106 vitet e shtetit shqiptar e gjetën vendin të copëtuar e të ndarë ndërmjet veti. Pothuajse të gjithë udhëheqësit tanë përgjatë një shekulli, na i vendosën në krye të qeverisë shqiptare armiqtë e këtij vendi. Ne nuk u pyetëm. Nuk kishim fuqi ta ndalonim këtë gjë. Fjala jonë nuk dëgjohej nga askush. Një popull i lashtë, që kërkonte për herë të parë organizimin e mirëfilltë të shtetit modern, gjendej përpara një fortune, e cila edhe sot ka lënë pasojat e veta. Shteti u formua. U shpall pavarësia e shenjtë. U vendos themeli kombëtar për ruajtjen e identitetit të popullit të lashtë të Gadishullit Ilirik. Ishte një shpresë që e formuan rilindasit tanë, duke na ngacmuar ndjenjën kombëtare deri në bërthamat më të thella të qelizave tona. Po çfarë ndodhi realisht? A luftuam për këtë shtet që kemi sot?
Shkrimi im më shumë do të jetë kritik sesa oportunizues dhe më shumë sintetizues sesa analizues. Më shumë do mundohem të fokusohem vetëm në dy dekadat e fundit të politikbërjes së shtetit shqiptar, duke ndërmarrë paralelizma mes së shkuarës dhe së tashmes. Çfarë po ndodh me shqiptarët? Pse po boshatiset vendi?
Në fillimin e shekullit XX Shqipëria do të krijonte shtetin e vetë. E në vend që të ndihmonim njëri-tjetrin, ne e luftuam njëri-tjetrin. Nga Shkodra e deri në Vlorë “udhëheqësit” kishin qëllime diametrikisht të kundërta. Esat Pasha donte të ishte udhëheqës i Shqipërisë e të njëjtën gjë donte edhe Ismail Qemali. Ata kurrë nuk bashkëpunuan, sepse interesi nuk ishte i njëjtë. Të njëjtën situatë kishin dhe pasardhësit e tyre politik. As Fan Noli e Ahmet Zogu nuk gjetën kompromis për të bashkpunuar për të mirën e atdheut dhe shqiptarëve. Edhe këtu interesi për karrige pengonte bashkëpunimin ndërmjet tyre. Pushteti ishte mbi interesin kombëtar. Përplasjet ishin të forta. Shqiptarët ende rronin me shpresë. E gjithë kjo periudhë ishte para dhe pas Luftës së I Botërore. E për të mos e zgjatur shumë, mbarimi i Luftës së II Botërore ishte momentum shumë i veçantë për njerëzimin, por për Shqipërinë do fillonte një luftë edhe më e egër, më e pamëshirshme e ndoshta edhe më shkatërrimtarja e të gjitha kohërave – lufta komuniste për pushtet.
Shqipëria 1945-1990 mohoi çdo vlerë europiano-perëndimore, futi në një krizë të paimagjinueshme vendin e vetë dhe “burgosi” Zotin me ligj. Izoloi tërësisht vendin. Vrau dhe internoi të gjithë njerëzit që nuk pajtoheshin me pushtetin komunist. Kjo është periudha më e errët e historisë së Shqipërisë. Atë që nuk e bëri dot asnjë pushtues, e bëri shqiptari vetë! Kjo ishte streha e totalitarizmit.
Për të ardhur tek periudha pas viteve 1990 e deri në ditët e sotme. Ishin studentët që ndezen flakadanët e rilindasve tanë duke kërkuar që ta bënin Shqipërinë si “Evropën”, ato zëra sot janë shuar. Një pjesë e atyre njerëzve janë të nëpërkëmbur, të mohuar, të pambrojur dhe një pjesë edhe ka ikur përgjithmonë nga Shqipëria. Pra, vetëm 28 vjet më pas, shqiptarët duan të ikin nga vendi i vet. Shqiptarët ikin nga vendi i vet. Po pse ndodh e gjithë kjo? Do përpiqem të jap disa shpjegime që mendoj se kanë krijuar këtë situatë tejet të pafavorshme për shqiptarët.
1. Familja. Totalitarizmi arriti të ndryshojë strukturën e familjes në Shqipëri. Kjo për shkak të shkatërrimit të familjeve më të mira, internimeve, burgosjeve dhe vrasjeve. Këto kanë qenë pengesë serioze që shoqëria shqiptare brenda kufijve të arrinte të ruante vlerat më të larta brenda familjeve të tyre. Pasojat ndihen edhe sot, e ndoshta janë edhe të pashërueshme;
2. Arsimi. Në dy dekadat e fundit filloi një marketing i ri duke hapur universitete të ndryshme. U hapën “universitete” në formë të “dyqaneve”. Nuk ishte kriter se kush do prodhonte cilësi, por kush do prodhonte sasi. Pra, cili pronar do gjeneronte më shumë të ardhura. Kjo e dëmtoi rininë e këtij Kombi. E verboi për të paktën disa gjenerata. Ata morën diploma nga “universitetet” që sot janë mbyllë e nuk njihen më. Cili krim mund të ishte më i madh se ky për të ardhmen e një kombi të tërë? Çfarë të bëjmë me ata ish-studentë që kanë kaluar të tridhjetat, duan të krijojnë familje, por nuk munden nga kushtet tej mase të vështira ekonomiko-sociale?
3. Drejtësia. Gjyqtarë e prokurorë të korruptuar, të lidhur me krimin dhe kriminelët më të mëdhenj të Shqipërisë. Gjyqtarë që kanë paguar dhjetëra e qindra mijëra euro për të marrë postet në pushtetin gjyqësor, jo për të sjellë drejtësinë, por për t’u bërë të pasur në kurriz të atyre që u është mohuar drejtësia. Këta janë përfaqësuesit më të mëdhenj të dimensioneve më të ulëta të personalitetit njerëzor. Drejtësi e mbytur. Njerëz që sorollaten nëpër korridoret e gjykatave të ndryshme të Shqipërisë për të kërkuar drejtësinë, ndërkohë që këta “gjyqtarë e prokurorë” fortifikuan dhe vulosën padrejtësitë më të mëdha ndaj popullit shqiptar brenda kufijve administrativë. Këta gjyqtarë meritojnë të gjykohen nga Gjykata speciale dhe ligje speciale të hartuara posaçërisht për ta. Ashtu sikurse në shtete të ndryshme u krijuan gjykata të posaçme për të gjykuar autorët e krimeve më monstruoze të shekullit. Ky popull dhe ky vend nuk ka për të gjetur kurrë qetësi e rehati pa fituar të drejtat e veta. Në këtë vend, viktima u viktimizua përsëri!
4. Shëndetësia. Më e dobëta në Evropë. Mjekë që betohen për punën që do bëjnë mbi “Betimin e Hipokratit” dhe pas këtij betimi, sikur të ishte thjeshtë një tallje, fillon pasurimi i tyre duke iu marrë lekë pacientëve që vijnë në vizitë mjekësore ose kanë nevojën e ndërhyrjeve kirurgjikale. E sikur të mos mjaftonte kjo, iu japin edhe ilaçe të skaduara, duke e mbytur pacientin në çdo mënyrë!
5. Prona. Në Shqipëri, Ligji nr. 7501 “për kthimin dhe kompensimin e pronave”, është ligji me të cilin u fundosën “ndoshta përgjithmonë” pronat e shumë pronarëve në Shqipëri. Për çfarë shteti mund të flasim ne kur shteti nuk iu siguron të drejtën e pronës pronarëve? Për çfarë mirëqenieje mund të flasim kur pronarët nuk kanë të drejtë të gëzojnë, posedojnë dhe disponojnë pronat e veta? Sa vendime ka dhënë GJEDNJ-ja kundër Shqipërisë? Sa miliona e miliona euro paguajmë për shkak të atyre pak njerëzve që hartuan këtë “ligj”? Ku pronarëve të vërtetë u janë marrë pronat nga “bosët e krimit” dhe kanë krijuar mbivendosje pafund mbi pronat e tyre, duke dalë prona me mbi 2 e më shumë pronarë!
Politikanë të caktuar premtuan se do hapnin 200 mijë vende të reja pune, kurse dikush tjetër më vonë premtoi se do hapte 300 mijë vende të reja pune. Është e vërtetë se janë hapur mbi 300 mijë vende pune, por jo në Shqipëri, por në shtetet e ndryshme të Perëndimit. U hapën për shkak të migrimit të shqiptarëve. Shqiptarët ikën nga vendi i vet. Eksodi biblik u përsërit me shqiptarët. Më keq se sa të ishin në luftë, brenda 4-5 viteve të fundit, mbi gjysmë milioni shqiptarë kanë ikur nga vendi i vet. Shumë fshatra duken si fantazma. Poashtu, ka edhe qytete që duken si fantazma – pa banorë, me shtëpi të mbyllura, asnjë zë nuk dëgjohet në vend!
Politika, për të ruajtur karrigën e vetë, është në gjendje që edhe sot pas 106 vjetësh të falë toka Shqipërie – tokë dhe ujë. Për çfarë “politikanësh patriotë” flasim? Ku është dinjiteti i përfaqësuesëve të popullit? Cili na qenka vizioni i tyre?
Me njerëz me diploma të blera, me profesorë të korruptuar, me pedagogë që janë të përfshirë në trafikime ndërkombëtare, me pedagogë që kanë marrë tituj e grada me miq në dëm të interesit kombëtar! E me të tjerë që nuk mund të fillojnë doktoraturën. Me drejtësi të mbytur deri në fund nga korrupsioni. Me njerëz djallëzorë që vrasin çdo shpresë njerëzore. Me politikanë që kanë qenë aktorët kryesorë në epokën totalitariste e që për fat të keq na udhëheqin edhe sot. Me “shëndetësi” që vret individin dhe e mbyt! Me politikanë që kanë ardhur në pushtet duke vjedhur e duke u vetëpasuruar në dëm të interesit kombëtar, e sikur mos të mjaftonte gjithë kjo humnerë, tallen edhe më hapur me këtë “popull” duke ia shpallë këtë vit si vitin e “Gjergj Kastriotit”. E shpallin politikanët, kurse gurët e kalave vidhen për të bërë vila e pallate!
Duke patur këto fakte, që nuk janë tjetër vetëm një pikë uji në oqeanin e tmerrshëm që vërshon mbi Shqipërinë tonë të dashur, shtrohet pyetja: si mund të qëndrojnë shqiptarët në këtë vend më tej? A ka ndonjë shpresë për ta?
Është e vështirë të jepen sygjerime në këto rrethana ku shumica vuan për gjëra themelore të jetesës. Shumica e këtij populli është në varfëri ekstreme. Por secili nga ne duhet të fillojë të reflektojë mbi veten e vet. Mund të ndryshojmë veten duke pranuar parimin e mirënjohjes dhe të solidaritet që na mungon si shoqëri. Të fillojmë nga vetja jonë. Të bëjmë marrëveshje me veten tonë që nuk ka forcë e errësirës që na kontrollon më duke na bërë bijë të anti-njeriut. Ta duam vendin tonë dhe ta duam shqiptarin kudo që të jetë. Të ndihmojmë njëri-tjetrin. Të solidarizohemi me njëri-tjetrin. Të fillojmë të rregullojmë krevatin tonë kur të zgjohemi, sepse nëse e gjithë dita ikën ters, të paktën në mbrëmje atë krevat do e gjejmë të rregulluar. Të kërkojmë mëshirën para Zotit për burgosjen e padrejtë që i bëmë në kohën e totalitarizmit. Ta duam Shqipërinë. Atë Shqipëri që na e lanë Atë Gjergj Fishta, të gjithë rilindasit kombëtar, françeskanët martirë e të gjithë ata njerëz që derdhën gjak e djersë për të bërë Shqipërinë tonë.
Ditët e fundit dëgjohen zëra ndërkombëtare për të pajtuar politikanët dhe partitë e mëdha në Shqipëri. Jam kundër këtyre zërave. Duke i pajtuar të njëjtit politikan, do të mbysim çdo frymë të drejtë në këtë vend dhe nuk do u japim mundësi gjeneratave të reja që të përfshihen në politikë. Perëndimi duhet të mendojë për të zavëndësuar klasën e vjetër dhe të gjejë mundësinë e përfshirjes së shqiptarëve të tjerë në skenën politike të cilët çdo ditë kanë kontribute të jashtëzakonshme në këtë vend. Ne jemi larg nga shembulli austriak kur për një inçizim, rrëzohet qeveria. Ne na duket sikur jemi në një planet tjetër, që politikanët tanë jo vetëm që nuk mendojnë për dorëheqje, por pasurohen çdo ditë në kurriz të këtij kombi. Demokracia partiake nuk ekziston në Shqipëri e as në Gadishullin Ilirik. Prandaj, inkurajoj përkrahjen nga ana perëndimore e njerëzve të rinjë në politikë, në mënyrë që mos të vazhdojë eksodi i boshatisjes së vendit.
Do të flas, do të ulëris deri sa tokën ta dridhi,
Edhe nëse litarin në qafë të ma lidhin!
*Pedagog , Universiteti Europian i Tiranës
© Argumentum