Edi Rama
Kryeministër i Shqipërisë
Sot jemi ftuar në një mocion me debat, nisur nga një draft-rezolutë e depozituar në Kuvendin e Shqipërisë, që doli nga i njëjti oxhak i tymit kinse patriotik, fill pas rezolutës së Kuvendit të Kosovës, mbi ngjarjen tragjike të vrasjes së efektivit të policisë, të ndjerit Afrim Bunjaku, nga një grup kriminal serb që ushtroi terror në veri të Republikës së Kosovës.
Kuvendi i Kosovës është jo vetëm në të drejtën, po edhe në detyrën e tij, të miratojë rezoluta të kësaj natyre, të cilat i drejtohen për mbështetje politike e institucionale, fuqive aleate dhe organizmave ndërkombëtare, ku Republika e Kosovës nuk bën pjesë.
Pyes: Po Kuvendi i Shqipërisë, vend anëtar i NATO-s, vend kandidat që negocion anëtarësimin në BE, vend i cili ka ulësen, ka të gjitha rrugët e komunikimit institucional me botën demokratike, ka ambasadorët e vet në të gjitha organizmat e politikës ndërkombëtare, kujt ia drejton një rezolutë si ajo që na u propozua?
Cilat parlamente të vendeve anëtare të NATO-s apo kandidate të BE-së, miratojnë, si të ishin asamblera parlamentare të përbëra nga shumë shtete, rezoluta të tilla drejtuar botës, organizatave të komunitetit euro-atlantik, ndërkohë që janë vetë pjesë e tij dhe cili është qëllimi i një nisme të tillë, përtej propagandës kinse patriotike për audiencën e brendshme kombëtare?
Draft-rezoluta të tilla të Kuvendit tonë shfaqen me shpejtësi të rrufeshme, si dru për oxhakun e propagandës kundër qeverisë, herë si zgjatim i thonjve të krizës në veriun e Kosovës, herë si politikë ditore e llojit më të ulët me viktimat e Millosheviçit në Kosovë, madje deri në Bosnjë, e herë deri me thirrje në skenë të viktimave të Enverit, për të luftuar me qeverinë në parlamentin e shekullit XXI…
Cilin planet duhet të kërkojmë për ta përshtatur këtë kategori mocionesh për debat dhe me sherrnajë pararendëse si ajo e barrikadave trupore të seancës së shkuar me akuza për tradhti, për tradhtarë?
Botës demokratike jo njëherë!
Fatmirësisht e në të njëjtën kohë shumë fatkeqësisht për gjithë Shqipërinë, bota nga vijnë këto shkulma dëshpërimi politik ekstrem, i përket një planeti tjetër nga i yni, i cili e ka marrë botërisht së fundmi edhe emrin e vet të vërtetë:
Planeti NonGrata!
E ka marrë emrin nga burimi i të keqes së vjetër, që e ka helmuar politikën shqiptare dhe e ka atrofizuar organizmin e një pale të saj, në pikën pa kthim të humbjes së logjikës, shikimit, dëgjimit, ndërkohë që planeti në fjalë lëshon papushim mbetje toksike në ajër, përmes zërash të çjerrë, të ngjirur, të kollitur, të lajthitur e të rraskapitur…
Megjithatë, ne s’mund ta mbrojmë dot shëndetin demokracisë sonë parlamentare nga lëndimi i helmeve që lëshohen këtu, në emër të fjalës së lirë.
Ne mundemi vetëm të themi fjalën tonë të lirë, siç do të bëjmë edhe sot, në respekt të rregullores së Kuvendit, e cila na imponon zhvillimin e një debati që dihet si, dihet kush dhe pse e kërkon.
Në fund të fundit, ky është sidoqoftë rasti edhe për mua që t’i shtjelloj gjerësisht dhe troç të vërtetat për Kosovën në udhëkryqin mes të shkuarës e të ardhmes, duke u nisur sigurisht nga agresioni kriminal i Banjskës, i cili ia nxori sërish thonjtë krizës së veriut të Kosovës dhe ia nguli, më fort se asnjëherë, mu në fyt, procesit të dialogut, normalizimit, shtetnjohjes përfundimtare të Republikës së Kosovës.
Shfaqja ogurkeqe e hijes së përgjakshme të së shkuarës, me armë e me uniforma ushtarake, në skenën e ngarkuar me frymën e ekstremizmit nacionalist serb, armatimet e trafikuara për sulm e jo për vetëmbrojtje dhe thasët e financimeve kriminale në veriun e Kosovës, ishte si kronika e zezë e një vdekjeje të paralajmëruar.
Lajmi i vrasjes së efektivit të policisë së Kosovës në krye të detyrës ishte si një bombë, që shpërtheu me forcën tronditëse të një sinjali të paekuivok përshkallëzimi të konfliktit në atë skenë, ku prej kohësh tanimë, prodhohet tensioni që kthen dhe rikthen mbrapsht sistematikisht procesin e dialogut të normalizimit mes Kosovës e Serbisë dhe ndez llambën e vjetër të krizës ballkanike në sytë e botës demokratike.
Zhvillimi i mëtejshëm i ngjarjes pas shpërthimit, kishte pamjen e një materiali arkivor nga lufta e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, ku ngujimi i kriminelëve serbë në një manastir ishte si një ftesë tejet provokuese, për ta çuar konfliktin e armatosur në një pikë pa kthim dhe prodhuar alibira haluçinante vetëmbrojtjeje nga terrori imagjinar i shtetit të Kosovës.
Fundi i ngjarjes ishte shembullor, falë veprimeve të forcave të sigurisë së Kosovës, të cilat nuk ranë në kurthin e ngritur prej organizatorëve, po me gjakftohtësi të admirueshme dhe profesionalizëm të lartë, e neutralizuan rrezikun e zgjerimit dhe të zgjatjes së paparashikueshme të konfliktit, duke iu përgjigjur në mënyrën më të mirë dhe më të drejtë të mundshme, provokimit djallëzor të grupit kriminal serb.
Ndërsa epilogu i ngjarjes, shpallja e zisë kombëtare nga autoritetet e Beogradit për kriminelët e eliminuar nga forcat e sigurisë së Kosovës, pasi I morën jetën një polici të republikës së kosovës ishte shëmbëlltyra e gjallë e hijes të së shkuarës, e cila bashkëjeton me Serbinë qysh nga disfata e saj finale e vitit 1999 në Kosovë, si hija që e ndjek kudo njeriun, sapo del drita.
Si reagoi Shqipëria përmes qeverisë shqiptare ndaj asaj ngjarjeje kriminale, sa tragjike për humbjen e jetës së një shërbëtori të ndershëm e krejt të pafajshëm të shtetit të Kosovës, aq edhe domethënëse për rrezikun e një përshkallëzimi të mëtejshëm të konfliktit në veriun e Kosovës?
Për herë të parë në të paktën 10 vjetët e fundit, Shqipëria nuk u linjëzua me deklaratën e Bashkimit Europian.
Ajo deklaratë ishte kryekëput për Kosovën e për detyrat e saj në procesin e dialogut dhe s’kishte asnjë germë për Serbinë.
Edhe pse e vërteta është se aprovimi i saj nga 27 vendet anëtare përkoi procedurialisht, menjëherë pas ngjarjes së rëndë të vrasjes së efektivit të Policisë së Kosovës dhe shpalljes së zisë kombëtare në Beograd, për kriminelët e vrarë nga forcat e sigurisë së Kosovës, dhe kjo nuk kishte se si të pasqyrohej në deklaratën e përpiluar dhe aprovuar përpara ngjarjes, për ne, që e theksoj, nuk kishim asnjë rezervë për deklaratën në vetvete,
sepse Kosova duhet me patjetër të reflektojë për kritikat e për kërkesat e Brukselit dhe të Washingtonit, ishte e papranueshme që deklarata të dilte sikur asgjë tjetër nuk kishte ndodhur.
Kishte ndodhur jo diçka tjetër, po diçka shumë e madhe, të paktën në kujtesën time, ngjarja më e rëndë në marrëdhëniet Kosovë – Serbi qysh pas vitit 1999.
Ende më keq, ngjarja kriminale ishte pasuar nga një akt i papranueshëm zyrtar shpalljeje zije në Beograd.
Prandaj, ne ua bëmë të qartë miqve në Bruksel se për t’u linjëzuar me atë deklaratë, që do të ishte krejt normale nëse agresioni kriminal i Banjskës nuk do të kishte ndodhur, prisnim një deklaratë të dytë të BE-së, ku të dënoheshin qoftë organizatorët e ngjarjes në Banjskë, qoftë organizatorët e zisë kombëtare në Beograd dhe të kërkohej fillimi I menjëhershëm i një hetim të pavarur ndërkombëtar.
Na shpjeguan se kohët e procedurat e BE-së, nuk e mundësonin dot një deklaratë të dytë – sipas nesh të domosdoshme paralelisht me të parën – kështu që si përfundim ne nisëm mesazhin zyrtar të moslinjëzimit me deklaratën e parë.
Dua ta bëj shumë të qartë për të gjithë ata që duan të dëgjojnë, se një moslinjëzim me politikën e jashtme të BE-së, nuk është fjalë goje, për një vend kandidat që negocion anëtarësimin në BE dhe që përgatitet në javët e ardhshme të nisë me një prej pjesëve të negociatave që lidhet pikërisht me politikën e jashtme. Nuk është as një akt heroizimi natyrisht. Por ai mbetet një akt politik kundërshtie në dokumentet e marrëdhënieve tona me Brukselin.
E të mos e harrojë askush, kur këtë akt e bën Shqipëria, zëri i së cilës sot është zëri më i dëgjuar dhe më i respektuar, kur flitet për rajonin dhe sidomos për marrëdhënien Kosovë – Serbi në Bruksel apo Washington, atëherë kjo që bëmë ishte më shumë se sa një deklarim i papritur i Shqipërisë.
Ishte një manifestim mosdakordësie konstruktive, për të dhënë një mesazh të qartë mbi peshën e rëndë të asaj ngjarjeje, në rrugën e përpjekjeve të përbashkëta për normalizim, përmes dialogut e bashkëpunimit rajonal.
Duhet të jetë shumë e qartë gjithashtu, se ne nuk bëmë një gjest konsumi të brendshëm elektoral – siç janë prej kohësh tanimë e fatkeqësisht, e them me keqardhje një sërë gjestesh të qeverisë në Prishtinë në raport me dialogun e normalizimit, përfshirë edhe ndaj qeverisë sonë, përmes zërash të dytë e të tretë – po mbajtëm një qëndrim parimor e politik, në funksion të nxitjes së Brukselit, për të siguruar një përçapje serioze për një qëndrim të unifikuar të të 27 vendeve anëtare jo thjeshtë lidhur me ngjarjen e me qëndrimin e papranueshëm të Beogradit ndaj ngjarjes. Jo thjeshtë me fjalë, po edhe me masa kuptimplota në adresë të Serbisë, por edhe lidhur me çfarë vjen, çfarë mund të vijë dhe çfarë duhet të vijë nesër.
Pozicioni i vetëdobësuar diplomatik i Kosovës në sytë e BE-së e të Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjithashtu, si edhe vetëviktimizimi diplomatik i Serbisë në ato sy, falë dhuratave politike të marra bujarisht nga gabimet e Prishtinës zyrtare në procesin e dialogut, e bëjnë jo të lehtë këtë përpjekje nga ana jonë, të cilën ne e kemi vazhduar në çdo instancë e rrethanë të mundshme,
Këtë bëmë së fundi edhe në samitin e Komunitetit Politik Europian ku së bashku me Presidenten e Republikës së Kosovës, kemi folur me aktorët politikë të pranishëm për nevojën e një qëndrimi adekuat të BE-së ndaj këtij përshkallëzimi të rrezikshëm, sepse Beogradi zyrtar mban një përgjegjësi të madhe, përderisa jo vetëm nuk e dënoi agresionin, po e mbuloi atë me flamurin kombëtar të zisë, përderisa nuk shpalli menjëherë thirrjen për të hapur një hetim së bashku me të gjitha forcat e përfshira në procesin e normalizimit, pra me BE dhe SHBA-të.
Kështu e lexuam, gjykuam dhe trajtuam ne shpërthimin e fortë paralajmërues të Banjskës.
Puna është se në Tiranë, po edhe në Prishtinë, ka disa që nuk duan ta kuptojnë se Shqipëria e sotme nuk është më ajo e djeshmja në arenën ndërkombëtare. Nëse sot, ne respektohemi si absolutisht të barabartë në çdo instancë e rrethanë, vlerësohemi për dinjitetin dhe qartësinë që tregojmë me fjalë e me vepra, pyetemi nga të gjithë aktorët kryesorë të komunitetit euro-atlantik që na konsultojnë rregullisht për problematikat rajonale, çmohemi si një vend serioz, të cilit i besohen role me rëndësi në tryeza kryesore ndërkombëtare (më e fundit zgjedhja e Shqipërisë vetëm dy ditë më parë në Këshillin e të Drejtave të Njeriut në OKB, mes vetëm 15 vendeve të botës)
apo na kërkohen mikpritje samitesh të rëndësishme të atij komuniteti këtu në Shqipëri – gjëra të paimagjinueshme vetëm deri disa vite më parë – kjo nuk ndodh as se unë vesh atlete nëpër samite, as se ata që na besojnë nuk dinë çfarë të bëjnë apo nuk kanë se ku të mblidhen.
Kjo ndodh vetëm e vetëm, sepse ne e kemi ngritur Shqipërinë në një nivel të ri, politikën tonë të jashtme në një stad të ri, pozicionin e shtetit tonë në rajon në një majë të re dhe shembullit në fakt jo të ri, të kahershëm të këtij vendi, si faktor paqeje e stabiliteti rajonal, i kemi dhënë një rrezatim të ri, prej një anëtari të denjë e të përgjegjshëm të komunitetit euro-atlantik, aktiv në mbrojtjen e interesave të veta kombëtare dhe të interesit strategjik të paqes, stabilitetit e progresit në këtë rajon.
Sa herë e kemi dëgjuar nga qeveritë paraardhëse ta thonë me krenari, Shqipëria është faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon? Gjithmonë, nga të gjitha qeveritë, majtas dhe djathtas.
Ndryshimi është se deri dje Shqipëria ishte faktor pasiv paqeje e stabiliteti, ndërsa sot është faktori më aktiv i paqes dhe stabilitetit rajonal. Dhe kjo sigurisht që është vënë re, gjithnjë e më qartë dhe shihet, gjithnjë e me më shumë respekt nga bashkësia ndërkombëtare.
Po ne nuk e bëjmë këtë as për t’u dukur bukur në sytë e komunitetit euro-atlantik, as për t’i bërë ndonjë favor Serbisë ose kujtdo tjetër në rajon, po për veten tonë në radhë të parë, për Shqipërinë e për kombin shqiptar.
Qysh nga Gjergj Kastrioti tek rilindasit tanë, Ismail Qemali e me radhë mësuesit e tjerë të Shqipërisë, ka një fill të artë amaneti kombëtar që vazhdon. Ai fill na kërkon të jemi e të bëhemi përfundimisht, perëndimorët e Ballkanit, jo ballkanasit e radhës që duan edhe të integrohen në perëndimin demokratik, edhe ti gafurren njeri-tjetrit si në Ballkanin antik. Ky ëhstë amaneti.
Interesi ynë strategjik i një paqeje përfundimtare në funksion të sigurisë, progresit ekonomik e social të krejt hapësirës ballkanike, është në përputhje të plotë, qoftë me interesin tonë kombëtar, qoftë me interesin strategjik të komunitetit të madh demokratik, ku Shqipëria ka nderin të bëjë pjesë dhe nga ku Shqipëria nuk ka në asnjë mënyrë luksin të mendojë të luajë me dy porta. Kurrë!
Ku është atëherë halli, andej e këtej kufirit, me këtë qasje tonën të mirënjohur strategjike në tërësi, çka dikton sigurisht ndërtimin e urave me të gjitha vendet e rajonit, përfshirë edhe Serbinë padyshim dhe ku është saktësisht problemi me reagimin e Shqipërisë ndaj ngjarjes së Banjskës?
Për qametin e madh të mendjeve që tash 10 vjet çfarë nuk lëshojnë nga goja drejt nesh edhe në këtë drejtim, halli është se si të mos lihet rast, konkret apo i shpikur, për të masakruar mua dhe Partinë Socialiste, me lloj-lloj fantazish, teorish konspiracioni, shpifjesh, deformimesh të fakteve e të fjalëve, akuzash e sharjesh lumë…
Ja pse në Prishtinë e në Tiranë, nga profile publike, politike apo mediatike apo nga profile fallco pa hesap, përmes rrjeteve sociale, portaleve e kanaleve televizive, u nxit menjëherë pas ngjarjes në Banjskë, furia kinse patriotike e radhës kundër meje personalisht, si “vëllau i Vuqiqit” apo si “i kapuri nga Vuçiçi”.
Ridoli rrufeshëm akt-akuza e tradhtisë time, në një prej shfaqjeve për mua më mbresëlënëse të trushpëlarjes propagandistike.
Ishte e dhimbshme, shumë e dhimbshme të shihje në të dyja anët e kufirit, daljen aq ashiqare në pah të synimit të ulët të keqshfrytëzimit të jetës së humbur të policit të vrarë, për të rritur mbështetjen elektorale, duke lëshuar rrugëve gjuhët më të përdala të mexhelisit të madh publik të shqiptarëve, bashkë me trollsat e mexhelisit digjital, që të rentabilizohej sa më shumë politikisht revolta legjitime të shqiptarëve në Kosovë e në Shqipëri për vrasjen e efektivit të policisë, me ushqimin e ndjenjave armiqësore ndaj personit tim, gati – gati si të isha bashkëorganizator në atë vrasje – por më e keqja, duke harruar apo më saktë, duke mos e çarë kokën fare, për efektet përçarëse në bashkësinë shqiptare të këtyre marifeteve politike të radhës.
Një turravrap lukunie e etur për sherr, për të ardhur thellësisht keq për nivelin mizerabël etik e moral, hipokrizinë pseudo-patriotike, të keqpërdoruesve politikë e mediatikë të të gjithë atyre njerëzve të zakonshëm, në Kosovë e në Shqipëri, që u besojnë, i ndjekin, i dëgjojnë dhe i lexojnë besnikërisht keqpërdoruesit e tyre.
25.33Pastaj furia mori edhe më kot përpjetë, kur unë përsërita qëndrimin tim të njohur, – e kam thënë në Samitin e NATO-s – mbi domosdoshmërinë e marrjes së kontrollit të veriut të Kosovës nga KFOR-i, fokusimit tek suksesi e jo dështimi i planit tejet të favorshëm franko – gjerman dhe dhënies drejtim të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, se është një nyje, e cila pikërisht pse ka marrë proporcione krejt të pamerituara për substancën që në të vërtetë ka, nuk duhet mbajtur si një litar në këmbë, që veç e pengon Kosovën në rrugën e saj dhe veç e largon objektivin për tu bërë pjesë e OKB-së, BE-së, NATO-s. Ajo nyje duhet këputur, ai litar duhet këputur një orë e më parë.
Nuk duhet shkencë, po vetëm logjikë e ftohtë elementare për të kuptuar se ai asociacion, duke mos u bërë, është kthyer në një litar, i cili për mendtë e kokës dhe aspak për faj të atyre që, me përçmimin tipik të fodullëkut provincial, kanë filluar të quhen haptazi me shpërfillje “ndërkombëtarë” në katundet politike e mediatike të Tiranës e të Prishtinës – do të vazhdojë të shtrëngojë pa asnjë arsye të qenësishme këmbët e Republikës së Kosovës. Të mos e shohësh dhe të mos e kuptosh këtë do të thotë të mos duash tja dish fare për si duhet hedhur hapi tjetër.
Kosova sot po rrezikon ta humbasë shansin historik që i jep Plani Franko-Gjerman, për të bërë një progres të jashtëzakonshëm, më kuptimplotin në luftën diplomatike me Serbinë, siç po humbet dita – ditës, dhe vetëm prej mosbërjes së atij asociacioni, besimin dhe respektin e atyre që e njohën si shtet të pavarur dhe që janë angazhuar ta çojnë drejt njëohjes përfundimtare nga të gjithë si një republikë e pavarur e komunitetit të madh të shteteve të OKB.
Ndërsa duke u bërë fakt i kryer, pikërisht ai asociacion që mistifikohet përditë si të ishte kali i rilindur i Trojës që aleatët strategjikë po duan ta fusin me hile në Prishtinë, do të kthehet menjëherë në një litar në këmbët e Serbisë.
Nëse asociacioni bëhet si duhet, në bashkëpunim të ngushtë me aleatët tanë, Serbia nuk do të lëvizë dot aq lirshëm sa ka lëvizur tërë këto kohë mes Brukselit e Washingtonit, duke shfrytëzuar qasjen e gabuar të Prishtinës në procesin e dialogut dhe duke e nënvizuar në çdo rast si viktimë refuzimin me një çmim krejt të paarsyeshëm të një asociacioni komunash, i cili i kyçur brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës,
do të ishte i zhveshur nga çdo potencial kërcënimi për destabilizim të shtetit të Kosovës. Këtë e kupton edhe bufi.
Kur Presidenti Clinton erdhi në Tiranë, më tha: Thuaju miqve të mi në Prishtinë, të mos e humbasin shansin e madh të marrëveshjes mbi Planin Franko-Gjerman. Tregoju nga ana ime se si e humbi Jaser Arafati mundësinë e artë të paqes, kur e kishte mbi tavolinën e Zyrës Ovale dokumentin e marrëveshjes më të mirë që është shkruar ndonjëherë, për zgjidhjen përfundimtare të atij konflikti, pak javë përpara se sa unë të lija Shtëpinë e Bardhë.
Izraelitët thanë po, do ta firmosim. Edhe Jaser Arafati tha po, do ta firmos. Unë – tha Presidenti Klinton – porosita të më bënin gati urdhrin për të filluar organizimin e ceremonisë së shumëpritur me dekada. Të nesërmen Arafati më mori në telefon dhe më tha, “Zoti President, ju keni bërë atë që askush nuk e ka bërë për Palestinën dhe marrëveshja është më e mira e mundshme, por unë nuk e firmos dot”.
I thashë, tha Presidenti Clinton, a e kupton se çfarë po bën dhe se shansi që kjo mundësi e artë të vijë prapë, për kushedi se sa vite, është thuajse zero?
Përgjigja e tij: “E di”, po unë nuk e firmos dot!”
Dhe ja, tha Presidenti Clinton, kanë kaluar 23 vjet nga ai moment historik dhe Palestina është më larg se kurrë nga ajo marrëveshje që lideri i saj nuk e firmosi.
Kosova, shtoi kryeçlirimtari i saj në vitin 1999, jo vetëm nuk duhet t’i zhgënjejë miqtë e saj të ditëve më të vështira, po duhet të punojë njësh me ta, për të bërë paqe. Dhe të finalizosh paqen kërkon edhe më shumë kurajë se sa të nisësh luftën, – përfundoi ai.
Sesi shkuan keq e më keq punët e Palestinës, edhe nga mungesa e kurajës së udhëheqësit të saj për të finalizuar paqen dhe se si, edhe aleatët më besnikë e më të paepur tradicionalë të Palestinës në botën arabe, e humbën dhe po vazhdojnë ta humbin durimin, përballë instransigjencës ekstreme të palës palestineze në dialogun mbase më të vështirë, po edhe më të domosdoshëm për botën e 50 viteve të fundit, dhe shkojnë ulen një nga e një me Israelin, për të lidhur marrëdhëniet, këtë nuk besoj se është nevoja ta shtjelloj unë këtu sot aq më tepër në sfondin e konfliktit që po trondit botën prej disa ditësh.
Çka po ndodh këto ditë është përshkallëzimi më i tmerrshëm i një tragjedie njerëzore, të prodhuar nga frika e lidershipit politik për të bërë paqe me armikun historik. Ky është thelbi.
Atyre shqiptarëve, kudo që janë, të cilët në emër të besimit tek Allahu, u vërsulën me një urrejtje të pacak kundër Izraelit, nëpër të gjitha rrugët e botës digjitale, duke glorifikuar kafshërinë e terroristëve të Hamasit, u sugjeroj vëllazërisht të ulen në gjunjë e ta lexojnë Kuranin me sytë e mendjes së tyre. Jo të më dëgjojnë mua, po t’i binden profetit Muhamed (paqja e Zotit qoftë mbi të) kur i porosit, “Mos jini njerëz që kërkoni hakmarrje, po falni dhe pajtoni. Mos kërkoni dhe ushqeni sherr e përçarje, po jini ata që pajtojnë, duke i bërë njerëzit bashkë”.
Le të kthehemi tek armata e hedhur në veprim përmes të gjitha kanaleve, portaleve e socialeve nga Prishtina e deri në Tiranë, për të masakruar “vëllaun e Vuqiqit” apo “të kapurin nga Vuçiçi”, sipas së cilës unë kërkova të njëjtën gjë si armiku në Beograd: Pushtimin e veriut nga KFOR-i!
Sa herë akt-akuza ndaj meje, rivjen në sallën e gjyqit nacional-folklorik të televizorëve e të smartfonëve të mexheliseve tona, këtej e andej bjeshkëve, rivijnë bashkë me akt-akuzën edhe ca thirrje nga salla kundër Europës, si “kuçka e vjetër që s’na ka dash kurrë” dhe që “i duhet tregu venin me bashkim kombëtar”,
apelet për armatosje gjer në dhëmbë për luftën finale me serbin, se “kuçka e vjetër do na lejë në baltë” siç na ka lënë gjithmonë e lloj – lloj klithmash nacionaliste, që tingëllojnë si të folurat me vete gjatë delirit të gjatë në bunkerin enverist.
Këtyre thirrjeve të zakonshme momentesh të pazakonshme, iu shtuan këtë herë edhe piskamat për sovranitetin e kërcënuar nga kërkesa ime e përsëritur për NATO-n, që KFOR-i të marrë në kontroll veriun, ku kufiri me Serbinë është katandisur prej vitesh në një rrjetë të çarë ngado, prej nga hyjnë serbes armatime, drogë e dreqi me të birin, ndërkohë që forcat ekzistuese të kontrollit të kufirit janë krejt të pamjaftueshme. E ngatërrojnë siç e ngatërroi dhe parafolësi me çfarë unë kam shprehur më parë. Nuk kemi ardhur aty dhe nuk duhet të vijmë aty. Ajo ëhstë tjetër fazë. Unë këtu flas për përgjegjësinë absolute që KFOR duhet të marrë për ta vënë në kontroll veriun, gjë që forcat e kosovës nuk e bëjnë dot objektivisht.
Këtë të forcave të pamjaftueshme e thonë vetë së fundmi edhe udhëheqësit e lartë të Kosovës në fakt, ndërkohë që KFOR-i ka shprehur sa herë ka kërcitje pakënaqësitë për nivelin e bashkëpunimit me shtetin e Kosovës, sepse përtej arsyeve të tjera që mund të ketë, qartësisht nuk ka forca të mjaftueshme për të kontrolluar situatën e rënduar dhe pastaj justifikohet, që nuk kemi bashkëpunim si duhet, por ja që, si gjithmonë, edhe kur unë them të njëjtën gjë si udhëheqja e Kosovës, për plot të armatosur me fejsbuk andej e këtej për disa të helmuar nga ai planeti tjetër këndej, jam po aq Esat Pashë, sa edhe kur nuk them të njëjtën gjë me udhëheqjen e Beogradit.
Ç’është e vërteta kjo mua më siguron që kam thënë gjënë e duhur për interesin e Shqipërisë dhe të Kosovës bashkë.
Po cili sovranitet iu rrezikuaka Kosovës nga shtimi i forcave të NATO-s në veri dhe si duhet kuptuar ky sovraniteti tjetër aktuali, kur në atë zonë ndizet e shuhet konflikti sipas axhendës së individëve e grupeve, që jo vetëm janë një miks i politikës ultra-nacionaliste serbe me llumin e krimit të organizuar, po gëzojnë edhe mbështetjen e turmave të indoktrinuara atje dhe të varfëruara nga izolimi i banorëve të atjeshëm, të cilët ushqehen me lëmoshat e Beogradit e të tutorëve të krimit të organizuar, ndërkohë që shtetit sovran të Kosovës nuk i njohin asnjë autoritet dhe nuk i paguajnë asnjë taksë, e madje asnjë faturë dritash, që nga viti 1999.
Ndjesë, po mua kjo mënyrë e qasjes ndaj një problemi kaq serioz, më duket si alibi për të mbajtur gjallë burimin e konfliktit dhe jo si shqetësim logjik për sovranitetin e territorit të Republikës së Kosovës, garanti më i fortë e më i padiskutueshëm i të cilit është prania NATO-s, jo turma e sherrxhinjve me profile publike e me profile fallco, që mësyjnë në rrugët e komunikimit në këto raste për të shkatërruar armikun njëherë e mirë.Ata nuk garantojnë asgjë.
KFOR-i nuk është një ushtri pushtuese në Kosovë, po është njësia e çlirimtarëve ndërkombëtarë të Kosovës apo nuk e mbajnë mend të gjithë këtë? – se helbete koha kalon dhe kur tjetri të ruan shpinën prej shumë vitesh, pasi të ka shpëtuar kokën, ekziston edhe mundësia që fillon të gënjejë mendja sikur rreziku nuk ekziston më, madje sikur edhe kokën e ke shpëtuar pa ndihmën e askujt, prandaj mund të të duket deri edhe sikur ai që të ruan, në fakt po të spiunon pas shpine për llogari të atij nga i cili të shpëtoi kokën!
Por fakti i thjeshtë është se KFOR-i do të vazhdojë të rrijë në Kosovë, deri kur dialogu i normalizimit me Serbinë të jetë kryer me sukses, të jetë garantuar paqja përfundimtare dhe Kosova të jetë njohur përfundimisht si shtet nga të gjithë.
Kështu që kush e sheh sovranitetin e Kosovës të kërcënuar nga kërkesa ime për KFOR-in, duhet t’u shpjegojë shqiptarëve, pse rrjeta e kufirit në veri është e çarë nga të katër anët?
Si hyjnë aq kollaj në atë zonë prej vitesh tanimë armatimet e panumërta?
Çfarë garancish ka që vrasja e efektivit të policisë nuk do të përsëritet, largqoftë edhe më keq?
Cila është rruga alternative e përparimit drejt qëllimit strategjik, drejt kryeqëllimit kombëtar të njohjes përfundimtare të shtetit të Kosovës përmes dialogut të garantuar nga aleatët strategjikë, i cili kërkon vetvetiu qetësi atje dhe si mund të garantohet qetësia atje, në mënyrë përfundimtare nëse në mënyrë përfundmtare nuk garantohet paqja zyrtare dhe jo paqja me mua ose me Shqipërinë, por paqja me Serbinë se paqj bëhet me armikun , nuk bëhet me vëllain.
Dhe, mbi të gjitha, për cilën arsye në botë duhen harxhuar kaq shumë energji, kohë e kredite ndërkombëtare të Kosovës, në një rrugë kaq zhgënjyese, si për nga rezultatet reale të dialogut, ashtu edhe për aleatët strategjikë të Kosovës, ndërkohë që problemi i vërtetë është, se pikërisht sovraniteti shtetëror i Republikës së Kosovës mund të lëndohet pikërisht prej një rruge të tillë. Problemi nuk është lëndimi imagjinar i sovranitetit nga rritja e konsiderueshme e trupave të KFOR-it dhe vënia nën kontroll real e atij territori, ku çdo ditë mund të sjellë një telash të ri antishtet për Republikën e Kosovës!
Natyrisht këto janë pyetje retorike dhe s’kam shpresë se hëpërhë do ma lehtësojnë akt-akuzën si tradhëtar, përderisa edhe një lapsus i prestigjozes Financial Times, e cila në zbardhjen e intervistës sime të dhënë me telefon, kishte harruar si me nxitjen e dreqit fjalën “veri” përpara fjalës “Kosovë” (çka u korrigjua menjëherë bashkë me ndjesën publike të gazetarit britanik, siç i takon një gazetari që e meriton këtë titull fisnikërie në ditët e sotme), ku unë e karakterizoja veriun e Kosovës, jo Kosovën natyrisht, me shprehjen e njohur anglisht, “no man’s land”. Po pse nuk qenka “no man’s land kur aty lulëzojnë aktivitete të paligjshme, kriminale, kur aty nuk ka asnjë kontroll dhe nuk ka asnjë mundësi të parashikosh se çfarë vjen nesër? Çfarë ishte Lazarati. “ No man’s land” Shumë e thjeshtë.
U nxorën nga konteksti me një frymë dhe u keqshfrytëzua me epsh të posaçëm, nga sazexhinjtë dogmatikë dhe nga kalemxhinjtë e Prishtinës zyrtare e të Tiranës përfshirë edhe sazexhinjtë patetikë të planetit NonGrata, që e futën me vrap si provë në dosjen e akt-akuzës mbi shërbimin tim ndaj Beogradit.
Dihet, atyre që propagandojnë dhe pasurojnë akt-akuzën ndaj meje si agjent i Beogradit, nuk u intereson fare as përgjigja ime, as e vërteta, as debati i shëndetshëm demokratik, po u intereson vetëm ushqimi i sherrit, mbajtja ndezur e konfliktit, shfrytëzimi dhe jo prerja e thonjve të krizës në veri të Kosovës. Ato thonj ju interesojnë dhe kjo është tragjedia e Kosovës sot.
sepse kësisoj numërojnë me mend se sa vota shtojnë, se sa kundërshtarë politikë dobësojnë, se sa armiq të jashtëm e të brendshëm pjekin në hellin e demagogjisë nacional-folklorike, për të nginjur miletin me lugë bosh.
E vërteta më e hidhur është se e gjithë kjo tollovi gërmash dhe gërgërrmash shqip, ku në lumenjtë e marrëzive të thëna e të shkruara nga të dyja anët, gjaku i dëshmorëve të Kosovës, nga komandanti legjendar Adem Jashari tek efektivi i policisë Afrim Bunjaku, përzihet me vrerin e inateve politike provinciale, i cili pastaj shpërndahet në rrjetet sociale me video për të diskredituar Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Ramush Haradinajn e Isa Mustafën apo me dacibao të afishuara në Fej Sbu Ki, tamam si në kohën e revolucionit kulturor kinez, për Sekretarin Amerikan të Shtetit dhe për të tjerë përfaqësues të vendeve aleate, nuk më bën dëm mua, kjo është e vërteta më e hidhur, nuk na bën dëm ne, po i bën dëm dinjitetit të Kosovës, marrëdhënieve strategjike mes Kosovës dhe komunitetit euro-atlantik, si edhe vetë procesit të shtetnjohjes përfundimtare të Kosovës.
Unë Albin Kurtin e kam mik më shumë se sa Ramush Haradinajn, me të cilin në një segment të caktuar të këtij rrugëtimi jam gjendur në një konflikt personal, kur ai ishte kryeministër.
Ndërsa me Albinin s’kam pasur kurrë asnjë problem personal, madje në nivelin personal e kam kënaqësi çdo bisedë me të.
Por, me kryeministrin aktual të Kosovës kam divergjenca botëkuptimore, mbi mënyrën se si arrihet tek qëllimi i përbashkët kombëtar. Prandaj marrëdhënia miqësore, nuk ka më ka penguar me të tjerë më parë dhe nuk ka se si më pengon sot, as që t’i kem dhe as që t’i shpreh divergjencat e lidhura pazgjidhshmërisht me detyrën time si kryeministër i Shqipërisë, jo me mua personalisht.
Por gjithashtu fakti që me Ramushin kemi pasur një krisje në miqësi, nuk ka sesi më pengon që të shpreh këtu, publikisht, neverinë time më të madhe, për një video propagandistike të porositur dhe të shpërndarë ditët e fundit përmes tastierave të luftës civile digjitale, ku Ramushi shfaqej duke trokitur gotat në një koktej me përfaqësuesit e Listës Serbe dhe bëhej copë nga trollsat e trushpëlarjes kinse patriotike!
Po e dini si është puna?
Ramush Haradinaj, si çdo komandant tjetër që ka parë gjakun në fytyrën e shokëve të vrarë nga plumbat e Serbisë fashiste dhe si çdo luftëtar që ka fituar luftën me armë të vërteta, duke varrosur vëllezër e shokë lufte të vrarë e duke rrezikuar ta marrë edhe vetë plumbin e armikut në ballë, e nuk ka luftë imagjinare për të bërë, duke hapur varre digjitale në Facebook për ata që mendojnë ndryshe, pa rrezikuar asgjë, i fshehur pas profilive fallco, nuk ka sesi ta ketë problem të trokasë gotat me deputetë serbë të Kosovës në një koktej krejt të zakonshëm, madje në praninë e mediave mesa pashë – se mund të ishte edhe në një mjedis privat dhe prapë do të ishte e neveritshme, po të sulmohej për diçka të tillë me këto mjete kineze të kohës së Mao Ce Dunit, duke u futur në rreth si tradhtar i kombit.
Kush nuk ka mizë nën kësulë dhe kush nuk ka gurë për të hedhur pa e fshehur dorën, bën luftën kur është për të bërë luftën dhe bën paqen kur është për të bërë paqen!
Prandaj turpi i mbuloftë ata që sot e harrojnë me lehtësinë e një puple, se pa qindra e mijëra ramushët e UÇK-së, sot nuk do ta gëzonin, lirinë e shprehjes deri në mundësinë e abuzimit ekstrem, lirinë e shprehjes dhe as do kishin shans fare të derdhnin përditë plumba fjalësh, shqiptarë kundër shqiptarësh, për turpin e dheut, në një inerci ku përplasja demokratike mes kundërshtarësh politikë, ka degraduar në një luftë të vërtetë civile digjitale, e cila e merr frymëzimin këtu në Kuvendin e shqipërisë, e merr frymëzimin atje në Kuvendin e Kosovës dhe nga odat mediatike të debateve pa pikë yndyre, ku tjetri sulmohet për t’i shembur dinjitetin personal me akuza nga më monstruozet, jo për t’i rrëzuar argumentin, me forcën e logjikës së kundërargumentave.
Mbase ata në Prishtinë i shtojnë votat duke ekspozuar mendjelehtësinë e Amerikës, dritëshkurtësinë e Europës dhe moskokëçarjen e Ramushit për t’i thënë “Zhiveli” një deputeti serb, si edhe duke shtuar agjentë e spiunë në listën e armiqve të popullit, i cili sipas manifestit të luftës për triumfin final të partisë, duhet t’i dijë kush janë e duhet t’i masakrojë sa më shpesh në internet me libër shtëpie, deri në ditën e gjykimit me votë.
E ja bujrum, së fundi, rroftë sebepi i Serbisë, armiqtë e popullit nuk janë emra dosido, po deri edhe Kryeministri i Shqipërisë, tradhëtari i kombit Edvin Ramoviçi dora vetë.
Gëzuar! Zhiveli! Bjerini fort daulleve, burive e tastierave për të luftuar më shumë Ramoviqin, sesa vetë Vuqiqin!
Po ama këtu në Tiranë, këtu vetëm thellohen fitoret imagjinare të armatës së kapur pas së shkuarës,
në përpjekjen për të marrë nën kontroll të ardhmen, siç ndodhi së fundmi edhe në Kukës, në kulmin e luftës me kryeministrin tradhtar albanofob të kapur nga Vuçiçi, ku nismëtarët e këtij mocioni patriotizmi elektoral që po debatojmë sot, arritën një rezultat historik – natyrisht fitorja u vodh, sy për sy, nga dora e zezë e Beogradit, e futur në dorashkën e shitur të Tiranës, po rëndësi ka që ata jo vetëm fituan, po e thelluan fitoren.
Edhe më shumë do ta thellojnë në zgjedhjet e ardhshme, keni për ta parë!
Thënë sa më lart, jam i detyruar ta informoj parlamentin sot, se mua edhe kjo furi e radhës, nuk më ka lëkundur as bindjen në krejt linjën e veprimit strategjik të politikës sonë të jashtme në rajon, as ndjenjën e përkatësisë e të përgjegjësisë për Kosovën, si një pjesë e ndarë dhe e pandarë e atdheut tim, e atdheut tonë, në këtë fazë kur rrezikut të humbjes së paqes pas fitores së luftës, i është shtuar më shumë se asnjëherë në këto vite, edhe për shkak të rritjes së veprimit të Rusisë kundër stabilitetit të rajonit, rreziku i përshkallëzimit me armë përmes nxitjes së konfliktit në veri.
Nuk ma ndryshojnë këto furi irracionale as vijën strategjike të qasjes pragmatiste ndaj Serbisë, të cilën, duam s’duam, jo vetëm jemi të dënuar ta kemi fqinjën tonë matanë bjeshkëve, po jemi edhe të detyruar ta shohim me sytë e sigurisë sonë kombëtare, të ardhmërisë së përbashkët në të njëjtën lagje të Europës, e të bashkëpunimit rajonal mes të gjithë fqinjëve të kësaj lagjeje, ashtu siç na e kërkon dhe imponon edhe Procesi i Berlinit – sa për një kujtesë të vogël, Procesi i Berlinit gëzon mbështetjen entuziaste të qeverisë së Kosovës dhe samiti i tij i këtij viti, do të mbahet për herë të parë jashtë kufijve të BE-së, aspak rastësisht, këtu në Tiranë, fiks në vendin ku sipas patriotëve elektoralë i ishin vënë minat Procesit të Berlinit. Erdhën gjermanët vunë ato antiminat, nuk gjetën asgjë këtu dhe thanë do ta bëjmë këtu se ëhstë vendi më i mirë për të bërë Procesin e Berlinit në rajon.
Serbisë ne nuk i kemi lënë dhe nuk do t’i lemë mangut pa ia thënë, edhe në sy edhe para syve të botës, asnjë gjë që duhet të dëgjojë prej nesh, ashtu sikundër komunitetit euroatlantik si kemi lënë mangut dhe nuk do t’i lemë pa thënë asnjë gjë që duhet të dëgjojë për Serbinë nga ne, siç bëmë edhe pas ngjarjes kriminale të Banjskës.
Por Shqipëria nuk e ndihmon Kosovën duke i shkuar pas edhe kur udhëheqja e saj ekspozon dobësinë e pashmangshme që sjell në skakierën gjeopolitike, një pozicionim i përcaktuar nga nevojat e politikës së brendshme. Nuk funksionon. Kjo nuk ka ndodhur më parë dhe nuk ka për të ndodhur më pas. Nëse merr përsipër ta lëvizësh gurin në atë skakierë duke marrë parasysh skakierën brenda, dili për zot.
Shqipëria është shtet me një pozicionim gjithnjë e më të konsoliduar në vendin që ka për interesat e shqiptarëve, të të gjithë shqiptarëve, – ju siguroj për këtë, – që s’kanë patur kurrë një mbrojtëse më të zonjën dhe më të dëgjuarën sesa Shqipëria e sotme dhe Shqipëria nuk ka shans, nuk e ka të mundur të bëhet bedel i asnjë politike ditore, përfshirë dhe në Kosovë që mund të dobësojë pozicionin tonë ndërkombëtar, pozicionin tonë në skakierën gjeopolitike të rajonit dhe të komunitetit euroatlantik. Këtu nuk jemi në një lagje që ndajmë “kush është kush”, “për inat të kujt dhe kujt”.
Prandaj këto furitë e qorr-belasë patriotike e cila historikisht qysh prej kohësh të largëta në fakt, iu ka dhënë armiqve të kombit tonë vazhdimisht argumente, që shqiptarët nuk kanë aftësi shtetbërëse, mua më shton vetëm keqardhjen për ata të cilët në të vërtetë dhe këtë dua ta dëgjoni mirë, nuk më ndan në këtë aspekt të politikës sonë të jashtme, as Serbia , as ‘’vlla Vuqiq ’ apo kapja nga Vuçiçi, as gatishmëria për të denoncuar më zë të lartë çdo akt të dënueshëm të palës serbe, po më ndan diçka sa e thjeshtë për tu kuptuar për të gjithë ata që duan ta kuptojnë , aq edhe serioze për të mos u marrë seriozisht. Më ndaj Shqipëria, si shembull i kahershëm i paqes dhe stabilitetit në rajon dhe interesi strategjik i të gjithë kombit shqiptar si kombi më i fituar në rajon në këto vite, ku shqiptarët janë më mirë të përfaqësuar dhe më shumë të respektuar se kurrë, hiç, kurrë, asnjëherë më parë në historinë e tyre dhe ku si asnjëherë më parë prej jo pak vitesh tanimë, edhe këtu edhe në Kosovë, edhe në Maqedoninë e Veriut, edhe gjetkë e kemi ne në dorë, e kemi vetë në dorë. Nuk e kanë në dorë të tjerët, e kemi vetë ne në dorë se si i çojmë përpara interesat tona kombëtare duke u bërë më të zotë, duke u bërë më të besueshëm, duke u bërë më të fortë, duke u bërë më të respektuar ndërkombëtarisht, duke mos e lenë në asnjë mënyrë të shkuarën të diktojë përpjekjen tonë për të ardhmen dhe duke mos e harruar në asnjë dekikë të vetme për sa kohë marrim përsipër ta përfaqësojmë këtë popull se ky vend dhe ky komb ia ka dalë më së miri në këto vite, jo falë izolimit heroik nga komuniteti euroatlantik, por falë lidhjes së fortë, bashkëpunimit dhe bashkëveprimit hap pas hapi me të. Kush ka një mendje tjetër pastë fat!
Kjo e fundit nuk do të thotë që të jemi yesmenë pa gojë të aleatëve tanë të mëdhenj dhe nganjëherë dhe pa dinjitet fare të partnerëve të rëndësishme rreth e rrotull për çdo gjë që thonë dhe çdo gjë që pretendojnë nga ne, siç bënin deri dje ata që përfaqësonin Shqipërinë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Dhe as të mos e ngremë zërin tonë kurdoherë që fjala e shqiptarëve duhet të dëgjohet kudo qoftë që duhet të dëgjohet, përballë kujtdo qoftë që duhet ta dëgjojë. Si mund t’i marr unë seriozisht? Po si mund t’i marrë shumica e shqiptarëve seriozisht uturimat e konsumatorëve të patriotizmit elektoral në tiranë apo në Prishtinë kur këta janë fiks të njëjtët?
Janë po ata që jo vetëm e kanë braktisur për së gjalli në betejën kulmore për nderin dhe për historinë e lavdishme të UÇK-së atje në Hagë udhëheqësin politik të luftës çlirimtare, kryeministrin dhe presidentin e Kosovës dalë nga lufta, por edhe në mungesë ku ai ka duart e lidhura dhe gojën e mbyllur e fyejnë pabesisht dhe egërsisht me kamxhikun e një populizmi skandaloz nëpër rrjete sociale dhe kanale televizive fushatash ku e ekspozojnë si kokën e së keqes, të krimit, të hajnisë në Kosovë. Sipas këtyre mjeteve poshtëruese për historinë e Kosovës së lirë, për institucionet e Kosovës demokratike, për vetëdijen e një shteti në ndërtim e sipër që nuk mund të luajë cinglash kur duhet të bëhet një herë.
Duket sikur Kosova nuk është çliruar akoma nga Serbia, por ama nënkuptohet në mënyrë skuthe përmes këtyre videove, mesazheve, komenteve se siç u çlirua nga Hashimi, do çlirohet edhe nga Serbia. Kjo është një pabesi çedukative dhe nuk është një pabesi thjeshtë ndaj atyre që janë atje në Hagë. Janë në Hagë se ishin në krye të ushtrisë që sollën lirinë e fjalës dhe pluralizmin në Kosovë, por është një pabesi çedukative ndaj gjithë brezit të ri të Kosovës i cili nuk e ka parë luftën dhe falë kontributit të tyre gëzon lirinë. Ama bie pre kollaj e klisheve të manipulimit të mendjeve që nuk janë të informuara sa duhet dhe si duhet dhe që janë të rrëmbyer në ato vorbullat marramendëse të rrjeteve sociale ku ai brez lëkundet si një varkë mes dallgëve të jetës përrallore të familjes Kardashian dhe sherreve primitive të familjeve politike shqiptare.
Ata që e sollën atë draft rezolutën që u bë sebep për këtë mocion me debat dhe që sjellin në fakt rregullisht një vit po një herë, por dhe më shpesh drafte të tilla deri dhe për ta çuar në këmbë nga varri gjithë armatën e viktimave të komunizmit që të luftojë me diktaturën komuniste, a na thonë dot se jam kurjoz, pse nuk e kanë sjellë deri sot ndonjë draft rezolutë për t’i bërë thirrje botës demokratike të hulumtojë burimin nga rrjedh procesi gjyqësor ndaj Hashim Thaçit dhe tre komandantëve të tjerë të UÇK? Si dhe të monitorojë se si po respektohet në atë proces parimi i shenjtë demokratik i prezumimit të pafajësisë bashkë me të drejtën themelore të një procesi të rregullt gjyqësor? Unë për vete di ta them pse shumica qeverisëse nuk e ka sjellë dhe nuk ka për ta sjellë një draft rezolutë për çka po thashë. Dhe ja pse!
Ky moj zonja e zotërinj të nderuar, është Kuvendi i një shteti, nuk është bahçja e 7 partive tuaja. I një shteti që ka të gjitha mjetet në dispozicion për ta ngritur ndërkombetarisht në çdo instancë të botës demokratike këtë shqetësim dhe e ka bërë dhe do ta bëjë deri në fund kurdoherë, kudo, përballë kujtdo që duhet ta dëgjojë të vërtetën rrëqethëse mbi burimin dhe rrjedhën e atij procesi ashtu siç ka bërë dhe do bëjë deri në fund kurdoherë, kudo, përballë kujtdo përmes kësaj qeverie detyrën në mbështetje të domosdoshmërisë së njohjes përfundimtare të Kosovës. Duke i thënë të vërtetat siç janë, jo siç kemi qejf ne që të jenë apo siç kanë qejf ata të tjerët që të jenë. Duke ngritur zërin siç duhet për ata që duhet të na dëgjojnë, jo për ata që duhet t’i manipulojmë e t’i sjellim te kutia e votimit. Duke i parë në kokërdhok të syrit të gjithë ata që duhet t’i dëgjojnë dhe jo duke sulmuar nga ferrat e institucioneve përmes ushtrive të luftës civile digjitale këdo që është pozicionuar ndryshe.
Po ju, mirë që se keni bërë këtë, po pse se keni nxjerrë një herë një fjalë goje? Qoftë dhe ta lani një herë gojën tuaj patriotike me atë dramë që nuk luhet vetëm në lëkurën e Hasshim Thaçit, të Kadri Veselit, të Jakup Krasniqit, të Rexhep Selimit. Ajo dramë luhet mbi pasqyrën e stërmadhe të gjakut të lirisë së derdhur, të gjakut të derdhur për lirinë e Kosovës. Ajo dramë luhet mbi ngrehinën e brishtë të shtetit të ri të Kosovës, ajo dramë luhet mbi pastërtinë e flamurit të pavarësisë së Kosovës dhe akoma më tutje ajo dramë luhet mbi figurën e vetë Kosovës në sytë e botës, e cila akoma jua kujtoj, në gati gjysmën e saj, nuk e njeh akoma të drejtën e ekzistencës së Kosovës si republikë.
Po a ka mundësi vërtetë që ju të mos e kuptoni, se ata në Prishtinë që heshtin si ju, tamam si fija e barit e di që e kuptojnë fort mirë që ato akuza të përgjithshme të lëshuara tufa-tufa si shigjeta në atë sallë gjyqi kafkian, udhëheqësit e UÇK duhet të përgjigjen, jo për ndonjë krim të kryer apo të urdhëruar personalisht prej tyre, por duhet të përgjigjeshin për të gjitha ndodhitë fatkeqe mes luftës ku janë vrarë njerëz lartë e poshtë nëpër Kosovë. Nesër Kosova mund t’i ketë largqoftë shigjeta në fytyrë jo më nga gjykatësit e Hagës, por nga palë, nga forca nga shtete me interesa të tjera nga tonat, të kundërta nga tonat, të ndryshme nga tonat, por edhe thjeshtë, jo plotësisht të përputhura me tonat që pastaj do t’iu përgjigjen kërkesave për njohje të Kosovës, duke treguar që edhe gjykata ndërkombëtare, kinse vendore speciale, provoi që ajo republikë ka lindur nga krimet kundër njerëzimit.
O Zot!
Vetëm parafytyrimi se nesër një vendim largqoftë fajësie i dhënë nga Gjykata Speciale për udhëheqjen e lartë politike të UÇK, si të ishte komanda supreme e një ushtrie të rregullt fashiste që ka kryer krime lufte mund të kthehet në argument për të frymëzuar, për të nxitur, për të orkestruar dhe për ta penguar në pafundësi formësimin e plotë të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, duhet të na lërë të gjithëve pa gjumë. Nëse, ka një “nëse” këtu. Nëse nuk duam vërtete ta lëmë pa e arritur fare kryeqëllimin e përbashkët edhe tua u pasojmë gjeneratave të tjera, si barrë mbi shpinë që ta arrijnë bashkë me kushedi çfarë telashesh mund të prodhojë kjo zvarritje pafund të zgjidhjes përfundimtare të problemit mes Kosovës dhe Serbisë, – se dëgjoj edhe disa që janë më të mençur se unë që thonë “Nuk ka problem, ne mund të rrimë edhe 100 vjet pa bërë paqe me Serbinë” që i bie të rrimë, në fakt, edhe 100 vjet pa e formësuar plotësisht subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës! Seriozisht?!
Por, se duhet t’i përgjigjem pyetjes “si ka mundësi?” Arsyeja e braktisjes ulëritëse të atyre atje në Hagë nga të gjithë ata që i kanë braktisur, në fakt, si të gjithë arsyet e zvarritjeve të shqiptarëve në historinë e tyre është një tjetër, sa banale aq edhe koherente me gjithë thelbin e qorrbelasë politike që e përndjek shqiptarinë dhe që e përndjek shtetin shqiptar që nga viti 1912. E dini si e ka emrin? Urrejtje! Urrejtja për Hashim Thaçin, si fitimtar i luftës që donte medoemos të fitonte dhe paqen.
Po atë shprehjen, “të djegësh jorganin për një plesht” e keni parasysh?
Nuk ka kafshë më të keqe se njeriu kur humb arsyen dhe nuk ka egërsi të dytë si ajo e pleshtit të urrejtës brenda njeriut. Hashim Thaçi natyrisht, është një shqiponjë që edhe në kafazin e Hagës i pengon jo pak koka politike apo të politizuar shqiptarësh të mendojnë të lirë për sesi duhet ta fitojnë luftën diplomatike me Serbinë që u mund me armë dhe me zgjuarsi diplomatike prej thuajse çerek shekulli nga Hashim Thaçi me shokë, që ngritën botën në këmbë me ato pushkët e tyre. E prandaj, shumëkush andej dhe disa këtej janë gati të djegin për pleshtin e urrejtjes së tyre, jo thjesht jorganin e sigurisë së Kosovës bashkë me jorganin e sigurisë së Shqipërisë, por të djegin vetë procesin e formësimit të plotë të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, i cili kalon vetëm dhe vetëm përmes shtegut të vështirë të dialogut, të normalizimit dhe paqes përfundimtare me Serbinë, krah për krah me aleatët tanë strategjikë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian dhe nga asnjë shteg tjetër, me çdo teori dhe praktikë tjetër, për t’ia dalë këtij krye qëllimi që është ekzistencial për shtetin e Kosovës, mund t’iu shiten iluzione votuesve për zgjedhjet e radhës, duke ua marrë mendjen me fabulën politike se si Kosova u çlirua nga Hashimi apo sesi po mbrohet Kosova në llogore nga Serbia apo nga perëndimorët mendjelehtë që nuk e kuptojnë Serbinë dhe që kanë harruar këtë e atë, se kanë harruar dhe vetë historinë e tyre, por me këto, plotëformimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës nuk arrihet kurrë, përkundrazi, shtyhet pafundësisht!
Por të paktën është mirë që teoricienët dhe praktikantët e patriotizmit elektoral, ta dëgjojnë dhe këtu sot se për mua nuk ka nder më të madh në raport me Kosovën se të jem i bashkakuzuar me Hashim Thaçin si tradhtar dhe nuk ka provë më të madhe sesa kjo akt-akuzë e përbashkët me Hashimin për dritëshkurtësinë dhe për papërgjegjshmërinë historike të përpiluesve të saj.
Ata kujtojnë se lufta diplomatike me Serbinë fitohet duke shkarravitur flamurin e fitores së lavdishme të UÇK-së, e cila duhet të jetë krenari shekujsh për shqiptarët, ku shkarravitësit e sotëm të saj do jenë harruar pa nam dhe pa nishan, meqë ra fjala.
Ata kujtojnë se lufta diplomatike me Serbinë fitohet, duke u izoluar nga aleatët e mëdhenj të Kosovës, pa të cilët UÇK-ja nuk do ta kishte fituar dot kurrë luftën dhe Kosova nuk do të ishte njohur kurrë si shtet nga thuajse gjysma e botës dhe fatkeqësisht, kujtojnë se lufta diplomatike me Serbinë fitohet duke nxitur armiqësi ndaj qeverisë së Shqipërisë dhe pastaj edhe ndaj meje personalisht.
Më vjen shumë keq, por shyqyr as kemi nevojë të marrim leje, as marrim dhe as do të marrim ndonjëherë leje nga askush për ta mbështetur kauzën e shtetnjohjes përfundimtare të Kosovës kudo dhe kurdoherë, me këmbëngulje, me urtësi dhe me vetëdijen e kësaj kohë që jetojmë, kur historia nuk shkruhet me parulla duke parë nga e shkuara, por me veprim strategjik dhe me sytë nga e ardhmja dhe që sigurisht nuk shkohet si Oso Kuka dhe i vetëm trim në luftë, por shkruhet dorë për dore me po ato aleatë që dorë për dore, me burrat dhe me burrneshat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e shkruan historinë e fitores së lirisë së Kosovës, me armët e UÇK-së dhe me bombat mbi kokën e regjimit të së keqes së madhe të Kosovës, në Beograd.
E mendoj shpesh në këto raste sa herë mund të rrotullohet në varr i ndjeri Ibrahim Rugova kur sheh nga atje lart sesi djemtë dhe vajzat e sotme të Prishtinës i bëjnë karshillëk komunitetit euro-atlantik nga frëngjitë e zyrave të shtetit të Kosovës, ndërkohë që ai komunitet, përmes Gjermanisë dhe Francës, u ka vënë mbi tryezë një plan daljeje përfundimtare në dritën e subjekteve shtetërore të Kombeve të Bashkuara, por nuk arrijnë dot t’i mbajë ulur në tavolinë derisa kur Serbia të dorëzohet diplomatikisht.
Ku do dorëzohet Serbia, atje në veri? Serbia do dorëzohet diplomatikisht në tavolinë.
Kush ka interes të ikë nga tavolina, Serbia apo Kosova?
Kush ka interes që atë tavolinë ta kapë e mos ta lëshojë më, Kosova apo Serbia?
Pastaj them me vetvete, shyqyr që iku Ibrahim Rugova nga kjo botë pa parë edhe ai ndonjë video propagandistike për tradhtinë e tij dhe pa u kryqëzuar edhe ai me ato gozhdët e helmit digjital si Axha i Vuqiqit.
Nuk është rastësi, por është thjesht vazhdimësia e një vije të vjetër uji të helmuar me nacionalizëm bajraktar, më parë dikur e pastaj elektoral dhe me dritëshkurtësi strategjike dhe papërgjegjshmëri kombëtare që ata andej dhe këta këtej, të cilët rikthejnë në çdo skenë krize në veri të Kosovës dhe në çdo skenë takimi tim me presidentin e Serbisë akt-akuzën për tradhti, janë po ata prapë që mua më shpallin tradhtar të kombit kur u nisa për Beograd, si kryeministri i parë shqiptar në kohët moderne për të shqiptuar publikisht në pallatin e Serbisë dhe në krah të presidentit serb, se Kosova është shtet i pavarur dhe për të bërë thirrje shqip që Serbia të çlirohet nga hija e saj dhe ta njohë Kosovën. E qepën gojën pastaj, siç e kanë qepur përkohësisht herë pas here, kur koha më ka dhënë të drejtë. Do e qepin prapë, kur koha të më japë prapë të drejtë për rrugën drejt objektivit dhe nuk do më japë të drejtë koha se unë jam më i mençur apo se jam më i zoti, aspak, por e kundërta.
Koha do më japë të drejtë pikërisht se nuk jam aq i mençur dhe as aq i zoti që të gënjej, në radhë të parë, popullin që më ka besuar në këtë detyrë dhe pastaj çdo shqiptar, kudo ku jeton, jashtë kufijve të këtij shteti, duke mbyllur veshët kur flasin aleatët tanë të mëdhenj dhe të pazëvendësueshëm me askënd tjetër dhe me asgjë tjetër nëse ne duam t’ia dalim këtij qëllimi, duke mbyllur edhe mendjen, edhe sytë, kur flas për Kosovën apo duke i mbajtur ison kryeministrave në Prishtinë kur pasi vendosin tarifa 100% për të ngritur problemin, i mbajnë tarifat derisa kthehen vetë në problem dhe e bëjnë edhe Kosovën problem apo kur përballen me Serbinë si të ishte një rrugë e dy punë, duke krijuar një rreth vicioz vetë-izolimi për Kosovën, që të zgjerojnë mbështetjen elektorale brenda rrethit të mbyllur.
Po pse, ku hyn këtu interesi i Shqipërisë? Ku hyn këtu ajo shprehja “Kur vëllai i vogël gabon, vëllai i madh duhet t’i thotë vëllait të vogël”. Jo mo jo, kur vëllai i vogël gabon, vëllai i madh i thotë “Rri drejt aty”. Le të hidhen përpjetë ata që kanë miza nën kësulë se janë ata që kanë miza nën kësulë ata që hidhen përpjetë apo që kanë një dorë që do ta fshehin kur hedhin gurin. Po unë presidentin e Serbisë as e kam zgjedhur, as e kemi zgjedhur ne shqiptarët, as do ta zgjedhim dot ndonjëherë ne shqiptarët, ashtu sikundër në dijeni time, Zoti nuk na ka pyetur neve shqiptarëve, kur na vuri serbët ngjitur dhe nuk kam përshtypjen se po t’i drejtojmë një ankesë, ai do ndryshojë mendje dhe do të na i largojë serbët që aty.
Ne jemi këtu, ata janë aty dhe e ardhmja është përpara nesh dhe përpara atyre siç është e shkuara pas nesh dhe pas atyre. Se ç’kemi bërë në të shkuarën e dimë, sesa shumë kemi fituar nga e shkuara e dimë, se ç’duhet të bëjmë me të ardhmen ne e dimë. Prandaj, presidentin e Serbisë e kam takuar dhe do ta takoj sa herë ta gjykoj të nevojshme, në Tiranë, në Beograd, në kryeqytete të tjera kur është mundësia sepse kështu i shërbej më mirë interesit të Shqipërisë dhe të Kosovës bashkë.
Kur të flas apo të veproj gabim, bujrum, jam gati të ndalem. Jam gati t’i dëgjoj të gjithë, por kur flas duke u nisur nga gjëra që s’kanë ndodhur kurrë, si për shembull ajo ndarja e fshehtë e Kosovës nga Vuçiçi, Hashimi dhe unë, a thua se një shtet, se kjo është për të vënë duart në kokë dhe kjo është për tu tronditur nga lehtësia me të cilën manipulohen shumë njerëz që për shkak të besnikërisë ndaj njërit dhe tjetrit, nuk mendojnë me mendjen e tyre, një shtet mund ta ndash fshehtas, siç ndanin pasuritë apo paratë e vjedhura ata që këtu në Tiranë, e shpëtuan Kosovën nga ndarja.
Atëherë, kur ndodh kështu, unë jo që nuk jam gati të ndalem të dëgjoj, po jam dhe më i motivuar të vazhdoj. Serbia e ka humbur luftën me Kosovën!
Shqiptarët duhet të luftojnë për paqen përfundimtare në këtë rajon dhe Shqipëria duhet të luajë rolin e saj si një pjesë, jo si një pjesë e Ballkanit në Europë, Shqipëria duhet të luajë rolin e saj si një pjesë e Europës në Ballkan. Kosova duhet të ulet krah për krah me Shqipërinë në OKB, në të gjitha tryezat e komunitetit euroatlantik. Shqipëria duhet të bëjë të sajën për Kosovën dhe për paqen. Këto po bën dhe këto do bëjë. Asgjë më pak. Kush nuk e kupton sot, s’ka problem. Do ta kuptojë nesër, por sot, unë vëlla mund ta kem këdo që s’më kupton kur flas për paqe, por nuk e dëgjoj sepse dëgjoj Ronald Reagan, që thotë: “paqja nuk është mungesa e konfliktit, po aftësia për ta trajtuar konfliktin paqësisht”, sepse dëgjoj Desmond Tutun që thotë ”nëse do paqe, nuk duhet të flasësh me miqtë, po duhet të flasësh me armiqtë”. Sepse dëgjoj Albert Kamy dhe këta janë të gjithë njerëz që kanë parë luftën, nuk janë poetë që kanë lexuar për luftën apo shkrimtarë që kanë lexuar për luftën, që thotë: “paqja është e vetmja luftë që ia vlen ta fillosh vetë”. Sepse dëgjoj Abraham Lincoln që thotë “rruga më e mirë për ta shkatërruar armikun, është ta bësh mik” dhe as nuk zmbrapsem, as nuk lodhem fare sepse kam në vesh André Gide që më thotë, “është më e lehtë t’i çosh njerëzit në luftë duke u ndezur pasionet, se sa t’i përmbash dhe t’i çosh drejt punës së durueshme të paqes”. Po mbi të gjitha dhe mbi të gjithë, sepse dëgjoj zërin e arsyes historike të kësaj bote që thotë, mes Serbisë dhe Kosovës, luftën e ka fituar Kosova, prandaj mos harro, ai që e ka fituar luftën, është më i interesuar për paqen sesa ai që e ka humbur luftën!
Koha e botës ku jetojmë, e solli që më në fund, shqiptarët t’i fitonin luftërat që duhet t’i fitonin dhe Shqipëria që unë dua, në të gjitha drejtimet, është Europa e Ballkanit, ku nesër të gjithë fëmijët e shqiptarëve, të kenë burimin e krenarisë dhe të besimit te vetja. Jo njëra nga copat e Ballkanit të ndarë nga Europa, me gardhin mendor të së shkuarës, brenda të cilit akoma vihet në diskutim domosdoshmëria e angazhimit tonë kombëtar për paqen përfundimtare në rajon. Akoma!
Akoma vihet në diskutim qëllimet e mëdha për interesat e vogla. Akoma pikturohen tradhtarë e tradhti nëpër mure, sikur nuk ka ikur ende Enveri nga kjo botë. Se ja u kam thënë, Enveri për ne ka ikur, është tek ju që jeton.
Shqipëria mund të barrikadohet në rajon, vetëm nëse Zoti e di me çfarë ne shohim këto vite, një luftë e vërtetë na imponon, këtu apo në Kosovë. Lavdi Zotit, nuk do të jemi vetëm në atë rast, po do të jemi në aleancën më të fortë ushtarake që bota ka parë deri më sot, por kurrë, asnjëherë, Shqipëria nuk do të barrikadohet politikisht ndaj askujt, përfshirë dhe Serbinë pa pikën e dyshimit dhe unë, ne, do të luftojmë për vizionin e shpallur të kësaj force qeverisëse për rajonin tonë, ku interesi ynë madhor kombëtar është të luftojmë për të ndërtuar një paqe që garanton siguri të plotë sepse malli më i shtrenjtë, që do të shtrenjtohet ditë për ditë është siguria, dhe kur siguria humbet, të gjitha të tjerat nuk vlejnë më asgjë. E që garanton mundësi të reja, jo për të nxitur destabilizim dhe për të humbur dhe këto mundësi që kemi.
Do të luftojmë për të afruar sa më shumë të ardhmen e mohuar me shekuj për shqiptarët, jo për të mbajtur hapur që pastaj të ngjyejmë gishtin e votuesit atje në plagët e të shkuarës.
Do luftojmë me strategji dhe me aftësi diplomatike, me sa më shumë aleatë dhe partnerë, me mesazhe të qarta, jo me strategjira tensioni, me kurrizin e kthyer nga aleatët dhe me iluzionin se ne jemi të domosdoshëm për botën demokratike, pa të cilën as do të kishim bërë kurrë kaq progres të paimagjinueshëm deri dje si shqiptarë, kudo ku jetojmë, banojnë, zgjedhim, zgjidhemi në këtë rajon, as do të bëjmë dot kurrë progresin, që ua u kemi borxh krejt fëmijëve të këtij kombi, të cilëve nuk duhet tu trashëgojmë konflikte dhe amanete lufte me armiq, por paqe!
Miqësira tradicionale dhe miqësira të reja, strategjike dhe kapacitete të vërteta diplomatike që ata të bëjnë progres edhe më të madh, edhe më të vazhdueshëm.
Kështu që si përfundim, që ta mbyll, sepse më keni kërkuar gjatë, më keni kërkuar shumë gjatë dhe i keni rënë shumë gjatë këtyre daulleve sepse edhe këtë nuk e mësuat. Të paktën mos më kërkoni, se e dini, sa herë më kërkoni, gaboni. Mos më kërkoni! Po më mori malli, vij vetë. Po s’ më mori malli, rrini të qetë dhe shkoni kapeni qeverinë me karrige atje edhe mos lini të bëhen seancat, se e vetmja mënyrë që ju të hipni në qeveri, është që ju të kapni karriget kur Partia Socialiste është pushim!
Si përfundim, ne që jemi këtej, shumica e zgjedhur tre herë e këtij Kuvendi, e dimë shumë mirë edhe çfarë themi, edhe çfarë bëjmë edhe çfarë duam, siç e dimë pse jemi ne shumica, se ju se keni marrë vesh akoma se jeni pakica, se ju mendoni se jeni shumica dhe prandaj jemi në rregull ne. Ju fitoni, ne qeverisim dhe kështu që ju, ose do votoni rezolutën tonë, atë të thjeshtën, atë të thjeshtën fare, e cila nuk i drejtohet planetit, e cila nuk niset nga prezumimi që ne jemi kërthiza e botës dhe gjitha bota duhet të lexojë rezolutën e Kuvendit tonë, por i drejtohet njerëzve, i drejtohet institucioneve tona, këtej dhe andej kufirit, ose pastaj ato rezolutat tuaja, mund t’i votoni në asambletë e shtatë partive tuaja dhe pastaj kur të gjeni vulën, mund edhe të vulosni atë që do bini dakord dhe duke bërtitur nga shtatë penxheret, “poshtë tradhtarët e kombit, vdekje vëllait të Vuçiçit”!
Ne do të miratojmë këtë, thjesht fare, do të linjëzohemi 100% në shenjë solidariteti me Kuvendin e Kosovës dhe do votojmë se si duhet të vazhdojë më tutje qeveria jonë përpjekjet dhe për çfarë e nxisim miqësisht qeverinë simotër të Kosovës në përpjekjet e panegociueshme për paqen përfundimtare, për sigurinë e padiskutueshme dhe të ardhmen e pashtyshme për 100 vjet të tjera që duam për shqiptarët këtej dhe andej bjeshkëve.
Gëzuar!
/Argumentum.al