Në të gjithë territorin nisi sot numërimi i popullsisë dhe banesave, një proces ky që do të shërbejë jo vetëm për të lexuar të sotmen. Por edhe për të zhvilluar të ardhmen e Shqipërisë.
Pyetësori përmban 8 module me rreth 100 pyetje.
Anketuesit që do të trokasin derë më derë dhe do të jenë me shenja dalluese të zyrtarizuara dhe do të jenë të njohura nga qytetarët.
Në rastet kur familjari nuk gjendet në banesë stafi është i trajnuar të vizitojë familjen deri në 3 herë. Pas vizitës së parë anketuesi do të lërë një shënim në derën e familjarit ku do të informojë për vizitën e tij.
Do të përsëritet dhe herën e dytë dhe herën e tretë anketuesi do të lërë numrin e tij të telefonit dhe do i kërkojë familjarit ose të vijë pranë zyrave të censit që janë të ngritura në të gjithë territorin e Shqipërisë, ose të lërë një orar në mënyrën që anketuesi të shkojë në orarin që ai gjendet në banesë.
Anketuesi do të drejtohet në banesë të paktën 3 herë në kohë të ndryshme.
Pyetësori ka një modul ku pyeten anëtarët e familjes nëse kanë anëtarë që jetojnë jashtë. Merret informacion kur është larguar, shteti ku është larguar dhe arsyeja pse.
Në pyetësor është një modul që i referohet dhe vizitorëve që mund të ndodhen pranë familjeve tona në ditën e censit apo të gjithë anëtarëve të familjeve që gjatë periudhës së 2 censeve kanë lëvizur jashtë vendit.
Në pyetësor duhet të përfshihet cilindo që është banor i zakonshëm në Njësinë Ekonomike Familjare (NJEF) që po numërohet. Këtu mbahen parasysh anëtarët e NJEF, shokët e dhomës, fëmijët kujdestarë dhe miqtë që zakonisht banojnë aty të cilët ndajnë një ekonomi pjesërisht ose plotësisht të përbashkët.
Duhet të përfshijë gjithashtu njerëz që, për shembull, janë përkohësisht në spital ose jashtë vendit për një periudhë më pak se 12 muaj, por që normalisht jetojnë me ju.
Duhet të renditen gjithashtu personat që vizituan këtë NJEF gjatë natës së Censit dhe ish-anëtarët e NJEF të cilët u zhvendosën jashtë vendit në dhjetë vitet e fundit.
Për qëllimet e Censit, “shtëpia” e një studenti është vendi ku ai/ajo jeton ndërsa ndjek universitetin. Nëse studentët nuk jetojnë në shtëpinë e prindërve të tyre shumicën e kohës, vendi i duhur për t’u numëruar është në qytetin ose vendin ku jetojnë ndërsa ndjekin universitetin.
Është detyra qytetare e çdo personi të marrë pjesë në Cens. Sipas ligjit, çdo person, i cili në peridhën që do të kryhet Censi është banor i zakonshëm brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, është i detyruar të sigurojë informacionin e kërkuar në pyetësorët e Censit, në një mënyrë të plotë, të saktë dhe të besueshme. Përjashtimet e vetme janë pyetjet në lidhje me identitetin etnik, fenë dhe gjuhën, për të cilat mund të zgjidhni opsionin “Preferoni të mos përgjigjeni”.
Qytetari që nuk i përgjigjet pyetësorit ka penalitete, por vetëm nëse janë bërë të gjitha përpjekjet nga ana e stafit të INSTAT. Nëse pas tri vizitave nuk do të pranohet t’u përgjigjet pyetjeve dhe nuk u hapet dera anketuesve, parashikohen penalitete për ata që nuk pranojnë të japin përgjigje, apo që japin përgjigje të rreme.
Refuzimi për të dhënë informacionin e kërkuar ose dhënia e informacionit të rremë, sipas nenit 5 të këtij ligji, me gjobë nga 50 000 (pesëdhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë.
Censi i vitit 2023 nuk do të kërkojë: shumat e të ardhurave të NJEF; numrat e llogarisë së bankës ose kartës së kreditit; para ose dhurime; çdo gjë që ka të bëjë me partitë politike.
Një ligj i rreptë mbron konfidencialitetin e informacionit tuaj të Censit. Është në kundërshtim me ligjin që çdo punonjës i INSTAT-it ose anëtar i stafit të terrenit të zbulojë ose publikojë çdo informacion të Censit që identifikon një individ. Punonjësit e INSTAT respektojnë rreptësisht parimin e konfidencialitetit statistikor, për të trajtuar të dhënat me përgjegjësi dhe për të mbajtur private informacionin e të anketuarve. Të dhënat e mbledhura mund të përdoren vetëm për qëllime statistikore, që do të thotë se informacioni individual nuk mund të identifikohet. INSTAT ka një program të fuqishëm që përfshin praktikat më të mira ndërkombëtare dhe standardet e sigurisë për kriptimin e të dhënave.
Censi kryhet një herë në 10 vjet dhe synon t’i sigurojë Parlamentit, qeverisë, autoriteteve lokale dhe shoqërisë civile një informacion të besueshëm statistikor i nevojshëm për planifikimin dhe zbatimin e politikave të përgjithshme të zhvillimit, për kërkime shkencore, si dhe për të kuptuarit të realitetit demografik, ekonomik dhe shoqëror të vendit
Menjëherë pas procesit të grumbullimit të informacionit për Censin kryesor INSTAT do të organizojë një anketë tjetër që do të shërbejë për matjen e cilësisë së të gjithë procesit. Vrojtimi do të jetë prej 3 javësh në terren dhe do të vijojë deri në dhjetor. Pra deri në dhjetor do të jenë në procesin e grumbullimit të të dhënave dhe cilësisë së grumbullimit të të dhënave por dhe të kryerjes së procesit. Në janar nis përpunimi i të dhënave. Në qershor përgatitet publikimi dhe lancohen rezultatet e Censit.
Pyetësori i INSTAT-it për Censin 2023
https://www.instat.gov.al/media/12433/pyetesori-cens-2023-shqip.pdf