Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamje nga Piramida, vendi ku do të mbahet Samiti i Parë i Procesit të Berlinit jashtë kufijve të Bashkimit Evropianë.
Teksa ka shpërndarë pamjet në rrjetet sociale, Kryeministri Rama thekson se gjithçka është gati.
“Gati për Tiranën nesër, kryeqytetin e Europës së Ballkanit, ku do të mbahet samiti i parë i Procesit të Berlinit jashtë kufijve të BE-së”, shprehet Rama.
Këtë të hënë duke nisur prej orës 11:00, pritet të çel punimet në Tiranë, Samiti i radhës i Procesit të Berlinit, i dhjeti takim i këtij Procesi, që ka nisur udhëtimin 9 vite më parë.
Procesi i Berlinit është një iniciativë që synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe dhënien e ndihmës për integrimin e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian.
Ai filloi dhe u prezantua në 28 Gusht 2014, nga Kancelarja Gjermane Angela Merkel. Qëllimet e Procesit u përshkruan në Deklaratën Përfundimtare nga Kryesia Gjerman: “Të bëjmë progres shtesë real në procesin e reformës, në zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura bilaterale dhe të brendshme dhe në arritjen e pajtimit brenda dhe midis shoqërive në rajon”, si dhe të rrisim “bashkëpunimin ekonomik rajonal dhe të hedhim bazat për një rritje të qëndrueshme”.
Procesi i Berlinit po zhvillohet me mbështetjen e Komisionit Evropian, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe shteteve anëtare të përfshira në Proces – Austri, Kroaci, Francë, Gjermani, Itali, Slloveni dhe Mbretëria e Bashkuar së bashku me vendet e Ballkanit Perëndimor. Ai është ndihmë shtesë e procesit institucional të integrimit në BE të shteteve, bazuar në miratimin e acquis-communautaire.
Axhenda e plotë e Samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë:
Në orën 11:00 do të jetë pritja e liderëve
Në orën 11:30 fjala hapëse
Në orën 12:00 nis sesioni i punës, integrimi i rajonit në tregun e përbashkët europian dhe përmirësimi i konvergjencës me BE
Në orën 13:30 fotografia familjare.
Në orën 15:30 nis sesioni i dytë i punës, mbështetja e tranzicionit të gjelbër dhe dixhital në Ballkanin Perëndimor
Në orën 16:45 do të përurohet Kolegji i Europës në Tiranë
Në orën 17:30 do të nënshkruhet marrëveshja rajonale për njohje reciproke të kualifikimit profesional
Në orën 17:45 konferenca e përbashkët për shtyp
Në orën 18:30 ceremonia e inaugurimit të Piramidës