Në Kosovë flamujt në institucionet vendase dhe ambasadat perëndimore janë ulur në gjysmështizë, ndërsa vendi është në ditë zie të në shenjë nderimi ndaj pjesëtarit të policisë së Kosovës Afrim Bunjaku, i cili u vra të dielën në përleshje me një grup serbësh të armatosur.
Krerët e institucioneve të Kosovës kanë nderuar në një mbledhje komemorative pjesëtarin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i vrarë më 24 shtator në përleshjet me një grup të armatosur në Banjskë të Zveçanit, në pjesën veriore të Kosovës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka ndarë urdhrin “Hero i Kosovës” policit të vrarë nga terroristët serbë, Afrim Bunjaku.
Në mbledhjen komemorative që u organizua në nderim të policit Afrim Bunjaku, presidentja Osmani dha urdhërin e “Heroi i Kosovës” postmortem.
Nderimin e pranuan dy djemtë e policit të ndjerë.
Presidentja Osmani tha me këtë rast se rreshteri policor, Afrim Bunjaku ra në mbrojtje të rendit, ligjit, integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës.
“Ai ra në mbrojtje të dinjitetit të Republikës sonë. Prandaj sot në emër të qytetarëve do t’i ndaj post-mortem urdhrin më të lartë të Republikës ‘Hero i Kosovës’. Shteti ynë nga sot ka edhe një hero, një kujtim më shumë për një njeri që me profesionalizëm dhe përkushtim iu dedikua mbrojtjes së Republikës për të cilën ra në krye të detyrës”, tha ajo në akademinë përkujtimore.
Osmani tha se Kosova sot po nderon një hero të vërtetë, një rreshter policie trim dhe vetëmohues i cili sakrifikoi jetën për sigurinë e të gjithë qytetarëve.
“Afrim Bunjaku sikurse edhe të gjithë pjesëtarët të tjerë të policisë së Kosovës dje u sfiduan nga bandat terroriste të dirigjuara nga Beogradi dhe bënë atë që duhet. Rikthyen ligjin, mbrojtën integritetin territorial dhe sovranitetin tonë dhe vunë në vend dinjitetin”, vijoi ajo.
I pranishëm në mbledhjen komemorative ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kurti ka thënë se Afrim Bunjaku u vra gjatë një sulmi ndaj policëve të Kosovës dhe ndaj vetë shtetit të Kosovës nga një grup shumë i armatosur i mbështetur nga Serbia.
“Reagimi profesional i Policisë së Kosovës rezultoi me eliminimin e disa terroristëve e kriminelëve, arrestimin e disa të tjerëve dhe neutralizimin e gjithë grupit dhe konfiskimin e shumë armatimeve”, ka theksuar Kurti.
Në mbledhjen komemorative, të pranishëm ishin edhe familjarët e rreshterit Afrim Bunjaku. Vajza e tij, Arbenita Bunjaku, ka thënë se “janë krenarë me punën dhe heroizmin e babait”.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës, ka marrë vendim që dita e hënë, 25 shtator 2023, të shpallet ditë zie, shtetërore në nderim të policit Afrim Bunjaku, i vrarë në veri të vendit.
“Zija shtetërore do të jetë gjatë ditës së hënë, ndërkaq Protokolli i Shtetit ngarkohet që t`i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në njlkftimin e Zyrës së Presidencës së Kosovës.
Afrim Bunjaku, pjesëtar i Policisë së Kosovës, ra në krye të detyrës dhe në mbrojtje të sovranitetit integritetit territorial të Kosovës, në veri të vendit.
Rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku, nga fshati Samadrexhë i komunës së Vushtrrisë, vdiq të dielën në mëngjesin e hershëm kur grupe kriminale kanë sulmuar në pritë njësitë policore, ku për pasojë mbetën edhe të plagosur të tjerë.
Të dielën, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se tre sulmues janë vrarë, ndërsa gjashtë persona, që dyshohet se ishin në kontakt me ta, janë arrestuar.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar mbrëmë se janë dërguar në mbajtje për 48 orë gjashtë persona të persona të përfshirë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës, ku u vra polici Afrim Bunjaku.
/Argumentum.al