REALPOLITIK FLASH NR. 76
1 – 15 SHTATOR 2023
Mbi 6 ngjarjet kryesore diplomatike, shkurt dhe shqip, me vetëm 1.000 fjalë nga analisti i njohur, Mjeshtër i madh
Dr. JORGJI KOTE
1. Paqtim pa pajtim! Aq mundi të bënte Presidentja Vjosa Osmani gjatë vizitës në Shqipëri më 4 – 5 Shtator. Të paktën takime të qeta, pa gërvëre, me frymë paqtuese mbas traumave verore. Kjo u dëshmua në takimet me Presidentin Begaj, Kryeparlamentaren Nikolla dhe Kryeministrin Rama.
Me mesazhe të koduara me kujdes dhe pa iu referuar incidenteve verore midis dy kryeministrave, se « në shtëpinë e të varurit, nuk përmendet litari!” Mirë bëri, afrim dhe qetësim! Se sa për pajtim, ai është ende larg. Por « topi është në fushën e Tiranës » për të korrigjuar gabimet e verës, si draft-asociacioni dhe propozimi për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën, zhvillimi i mbledhjes së përbashkët qeveritare, mbi të gjitha, heqja dorë nga kursi pro-serb dhe rikthimi te bashkëpunimi tradicional me Kosovën, si përparësia jonë absolute në politikën e jashtme. Veçse jo duke « këmbëngulur si mushka » për qëndrimet e gabuara verore, duke folur « ex katedra » apo ca më pak me statuse në fb, por me hapa dhe veprime konkrete, diskrete, pa bujë dhe zhurmë mediatike, si dialogim midis vëllezërve.
2. »Autogol i Kurtit» ishte deklarata e panevojshme dhe e nxituar më 10 Shtator se Greqia është më pranë njohjes së Kosovës. Ndonëse e argumentoi këtë pritshmëri madhore me disa hapa pozitive greke, si ftesat për Kurtin, vizitat e ministrit të jashtëm grek në Prishtinë, aktivitetin e Zyrës Ndërlidhëse me Kosovën në Athinë, etj. Mirëpo të nesërmen pala geke e mohoi këtë profeci.
Duke e nxjerrë bllof Kurtin, i cili ende nuk e ka kuptuar se në diplomaci nuk dalin në pazar muhabetet e korridoreve apo qoftë dhe shenja të ndryshme. Ato mbeten në kanalet zyrtare, përpunohen derisa gjithçka të jetë gati për njohjen e Kosovës nga Greqia, që në fakt ka kohë që pëermendet dhe njoftohet, por pa rezultat deri tani. Kujdes, nga këto « autogola pa top » zoti Kurti!
3. Teatri veror ballkanik vazhdon! Në rubrikën e kaluar shpresuam se samitet dhe forumet rajonale, që janë katandisur thjesht në shfaqje të teatrit veror ballkanik do të mernin fund me mbarimin e sezonit. Gabuam! Më 11 Shtator e pati radhën Shkupi të mirëpriste Takimin Presidencial të radhës të Nismës së Brdo-Brionit. Ndonëse nismë sllovene-kroate, ajo tashmë është bërë lëvizëse në krejt rajonin, marketing i dobishëm për diplomacinë e atyre dy vendeve që nuk duan të mbeten mbrapa të tjerëve. I njëjti skenar, e njëjta skemë, i njëjti avaz dhe axhendë ; asgjë ere, veç refrenit të vjetër të mërzitshëm të cilin vështirë të ketë njeri që do ta dëgjojë.
Ca më tepër se nuk pati as ndonjë « të madh » nga Brukseli apo Uashingtoni, apo dhe ndonjë deklaratë bombastike si « gjah i mirë » mediatik, siç ndodhi në Bled me përrallën e rradhës nga Charles Michel « BE 2030 ! Gjynah që shpenzohen aq shumë fonde dhe kohë për këtë « turizëm politik » krejt të panevojshëm rajonal, thjesht për « talk and eating » dhe duke « mprehur lugën » për forumin e ardhshëm post veror.
4. Midis G – 7 dhe BRICS 11! Kështu mund të thuhet mbas përfundimit të Samitit të G – 20 në New Delhi më 9 – 10 Shtator. Me temat e njohura tashmë, por pa asnjë qëndrim të prerë dhe dënimit të agresionit rus ndaj Ukrainës. Me përjashtim të një fjalie për sovranitetin dhe integritetin territorial të vendeve, por pa e “vënë fare gishtin në plagë”! Zhgënjim i drejtë i Ukrainës, por diçka e pritshme mbas zhvillimeve më të fundit. G – 20 u zhvillua disa ditë mbas Samitit të ASEAN, ku 10 vende iu bashkuan BRICS lidhur me tentativat për dedollarizimin e ekonomisë së tyre dhe në përgjithësi bashkimit me BRICS kundër Perëndimit. Kur në Samitin e tij më 22 – 24 Gusht, 5 vendeve të mëdha ekzistuese të BRICS ( Brazil, Rusi, Indi, Kinë dhe Afrikë e Jugut) iu bashkuan dhe 6 vende të tjera të mëdha; ndërkohë që “ janë në rradhën e pritjes” dhe mbi 15 vende të tjera.
Kësisoj, BRICS me 11 vende futet si pykë midis G-7 Perendimore dhe G – 20, duke i sfiduar dhe rrezikuar seriozisht funksionimin dhe konsensusin e tyre; Shënojmë se ky ishte i dyti Samit ku nuk pati konsensus për temën qëndrore, atë të agresionit rus. Lajm i mirë për Putinin dhe Xi jinping dhe i keq për Perëndimin, të cilin pse të mos e themi BRICS i krijuar qysh më 2009 e ka kapur “ gafil”. Dakordësimi midis SHBA-ve, Indisë, Arabisë Saudite për ndërtimin e një rrjeti të madh hekurudhor ishte qetësues për Perëndimin, si kundrapeshë ndaj nismës gjigande kineze “ Një brez, një rrugë”. Por shumë pak për të dhe sukses diplomatik i Indisë.
5. Fjalim për fushatën 2024! Po, i tillë ishte fjalimi vjetor i Presidentes së Komisionit Europian më 13 Shtator në Strasburg, ku i kënaqi të gjithë, dhe Ballkanin ndonëse vetëm me premtime të përgjithshme. Nuk habit që fjalimi kaloi pa jehonë në politikën dhe median ndërkombëtare, siç pritej. Kjo ndodhi mbasi në fakt, Ursula von der Leyen foli kryesisht për vehten e saj; më konkretisht për synimet për t’u rikonfirmuar në këtë post në zgjedhjet europiane 2024 apo dhe si kanditaturë e mundshme në krye të NATO-s. Pra fjalimi “State of the Union” ishte kryesisht marketing politik personal me logon “ All is well me Ursulën”!
6. Dështimi i pritshëm rezultoi Takimi i shumëpritur në Bruksel më 14 Shtator midis Kryeministrit Kurti dhe Presidentit Vuçiç. Rregjizura europiane kishte shkrirë mjeshtërinë e vet për një rezultat pozitiv shpresëdhënës, qoftë dhe minimal. Edhe pse zhvillimet e deritanishme, sidomos qëndrimet serbe dhe përbetimet e saj për Kosovën nuk linin kurfarë hapësirë për ndonjë arritje. Pa u zgjatur në tematikat saj të njohura, e shohim me vend të përsëritim me zë të lartë, se BE-ja dhe SHBA-ja nuk kanë asnjë shans kështu si e kanë nisur. Pa ndryshuar qasjen me “ kërbaç” e jo “me kulaç” ndaj Beogradit dhe pa u treguar të drejtë, me më shumë “kulaç e jo kërbaç” për Prishtinën, pa asnjë premtim për njohjen e Kosovës dhe me asociacionin e frikshëm mbi Prishtinën, asgjë nuk mund të pritet në këtë dialog. E habitshme si BE-ja dhe SHBA-të nuk duan t’i kuptojnë paralajmërimet e shumta serioze se diplomacia e saj qetësuese ndaj Serbisë është e gabuar dhe e destinuar të dështojë, siç dhe po ndodh.
© 2023 Argumentum