Kryeministri Edi Rama mori sot pjesë në Ministerialin euroballkanik të ministrave të Ekonomisë nga BE-ja dhe rajoni, zhvilluar në kuadër të Procesit të Berlinit, me pjesëmarrjen e mbi 20 delegacioneve të nivelit të lartë.
Në fjalën e tij Rama u shpreh i nderuar që Shqipëria organizon samitin e parë të Procesit të Berlinit jashtë kufijve të BE dhe për këtë tha ai, “më duhet të falënderoj me gjithë zemër kancelarin Scholz dhe ekipin gjerman që ishte mjaft i prirur ta sillte Samitin e Berlinit në rajon këtë vit. Jam tejet krenar që Tirana përfaqëson sot rajonin si vendi mikpritës”.
Së dyti, theksoi Rama, “dua t’ju kujtoj se ky proces ka nisur nën kujdesin e Kancelares Merkel në vitin 2014 kur për herë të parë në histori udhëheqësit nga i gjithë Ballkani Perëndimor u ulën së bashku rreth një tryeze, jo për të debatuar për të shkuarën e tyre, por për të folur për të ardhmen e vendeve të tyre”.
“Ashtu siç u shpreh Kancelarja Merkel pikërisht në 2014-ën kur ky proces u çel, është rritur një pemë mjaft e fortë dhe e shëndetshme, tashmë po shohim të marrim frytet sepse pema është pjekur mjaftueshëm për të na dhënë fryte”, tha Rama.
“Sot Shqipëria, e ngritur në një nivel të ri, e vlerësuar së fundmi për progresin ekonomik dhe reformat nga agjencia prestigjoze ndërkombëtare S&P, është kthyer në një platformë diskutimi e bashkëpunimi mes shumë shtetesh, të cilat do të jenë të pranishme në Tiranë edhe me liderët, të cilët do ta përmbyllin këtë organizim të parë të Procesit të Berlinit jashtë kufijve të BE-së , më 16 tetor”, theksoi Rama.
“Besoj fort se në këtë moment mjaft përcaktues për Europën dhe për bashkësinë tonë të vlerave, që është komuniteti i përbashkët i vendeve të BE dhe i vendeve të Ballkanit Perëndimor, ka ardhur tanimë koha të mendojmë jashtë kornizave dhe është pikërisht kjo ajo çfarë po përpiqemi të bëjmë me këtë samit dhe është pikërisht ajo çfarë po ndjejmë nga komunikimet dhe bisedat tona me miqtë tanë të mëdhenj të BE”, tha Rama.
“Dje pata kënaqësinë e madhe të zhvilloja një bisedë mjaft shteruese me mikun tonë këtu nga qeveria e Francës dhe më duhet t’ju them se ishte një bisedë që 5 vjet më parë do të ishte e pamundur të zhvillohej. Gjërat kanë ndryshuar dhe ne shohim me mjaft interes se në BE ka një bindje shumë më të fortë dhe janë më syhapur karshi rëndësisë që Ballkani Perëndimor ka për BE”, vijoi Rama.
“Besoj se nuk e teproj nëse them që sot BE ka nevojë për Ballkanin Perëndimor po aq sa Ballkani Perëndimor ka nevojë për BE”, u shpreh Rama.
Pra, nënvizoi Kryeministri Rama, “jemi këtu me ministra dhe zyrtarë të shquar nga vende të Ballkanit Perëndimor dhe nga BE për të diskutuar rreth temave më thelbësore të këtij procesi, që përfshijnë forcimin e ekonomive tona, duke përfshirë lidhjet me sferën e aktiviteteve ekonomike të BE-së”.
Kujtojme se Forumi do të mbledhi së bashku ministrat e Ekonomisë të Procesit të Berlinit, përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe partnerë të tjerë të Procesit të Berlinit, me fokus avancimin e tregut të përbashkët rajonal, për të nxitur zhvillimin e rritjes ekonomike të rajonit dhe për ta sjellë atë më afër BE-së.
Ky forum pritet të reflektojë mbi arritjet, prioritetet dhe sfidat kryesore në zbatimin e këtij plani dhe avancimin e agjendës së integrimit rajonal nëpërmjet mbështetjes në kuadër të Procesit të Berlinit, si një instrument shumë i rëndësishëm për përshpejtimin e konvergjencës ekonomike të rajonit me Bashkimin Europian. Në këtë takim, do të diskutohet mbi lehtësimin e tregtisë dhe reduktimin e barrierave, integrimin e tregjeve, rritjen e bashkëpunimit rajonal, integrimin e sistemeve të pagesave të rajonit dhe përgatitjen ekonomike të Ballkanit Perëndimor për një integrim eventual në Eurozonë.
Gjithashtu, diskutimet do të përqendrohen edhe në integrimin e përshpejtuar dhe qasjen e hershme në Tregun Unik të BE-së. Në këtë kuadër, do të diskutohet edhe lidhur me sfidat kryesore për përmirësimin e konvergjencës ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE, në mënyrë që të përcaktohet orientimi politik dhe hapat konkretë, në kuadër të Procesit të Berlinit, sa i takon mbështetjes që duhet të marrin vendet e rajonit.
Gjithashtu, diskutimet do të përqendrohen edhe në integrimin e përshpejtuar dhe qasjen e hershme në Tregun Unik të BE-së. Në këtë kuadër, do të diskutohet edhe lidhur me sfidat kryesore për përmirësimin e konvergjencës ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE, në mënyrë që të përcaktohet orientimi politik dhe hapat konkretë, në kuadër të Procesit të Berlinit, sa i takon mbështetjes për qasjen e hershme në Tregun Unik të BE-së nga ekonomitë e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Së bashku me Forumin e Ministrave do të zhvillohet Forumi i Biznesit, me titull “Hyrja në Tregun Unik si një potencial për rritje për Ballkanin Perëndimor”.
Ky forum synon të paraqesë arritjet kryesore dhe hapat drejt integrimit në BE, si dhe të theksojë nevojat dhe rekomandimet nga komuniteti i biznesit të Ballkanit Perëndimor për të shfrytëzuar plotësisht potencialet e rritjes së rajonit. Forumi bashkëorganizohet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Forumi i Investimeve të Dhomave të Ballkanit Perëndimor 6 (ËB6 CIF), së bashku me Unionin e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë të Shqipërisë.
Procesi i Berlinit është një iniciativë që synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe dhënien e ndihmës për integrimin e vendeve të këtij rajoni në Bashkimin Evropian. Ai u prezantua në 28 gusht 2014 nga kancelarja gjermane Angela Merkel.
Procesi i Berlinit po zhvillohet me mbështetjen e Komisionit Evropian, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe shteteve anëtare të përfshira në Proces – Gjermani, Francë, Austri, Kroaci, Itali, Slloveni dhe Mbretëria e Bashkuar, së bashku me vendet e Ballkanit Perëndimor.
/Argumentum.al