Kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti tha se Artan Grubi dhe BDI të mos “bëjnë mjegull” por të mbyllin tërësisht kazinotë sipas shembullit të Kosovës dhe Shqipërisë.
“Edhe pse ka hyrë në biznesin e kazinove me të dyja këmbët në mënyrë të arsyetuar, duke filluar nga drejtori, bordi drejtues dhe shumë çështje të tjera, ne e sfidojmë atë që të bëjë atë që bëri Shqipëria dhe Kosova dhe të mbyllë kazinotë tërësisht”, tha Mexhiti për “Alsat”.
Ai gjithashtu tha se derisa Artan Grubi është zëvendëskryeministër në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, në krye të Lotarisë së Maqedonisë është njeriu i parë i Grubit, Përparim Bajrami.
Mexhiti theksoi se brenda tre viteve numri i kazinove dhe pikave të basteve po shumëfishohen si rezultat i politikave të qeverisë dhe në të njëjtën kohë, nga njëra anë, qytetari ngre zërin për devijimet nga kazinotë, nga ana tjetër, si meritë e kësaj qeverie të drejtuar nga Grubi, kazinotë po na pushtojnë shtëpitë, telefonat dhe kompjuterët tanë dhe rrezikojnë të miturit tanë.
/Argumentum.al