Kryeministri Edi Rama mikpriti sot në mbrëmje Presidentin e Francës Emmanuel Macron, i cili mbërriti në Tiranë, në kuadrin e vizitës së parë zyrtare që një President francez zhvillon në Shqipëri.
Ndalesa e parë e Presidentit të Francës Macron ishte në Pallatin e Brigadave, ku në një ceremoni të posaçme, i dorëzoi shkrimtarit tonë të shquar Ismail Kadare, Dekoratën e “Oficerit të Madh të Legjionit të Nderit”.
“Për këtë rol si poet i Ballkanit, si rapsod i Europës, si lajmëtar i lirisë, për këtë lidhje drithëruese që ju mishëroni kaq çmueshëm mes Shqipërisë dhe Francës, kam nderin sot t’ju ngre në gradën e oficerit të lartë, në urdhërin e Legjionit të Nderit” – u shpreh Presidenti francez Macron, teksa i dorëzoi shkrimtarit Ismail Kadare dekoratën e nderit.
“Të jetosh është të luftosh, thoshte Seneka. Thënien e tij e keni shndërruar në: të shkruash është të luftosh. Ju jeni përfundimisht nga sëra e Solzhenicinit, Kunderës, nga ata që ia rrëmbenit çdo fjalë heshtjes, nga ata që rrezikonit të rëndonit procesverbalin në çdo rresht, nga ata që çdo roman i rrezikonte të ishte epitafi i karrierës së tyre”, u shpreh presidenti francez.
Kjo sipas tij, pasi jetuat dhe krijuat si njeri i lirë, në një vend që nuk ishte i tillë.
“Shqipëria e pasluftës më sovjetike se sovjetët, më staliniane se Stalini, nën zgjedhën e hekurt në një pikë të tillë për të cilën folëm pak më përpara. Ju u rritët në një xhevahir arkitekture, qytetin e Gjirokastrës, në një shtëpi të madhe plot dhoma bosh që ju e popullonit me ëndrrat tuaja”, deklaroi Macron.
“Për këtë rol, si poet i Ballkanit, rapsod i Europës, lajmëtar i lirisë, për këtë lidhje drithëruese që ju mishëroni kaq çmueshëm mes Shqipërisë dhe Francës, kam nderin sot t’u ngrej në gradën e Oficerit të Lartë, në Urdhrin e Legjionit të Nderit”, u shpreh presidenti francez.
/Argumentum.al