Ministri Taulant Balla ka paralajmëruar masa të rrepta për të gjithë ata efektivë që janë të lidhur me krimin. Policët që kanë pasur akses ose kanë aktualisht akses në rrjetet komunikimi si ‘EncroChat’ apo ‘SkyEcc’ do të përjashtohen përgjithmonë nga Policia e Shtetit. Lajmi u bë me dije nga ministri Balla, i cili po raportonte në Komisionin për Çështjet Europiane.
“Ka pasur dhe ka punonjës që janë përfshirë në botën e krimit. I kam kërkuar Policisë dhe AMP, duke qenë se jemi edhe vetë në kontakt me Europol, që të kemi informacion sa më shpejt të jetë e mundur, për çdo punonjës që do rezultojë që të ketë pasur akses në këto rrjete komunikimi EncroChat apo Sky do përjashtohet nga policia edhe në rast se në ato komunikime nuk rezulton të ketë aktivitet kriminal”, tha Balla.
Kjo masë e ashpër do të aplikohet për të gjithë efektivët që kanë pasur profile në këto rrjete komunikimi, që zakonisht përdoren nga krupet kriminale, ndonëse nuk ka elementë të veprës penale. Pra, do të mjaftojë një profil i hapur për t’i ‘djegur’ policëve të gjithë karrierën, ku vetë Balla tha se s’do të lejohen as ‘takimet’ virtuale me elementët e krimit.
“Fakti që ka akses në rrjet të tillë, kjo është pjesë e angazhimit tim që lidhet me kodin etik në policinë e shtetit, ndalohet që një punonjës të ulet në kafe apo restorant me persona me background kriminal, kjo vlen edhe për takimet virtuale me krimin. Ky rregull do të zbatohet për të gjithë. SPAK po heton mbi gazën e të dhënave të vënë në dispozicion nga Europol dhe do kemi të dhëna konkrete”, tha Balla.
Lidhur me këtë ‘pastrim’ në Policinë e Shtetit, Balla tha se SPAK po kryen hetime në bazë të të dhënave që i janë vënë në dispozicion nga EUROPOL dhe më pas përfundimet do t’i kalojnë Ministrisë së Brendshme për të marrë masat për përjashtim.
Ndërkohë, do ngrihet edhe Forcë Kombëtare e Sigurisë Publike. Balla tha se një vendim është marrë pasi policia vendore është jo efikase, nisur nga afrimiteti që efektivët kanë me qytetarët, por jo vetëm, edhe me kriminalitetin.
“Do kemi forcë kombëtare të sigurisë publike, sipas modeleve të disa vendeve do kemi forcë kombëtare të sigurisë publike sipas modeleve të disa vendeve, që do riparojë eficencën e policisë në nivel vendor”, tha Balla.
Balla tha se nuk ka rrjedhje të dhënash nga sistemi TIMS dhe tha se garanton qytetarët se çdo e dhënë e tyre është e sigurt. Balla tha se Prokuroria e Tiranës ka nisur një hetim dhe i bëri thirrje që të jetë i plotë. Ministri tha se sistemi është funksional dhe ai ra pre e sublimit kibernetik që Irani ndërmori një vit më parë ndaj vendit tonë, por theksoi se nuk ka asnjë rrjedhje të dhënash nga sistemi TIMS.
“Një çështje që më shumë është abuzuar në publik se ka të vërteta shqetësuese lidhur me pretendime për rrjedhje të informacionit të sistemit TIMS. Garantoj çdo qytetar se të dhënat në sistemin TIMS janë 100% të mbrojtura, nuk ka asnjë të dhënë që të ketë rrjedhur nga ky sistem i fortifikuar falë edhe mbështetjes së partnerëve, SHBA. Sistemi ynë është sulmuar si pjesë e një sulmi total gjatë verës së vitit të kaluar gjatë sulmit kibernetik verën e kaluar. Sistemi është 100% funksional. Ministri është informuar në kohë reale nga vetë personat që pretendonin për këtë problematikë dhe që nga ai moment i kam kërkuar drejtorëve të AMP dhe Policisë së Shtetit, të dy kanë inicuar hetimet e tyre qoftë Rrumbullaku qoftë drejtori i AMP dhe u kam kërkuar përfshirjen e menjëhershme të SPAK, por ka qenë rekomandim nga ana e tyre që kjo çështje të ndiqet nga Prokuroria e Tiranës. Kjo e fundit ka regjistruar një procedim që unë e mbështes”, tha Balla.
/Argumentum.al