Editorial
Bullgaria, një shtet anëtar i Bashkimit Europian, në emer të vlerave europiane shantazhon në bllokimin e integrimit europian të shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Pikërisht si anëtare e BE, Bullgaria përdor veton e saj për interesa politike duke cënuar drejtpërdrejtë vende si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Ndonëse dihet përplasja historike-kulturore Bullgari-Maqedoni e Veriut, ku Bullgaria jo vetëm është bërë pengesë kryesore e rrugëtimit europian të shtetit maqedon, por edhe shkak i krizave politike të brendshme të këtij vendi, tashmë një tjetër vend që preket nga egoja bullgare, është Shqipëria.
Bullgaria e cila gjithashtu ka një qeveri të paqëndrueshme, me disa zgjedhje politike të njëpasnjëshme, në pamundësi për tu ofruar qytetarëve të saj alternative ekonomike, politike për mirëqenien e tyre, i mbush me retorika nacionaliste duke e përqëndruar politikën e tyre përtej kufijve bullgar.
Megjithatë, në këtë artikull nuk do ndalemi të marrëdhënia e drejtpërdrejtë Bullgari-Maqedoni e Veriut, por të rruga e tërthortë që po ndjek Bullgaria kundër qytetarëve maqedonas duke përdor Shqipërinë si “fushë mejdani” për asimilimin e tyre.
Ky plan ka nisur që ditën ky Bullgaria u anëtarësua në Bashkimin Europian në 2007.
Me qëllim që të sigurojnë një jetë më të mirë në vendet e Bashkimit Evropian, mijëra qytetarë maqedonas, çdo vit aplikojnë për të marrë pasaportë bullgare dhe largohen nga Maqedonia e Veriut drejt BE-së. E njëjta skemë ka depërtuar për minoritetin maqedonas në Shqipëri.
Fatkeqësisht as Qeveritë ndër vite në Maqedoninë e Veriut, as Tirana Zyrtare, madje as Bashkimi Europian nuk morën masa për këtë aferë që Bullgaria po bënte me dhënien e pasaportave bullgare (tashmë të europianizuar).
Të gjithë aktorët e mësipërm heshtën ndër vite, duke iu nënshtruar ndikimit të butë të Sofies zyrtare e cila prej vitit 2007 e deri sot ka bullgarizuar çdo qytetar maqedonas duke iu afruar një pasaportë europiane.
Edhe në Shqipëri, ndonëse nuk kemi nje vijë kufitare me Bullgarinë, kjo e fundit ndër vite ka pretenduar për pakicë bullgare në vendin tonë.
“Nga viti 1945 deri në vitin 2011, që është censusi i fundit, nuk ka pakicë Bullgare të identifikuara përveç pakicave që listohen në këtë ligj”.
Por Bullgaria gjeti një moment kyç për të zyrtarizuar minoritetin bullgar. Në vitin 2017 ajo përdori të gjitha mekanizmat duke detyruar Tiranën zyrtare të përfshinte në projektligjin për minoritetin, edhe Minoritetin bullgar.
“Projektligji për pakicën bullgare, erdhi pas letrës zyrtare të dërguar nga Parlamenti Europian, ku binte në sy gjuha e presionit, pasi në disa paragrafë të saj thuhet: “ju kërkojmë ta bëni me mirësi”. “Si anëtarë të Parlamentit Europian ne do të donim t’ju kujtonim me mirësi, se raporti i progresit vjetor të Shqipërisë, i votuar nga PE më 15 shkurt 2017, neni 24, bën thirrje për sigurimin e të drejtave të etnisë bullgare në Prespë, Gollobordë dhe Gore.
Projektligji ngjalli menjëherë reagime të shumta të Sofies zyrtare, reagime të cilat duket se e gjetën të papërgatitur politikën shqiptare. Vetëm një javë pas diskutimit me grupet e interesit, deputetët e të gjitha krahëve politike, zgjodhën të mos marrin parasysh faktet historike të paraqitura, por t’i bindeshin presionit të Sofies zyrtare, nëpërmjet Parlamentit Europian.
Bindje e cila erdhi disa muaj përpara se Bullgaria të marrë Presidencën e radhës së BE-së.
E pra duke qene se Bullgaria është shtet anëtar në Bashkimin Europian dhe një vit më vonë në vitin 2018 do të merrte Presidencen e radhes të BE-së, e vuri Shqipërinë para një shantazhimi real për të ardhmen e saj në BE.
Kështu, në vitin 2017, me miratim të Parlamentit Shqiptar, pakica bullgare për herë të parë u përfshi në kushtetutën e Shqipërisë, duke u njohur si minoritet. Ky minoritet është një nga 9 komunitetet minoritare në vendin tonë.
Shqipëria duke besuar se Bullgaria do të rriste perspektivën e antarësimit së saj në BE i dhuroi një minoritet. Sigurisht as pas kësaj dhurate Shqipërisë nuk iu hapen negociatat .
Ky është një fakt për bullgarizmin e Ballkanit, është një fakt për format shantazhuese dhe kërcënuese që përdor qeveria bullgare në kurriz të vetë Europës dhe në emër të Europës.
Presioni bullgar ndaj Tiranës zyrtare vijon ende sot
Në të gjithë territorin nga 18 shtatori nisi numërimi i popullsisë dhe banesave, një process që do të zgjasë deri më 30 tetor. Ekipet e INSTAT do të mbledhin të dhënat për regjistrimin e popullsisë dhe banesave, në zbatim të nenit 6 të ligjit nr.140/2020 “Për Censin e Popullsisë dhe Banesave”.
Këto të dhëna do të sigurojnë një panoramë të gjendjes aktuale të popullsisë së Shqipërisë në 2023.
Mbi të gjitha, ky census ka zgjuar një vëmendje të veçantë për komunitetin minoritar maqedonas dhe atij bullgar (sipas vendimit të vitit 2017).
Pikërisht Censi i popullsisë në Bashkinë minoritare të Pustecit prodhoi përplasjen e parë diplomatike.
Dy ditë nga nisnja e Censit, në qytezën e Pustecit mbërriti ambasadori i Bullgarisë në Tiranë, Ivaylo Kirov. Diplomati dhuroi barna e medikamente në dy qendrat shëndetësore të Pustecit.
Kirov nuk pranoi t’u përgjigjet pyetjeve të gazetareve mbi motivet e vizitës, por jashtë kameras tha se nuk po ushtron asnjë lloj presioni ndaj popullsisë që të vetëdeklarohen si bullgarë. Edhe pse vizita e tij në Pustec zhvillohet në ditën e tretë të Censit, Kirov tha se Bullgaria nuk lufton për numra dhe kushdo është i mirëpritur për të shprehur etninë.
Vizita e diplomatit bullgar në Pustec, nxiti reagimin e ashpër të partisë së minoritetit maqedonas. Eftim Mitrevski, nënkryetari i Partisë Aleanca Maqedonase për Integrim tha se Bullgaria po bën presion ndaj minoritetit maqedonas në Pustec.
“Është krejtësisht jo normale, është perzierje në punët e brendshme të këtij shteti si vizitë e ambasadorit ashtu dhe nënpresidentes bullgare. Ajo duhej përzënë nga Shqipëria, duhej dhënë ultimatum, duhet të linte shtetin shqiptar dhe të dilte jashtë kufijve të Shqipërisë. Si e lejon shteti shqiptar që personalitete të tilla në kohën e Censit të ushtrojnë propagandë këtu, ne jemi qytetarë shqiptarë, mbushim mot 100 vite që ky shtet shqiptar na ka njohur, me institucione, në asnjë dokumente të shtetit shqiptar nuk figuron bullgar. Vizita e ambasadorit bullgar është krejtësisht e gabuar”, tha ai.
Pusteci njihet ligjërisht si zona ku banon minoriteti maqedonas. Mësimi në arsimin fillor zhvillohet në dy gjuhë shqip dhe maqedonisht. Ndërsa bashkia drejtohet nga Pali Kolefski, i Partisë “Aleanca Maqedonase për Integrim”, që fitoi zgjedhjet lokale në koalicion me PS-së. Ndërsa duhet theksuar se vitet e fundit, disa banorë të zonës së Prespës së Madhe kanë përfituar pasaporta bullgare, duke u vetëdeklaruar me etni bullgare. Ende nuk ka një numër të saktë për bullgarët që jetojnë në Pustec, ndaj dhe Censi i këtij viti dhe shifrat që do të prodhojnë shqetësojnë si Bullgarinë ashtu dhe Maqedoninë e Veriut.
Në Bashkinë e Pustecit, sipas Censit të 2011 jetojnë 3300 banorë. Minoritarët maqedonas në zonën e Prespës së Madhe, shpesh herë janë vetëdeklaruar si bullgarë për të marrë pasaportë e këtij vendi.
Ndërkohë nga Censi që po kryhet aktualisht pritet të ketë një pasqyrim real mbi numrin e popullsisë dhe etnitetet në këtë zonë.
Nga ana Maqedonisë së Veriut, nëpërmjet Ministrisë së Jashtme duhet theksuar se ka patur një reagim tejet europian, duke mbështetur regjistrimin e popullsisë dhe duke inkurajuar të gjithë qytetarët maqedonas në Shqipëri që lirisht të shprehin përkatësinë e tyre etnike, gjuhësore dhe fetare, në përputhje me me rregullimin ligjor dhe praktikën pozitive demokratike në Republikën e Shqipërisë.
“Shqipëria është e njohur në mbarë botën për shoqërinë e saj multietnike dhe multikulturore, në një mënyrë që u arrit në Maqedoninë e Veriut, e cila përfaqëson një trashëgimi autentike politike dhe kulturore të paçmuar. Duke e njohur rolin e maqedonasve si qytetarë besnikë të Shqipërisë, regjistrimi i ardhshëm do t’i lejojë ata të shprehin lirisht identitetin e tyre, duke konfirmuar kështu përkatësinë e tyre etnike, gjuhësore, fetare dhe identitare”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut.
Por kur bëhet fjalë për Bullgarinë, ata mundohen ta shfaqin në çdo rast epërsinë e tyre politike mbi Ballkanin Perëndimor me faktin e vetëm se janë anëtar të Bashkimit Europian. Kjo për fat të keq iu jep legjitimitetin të ndërhyjnë në punët e brendshme të një vendi si Shqipëria.
Nga ana tjetër procesi i regjistrimit të popullsisë në vendin tonë konsiderohet i një rëndësie të veçantë për Sofien, për shkak se do të jetë hera e parë që bullgarët që jetojnë në Shqipëri do të identifikohen si minoritarë.
Minoriteti bullgar sikundër e përmendëm më lart u njoh në vitin 2017-të, por numri zyrtar i tyre do të përcaktohet nga Censi që nisi më 18 shtator.
Pikërisht numërimi i popullsisë solli në Shqipëri edhe zëvendëspresidenten e Bullgarisë, Iliana Iotova e cila sërish përdor Bashkimin Europian si “mashë” për të arritur synimet e tyre në Shqipëri.
“Bullgaria qëndron pas të ardhmes evropiane të Republikës së Shqipërisë, sepse ajo është një faktor i rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin jo vetëm të rajonit, por edhe të gjithë Evropës”. Ky mesazh u dërgua nga nënpresidentja Ilijana Jotova në takimet e saj në Tiranë me Presidentin Bajram Begaj, Zëvendëskryeministren Belinda Balluku, Kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla dhe ministrin e brendshëm Taulant Balla. Ajo theksoi se anëtarësimi evropian do të krijojë shumë mundësi për të ardhmen e të dy popujve.
Pra edhe njëherë Bullgaria i jep vetës atributin për integrimin e vendeve si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Në fakt, ndërsa kjo vizitë ishte vetëm disa ditë para fillimit zyrtar të regjistrimit të popullsisë së Shqipërisë, shihet më shumë si një presion që i bëhet Tiranës zyrtare, ose si një mënyrë për të mbyllur një sy përballë ndërhyrjes, manipulimit që po i bëhen që në ditët e para të Censit, komunitetit minoritar maqedon në Shqipëri , alias “maqedon të bullgarizuar”.
Presioni bullgar shikohet jo vetëm në nivelin politik por dhe nga fondacionet bullgare. Këto të fundit kërcënojnë dhe shantazhojnë hapur qytetarët maqedonas në vendin tonë.
Pas nisjes së regjistrimit të popullsisë në komunën Pustec në Shqipëri, kryetari i fondacionit të organizatës bullgare “Maqedonia”, Viktor Stojanov, ka reaguar përmes një postimi në Facebook duke thënë se nëse banorët nuk regjistrohet si bullgar etnik në regjistrim, pasaportat e tyre bullgare do të tërhiqen menjëherë dhe se të gjitha proceset e tjera si dhënia e shtetësisë do të ju ndërpritet.
“Për të gjithë banorët e komunës së Pustecit, Shqipëri: Nëse nuk regjistroheni tani si bullgarë etnikë në regjistrim, shtetësia bullgare do të ju hiqet sa më shpejtë të jetë e mundur dhe se nëse jeni në proces të dhënies së shtetësise, procedurat do të ndërpriten menjëherë. Tashmë kemi një rast të tillë. Mendoni për këtë”, ka deklaruar Viktor Stojanov, kryetari i fundacionit të organizatës bullgare “Maqedonia”.
Ndërkaq, në fillim të kësaj jave kur filloi procedura e regjistrimit në Shqipëri, fondacioni “Maqedonia” , përmes një postimi në rrjetin social facebook u bëri thirrje banorëve të Shqipërisë për të mos e anashkaluar përkatësinë etnike dhe të regjistrohen si bullgar etnikë.
“Apel nga fondacioni Maqedonia për bullgarët në Shqipëri- regjistrohuni si bullgarë etnik, me gjuhën amtare bullgare. I kujtojmë edhe ata që kanë shtetësi bullgare se janë të detyruar ndaj Bullgarisë të shkruhen si bullgarë, ashtu si bullgarët me origjinë dhe dëshirojnë të marrin shtetësi bullgare në të ardhmen, të shkruajnë vetë si bullgarë etnik dhe në asnjë çast të mos anashkalojnë çështjen për përkatësinë etnike”, ka deklaruar Fondacioni i organizatës bullgare “Maqedonia”.
Kjo ofensive e sofies zyrtare ndaj minoritetit në Shqipëri, tregon të vërtetën e madhe, numrat që nuk mund ta justifikojnë të ashtuquajturin minoritet bullgar.
Në të vërtet ata janë maqedonas të bullgarizuar pas marrjes së pashaportave bullgare(që nga momenti kur Bullgaria u bë anëtar i BE) për të shkuar drejt Europës. Sigurisht me lejen e shtetit bullgar të cilët si duket e kanë në axhendën e tyre historike “bullgarizimin e maqedonasve” kudo që ata ndodhen.
Por a duhet të heshtë Tirana zyrtare përballë revanshit bullgar që tenton të krijojë përplasje midis etnive në territorin shqiptarë?
Mbi të gjitha Bashkimi Europian, përse vijon të bëhet palë e këtij shantazhi bullgar ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor?
Këto nuk janë pyetje retorike, por i drejtohen drejtpërdrejtë institucioneve zyrtare në Shqipëri, Bullgari e Europë. Mjaft më me shantazhe nga vendet europiane pasi Jo çdo oreks ballkanas mund të përmbushet në emrin e Europës.
© 2023 Argumentum