REALPOLITIK FLASH NR. 78
1 – 17 TETOR 2023
Mbi 5 ngjarjet kryesore diplomatike, shkurt dhe shqip, me vetëm 1.000 fjalë nga analisti i njohur, Mjeshtër i madh
DR. JORGJI KOTE
1.Gjithë Brukseli në Kiev! Kështu ndodhi më 2 Tetor kur 27 ministrat e Jashtëm të BE-së “zbarkuan” në Kiev për Samitin e tyre informal. Me mesazhe madhore solidariteti me Ukrainën dhe të ardhmen e saj europiane! Takimi pati rëndësi dhe nga momenti gjeopolitik në të cilin u zhvillua; në SHBA, mbas miratimit me shumë vështiësi të buxhetit federal nuk u përfshinë ndihmat për Ukrainën, më 24 Shtator banda të armatosura serbe sulmuan veriun e Kosovës, në Sllovaki erdhi sërish në pushtet Robert Fico pro rus dhe kundër Ukrainës.
Këto ngjarje dhe në përgjithësi një farë zvenitje e predispozicionit dhe te aleatët perendimorë për të ndihmuar Ukrainën kanë hedhur jo pak re dyshimi. Ndaj ky Samit ishte “ qetësues” i duhur për momentin.
2. I treti por jo i vërteti ishte Samiti i Komunitetit Politik Europian më 5 Tetor në Granada, Spanjë. Me pjesëmarrjen e 47 kryetarë shtetesh/qeverish. Si zakonisht” me lugë në brez” takime, foto familjare, mesazhet për Ukrainën, në prani dhe të Presidentit Zelenski. Një vit më parë KPE-ja bëri në Bratislavë Samitin e parë, pastaj në qershor në Moldavi. Asnjë ndryshim, asnjë strukturë drejtuese, asnjë deklaratë për shtyp, asgjë për këtë grupim madhor të inauguruar plot zhurmë dhe bujë. Madje, për ironi të fatit, gjërat kanë shkuar dhe më keq këtë vit. Kujtojmë 24 shtatorin në veri të Kosovës, luftimet për Nagorno Karabakun midis Azerbaixhanit dhe Armenisë, etj. Mirëpo, presidentët e Turqisë dhe të dy vendeve nuk ishin atje për të biseduar në formatin e KPE-së.
As Vjosa Osmani me të drejtë nuk e takoi Vuçiçin dhe asnjë theks të ri për mbështetjen ndaj Ukrainës, madje me disa nuanca hezituese nga ndonjë shtet anëtar i BE-së. Kësisoj, ky Samit nuk vërtetoi dot proverbin e njohur “ E treta, e vërteta”!
3. Kokëlart dhe duarbosh! Një ditë më vonë, më 6 Tetor, po në Granada u zhvillua Samiti Informal i BE-së. I reklamuar me të madhe për 2 risitë e pritshme lidhur me zgjerimin europian në dhjetor drejt Ukrainës/Ballkanit Perendimor dhe projekt marrëveshjes për emigrimin, “thembra e Akilit“ e BE-së por pa rezultat. Për të dyja pati kundërshtime dhe rezerva nga Hungaria dhe Polonia, por jo vetëm. Mirëpo puna nuk pret. Nëse zgjerimi mund të shtyhet dhe mbulohet me fjalë, emigrimi është “bombë me sahat“ sepse gjendja është më serioze se më 2015. 1 milion azilantë kanë hyrë në Europë, por shifrat mund të rriten gjatë dimrit. Për pasojë, liderët europianë “shkuan në Granada kokëlart por u kthyen duarbosh“!
4. Terrori i Hamasit, dështim demokratik dhe diplomatik! Aktet e pashembullta të terrorit të Hamasit ndaj qindra civilëve të pafajshëm hebrej kanë shkaktuar me të drejtë valë të mëdha zemërimi dhe indinjate kudo në botë, duke u dënuar me tonat më të ashpra. Asnjë justifikim nuk mund të ketë për këto akte terrori. Ndaj, me të drejtë Izraeli me solidaritetin e popujve të tjerë dhe atij shqiptar është ngritur në këmbë për të rivendour situatën, për të garantuar paqen, sigurinë dhe stabilitetin. Ndërkohë, kanë filluar diskutimet dhe analizat mbi “ psetë“ e asaj që ndodhi, të cilat do të intensifikohen në javët dhe muajt e ardhshëm.
Sepse qysh tani, ky 6 Tetor, fiks 50 vjet mbas luftës 6 ditore dhe 30 vjet mbas nënshkrimit të Marrëveshjes së Paqes së Oslos që Hamasi nuk e ka njohur asnjëherë po tregon shumë gjëra. Ai dëshmon përshkallëzimin e frikshëm të ekstremizmit, populizmit dhe dështimin e diplomacisë perendimore pas disa arritjeve të mëparshme; si dhe tentativave të saj më të fundit për të realizuar stabilitet ndërmjet aktorëve të tjerë të mëdhenj në Lindjen e Mesme por duke anashkaluar kërkesat e drejta të popullit palestinez për të patur shtetin e vet, siç është rënë dakord qysh më 1948 dhe në OKB. Ndërkohë, 6 Tetori tregoi dështimin e Mossadit të famshëm, sigurimit dhe ushtrisë izraelite. Madje, qeveritë e viteve të fundit e kishin nënvleftësuar Hamasin, nisur nga mendimi se ai nuk do të guxonte të hynte në luftë dhe se do të merrej vetëm me ndihmën për popullsinë që jetonte në kushte mjerane. Kjo e ka shkakun te dështimet qeveritare e sidomos të Kryeministerit Netaniahu i riardhur në pushtet dhjetorin e kaluar, mbas skandalesh të shumta korrupsioni dhe abuzimi me pushtetin. E megjithatë, ai vijoi me populizmin e vet, duke sulmuar demokracinë nëpërmjet dëmtimit dhe cënimit të pavarësisë së drejtësisë dhe gjyqësorit, çka shkaktoi valë të mëdha protestash në Izrael në mbrojtje të demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Ai injoroi paralajmërimet e shumta dhe nga të vetët, nga Ministri i Mbrojtjes, të cilin e shkarkoi por e rimori mbas protestave masive. Ndërsa demokracia e shquar izraelite ka disa vite që merr goditje të njëpasnjëshme, sidomos 2 vitet e fundit, mbas zhvillimit të 4 palë zgjedhjesh të parakohshme parlamentare dhe krijimin e qeverive “me paterica“ ka dëmtuar dhe dobësuar ndjeshëm kohezionin politik dhe social të vendit. Me siguri që do të nxirren mësimet e duhura nga këto pësime madhore tragjike në Tel Aviv, në kancelaritë perendimore por dhe gjetkë; sepse le ta theksojmë, stabiliteti pa demokraci është i rremë, i përkohshëm dhe me pasoja.
5. Berlini dhe fundi i një dualizmi absurd! Padyshim që arritja më e madhe e Samitit të Procesit të Berlinit, zhvilluar më 16 Tetor në Tiranë ishte fundi i dualizmit absurd nga “ Ballkani i Hapur” që në kushtet e tanishme ishte bërë tejet i rrezikshëm. Koha vërtetoi plotësisht analizat dhe parashikimet e bëra dhe këtu në ARGUMENTUM se Ballkani i Hapur lindi dhe mbeti i mbyllur, si mbivendosje ndaj Procesit të Berlinit dhe karshillëk ndaj BE-së, si një megagafë diplomatike; e cila, në vend të na bashkonte na ndau dhe më keq dhe mes vedi. Ai tregoi qartë se pa Kosovën, asnjë nismë rajonale nuk mund të ecë. Prania e dy presidentëve të BE-së, e liderëve të Gjermanisë, Spanjës dhe vizita e Macron, e para e një Presidenti francez në Tiranë tregoi qartë diferencën me Ballkanin e Hapur.
Samiti dha mesazhe të rëndësishme për ekonominë dhe reformat si kusht i domosdoshëm për afrimin drejt BE-së. Mbit ë gjitha, Procesi i Berlinit duhet të ndihmojë për të krijuar frymën dhe atmosferën e duhur për dialog, mirëkuptim dhe besim reciprok, si elementët vendimtarë për paqe, siguri, stabilitet dhe integrim në BE. Pa to, gjithçka tjetër, sado e rëndësishme, do të ishte “pesë me hiç“!
© 2023 Argumentum