtar, në luftën kundër krimit të organizuar me parimin “Follow the Money”. Dhe kemi propozuar krijimin e forcave të përbashkëta dhe ushtrimeve të përbashkëta për të luftuar kundër aspekteve specifike kundër kriminalitetit. Kemi theksuar nevojën për standarde të sigurisë dhe rregullores së harmonizuar në fushën e sigurisë kibernetike dhe kemi propozuar bashkëpunim të ngushtë mes vendeve tonë për të mbrojtur infrastrukturën kritike nga kërcënimet kibernetike”, deklaroi ministri.
Ai shtoi se “ky takim ishte një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit dhe koordinimit të veprimeve tona kundër kërcënimeve të ndryshme që ballafaqojnë vendet tona dhe shpresoj që ky angazhim do të sjellë rezultate të dukshme dhe do të ndihmojë në rritjet e stabilitetit dhe sigurisë”.
Gjithashtu, Balla bëri të ditur lajmin se konferenca e radhës së Interpool në 2024, do të zhvillohet në Tiranë.
“ Në fund dua të ndaj me publikun edhe lajmin e mirë që na u njoftua nga sekretari i përgjithshëm i Interpolit që konferenca vjetore e radhës në 2024 për Europën e Interpolit do të mbahet në Tiranë”, tha ai.
Sipas tij, ky lajm i mirë tregon për besimin e partnerëve tek Shqipëria dhe autoritetet shqiptare
Zv.drejtori i Përgjithshëm i DG HOME Johannes Luchner përgëzoi sot Shqipërinë për arritjet në luftën kundër krimit të organizuar.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin e Brendshëm , Taulant Balla, Luchner, në përfundim të punimeve të Ministerialit të Ministrave të Brendshëm të BE-së dhe rajonit, bëri të ditur se lufta kundër krimit të organizuar mbetet përparësi për BE-në që do të thotë se do të vijojë të mbetet në qendër të programit politik të BE-së.
“Ne përgëzuam Shqipërinë dhe kolegët e ministrit Balla për arritjet. Shikojmë rezultate. Lufta kundër krimit të organizuar mbetet përparësi për BE-në dhe do të vijojë të jetë në qendër të programit politik të BE-së. Partnerët e BP janë aleatë tejet të rëndësishëm për bashkëpunimin në fushën e zbatimit të ligjit kundër krimit të organizuar”, tha ai.
Duke u ndalur te siguria kibernetike, Luchner bëri të ditur se vendet e Ballkanit Perëndimor do të mbështeten për të fuqizuar mekanizmat e menaxhimit të rreziqeve dhe të reagimit të shpejtë. Po ashtu, ai theksoi se BP do të mbështetet edhe përmes fondeve IPA të sigurisë kibernetike.
Zv.drejtori i Përgjithshëm i DG HOME, vlerësoi edhe propozimin e ministrit të Brendshëm, Taulant Balla për të pasur një mekanizëm rajonal të paralajmërimit të hershëm të rreziqeve.
“Duhet të fuqizojmë mekanizmat e tjerë të menaxhimit të rreziqeve dhe reagimit ndaj incidenteve për të marrë sinjale në kohë. Dialogu mes BP-së dhe BE-së do të vijojë në të gjitha çështjet edhe në Ministerialin e Shkupit, në tetor”, vuri në dukje Luchner.
Ai shtoi se bashkëpunimi rajonal gjithnjë e në rritje ndërmjet partnerëve të Ballkanit Perëndimor vazhdon të jetë përparësi thelbësore për Komisioni Europian.
“Çështjet që ju përzgjodhët sot janë të rëndësishme për këtë bashkëpunim. Vitin e shkuar ne diskutuam në formë intensive trysnitë në rritje migratore në rajon dhe që atëherë ne kemi parë një ulje të tyre”, tha Luchner.
Por, vijoi ai, vënia në zbatim e planit të BE-së për Ballkanin Perëndimor që u prezantua nga Komisioni Europian, në dhjetor 2022, solli uljen e trysnisë migratore në korridorin e Ballkanin Perëndimor për në BE, në 2023.
“Dy faktorë të rëndësishëm kanë sjellë rezultate pozitive. Së pari, partnerët e BP kanë pasur një përafrim më të mirë me politikën e BE. Dhe së dyti, dhe miratimi i marrëveshjeve të reja status me FRONTEX. Komisoni Europian pret që të gjithë partnerët e BP-së, të vijojnë përpjekjet e tyre për përafrimin e mëtejshëm të politikës së vizave me atë të BE gjatë gjithë këtij viti. Sa i përket FRONTEX, do të vijojnë marrëveshjet dhe nesër kemi nënshkrimin me Shqipërinë dhe na kanë mbetur edhe dy vende, Serbia dhe Bosnje-Hercegovina”, u shpreh zv.drejtori i Përgjithshëm i DG HOME.
/Argumentum.al