Policia e Kosovës bastisi të premten pesë vende të ndryshme në tri komuna me shumicë serbe në veri të vendit, në kuadër të hetimeve lidhur me ngjarjet e së dielës në fshatin Banjskë ku u vra një oficer i policisë dhe tre sulmues të armatosur.
Zëvendëskomandanti i policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut, Veton Elshani, tha për Zërin e Amerikës se kontrollet kanë nisur pas orës gjashtë të mëngjesit por deri tani nuk ka pasur të arrestuar.
Policia tha se kontrollet janë kryer me urdhëresë të gjykatës dhe në bashkërendim me misionin e Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit (EULEX) dhe forcat paqeruajtëse të KFOR-it.
Bastiset janë kryer kryesisht në pronat e nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiç të cilin autoritetet në Kosovë e identifikuan si pjesë të grupit të armatosur që sulmoi forcat e rendit duke vrarë një oficer dhe plagosur një tjetër. Grupi që sulmoi policinë më pas hyri me forcë në manastirin ortodoks në fshatin Banjskë duke vazhduar të qëllojë mbi policinë. Përleshja përfundoi kur shumica e sulmuesve u arratisën. Tre nga sulmuesit e armatosur mbetën të vrarë.
Ngjarjet e së dielës janë cilësuar si sulm terrorist nga institucionet e Kosovës dhe diplomatët perëndimorë.