Sheshi i Derviçanit prej ditës së sotme do të mbajë emrin e ish-kryeministrit të Greqisë, Konstantinos Mitsotakis.
I pranishëm në ceremoninë e organizuar me rastin e përurimit të këtij sheshi ku u vendos edhe busti i Mitsotakis, Kryeministri Edi Rama vlerësoi figurën e tij si politikan dhe poliglot, ndërsa bëri edhe një historik të shkurtër të jetës së tij.
“Sot kujtojmë dhe kremtojmë me vendosjen e bustit, jetën e një personazhi historik të Greqisë fqinje. Ajo ngjan si imitimi i një rrëfimi romanesk ku e bashkuar e tashmja dhe e ardhmja e një vendi ndërthuren me personazhin në një formë që sa e krijon atë, aq edhe i shkrin ato, gati pabesueshëm me rrugëtimin, ngjarjet, ngjitjet, rrëzimet dhe ringritjet e tij”, tha Rama.
Kryeministri tha se “Konstantinos Mitsotakis ishte në qendër të vorbullës së politikës greke nga fundi i Luftës së Dytë Botërore dhe deri në fillimin e shekullit XI. Ajo vorbull ishte djepi i tij jo vetëm sepse në shtëpinë ku lindi, 105 vjet më parë ishte firmosur konventa e cila u dha kretasve privilegjet e para përpara bashkimit të ishullit me Greqinë, por edhe sepse ai erdhi në jetë si djali i dytë i një deputeti grek me emrin Kiriakos Mitsotakis dhe si stërnipi i kryeministrit grek të kohës së luftrave ballkanike, legjendarit Elefteros Venizelos. Nga një fond vetjak i caktuar enkas prej stërgjyshit kryeministër për studimet e djaloshit, Konstantinos Mitsotakis ndoqi shkollën e ligjit të Athinës kundër dëshirës së vetë, por siç provoi koha formimi juridik do ta ndihmonte atë gjithë jetën në betejat epike të bindjeve të tij të patundura”, theksoi Rama.
Ndërkohë, kryeministri kujtoi se Lufta e Dytë Botërore e rreshtoi të riun Kostantinos si lejtnant në llogoren kundër pushtimit gjerman të Greqisë , pastaj si militant të lëvizjes kombëtare të Kretës, pastaj si të burgosur në duart e nazistëve dhe si të dënuar me vdekje në pritje të ekzekutimit.
“Ky imponim tjetër në fatin e tij do ta pajiste liderin e mëvonshëm me guximin e njeriut që pasi ka prekur fundin nuk i trembet më asgjëje kur lufton për të imponuar bindjet e veta të panegociueshme. Në Lëvizjen Kombëtare të Kretës, e cila i përshtatej bindjeve të djaloshit që nuk anonte majtas dhe nuk kishte me komunistët asnjë dakordësi tjetër përveç dëshirës patriotike për çlirimin e Greqisë, ai luajti një rol të dorës së parë në marrëveshjen që shmangu edhe konfliktin civil në Kretë në 1943. U burgos dhe u dënua dy herë me vdekje nga nazistët por mbijetoi për mrekulli të fatit falë një shkëmbimi mes 30 të burgosurish gjermanë dhe dhjetë të burgosurish grekë”, theksoi Rama.
Rama tha se “për kontributin dhe aktet e tij të spikatura të rezistencës, njeriu që do të ngjitej në majën e politikës greke vetëm në kapërcyellin e moshës së tretë, u dekorua dy herë pas luftës nga qeveritë e Greqisë dhe të Britanisë së Madhe”.
“Viti 1955 e rreshtoi juristin 37-vjeçar në krah të një legjende të Greqisë së shekullit të XX, shkrimtarit Nikos Kazantzakis me të cilin ai i paraqiti parlamentit grek një hulumtim mbi sekuestrimin e librave të këtij të fundit në provincat e Greqisë si rezultat i një hetimi dritëshkurtër për paragjykime fetare. Gjatë debatit parlamentar ai e cilësoi Nikos Kazantzakis jo vetëm si një autor të spikatur, por edhe si një patriot të vërtetë dhe një kristian autentik, duke dalë një kokë më lartë nga rreshti konformist i deputetëve çka e dalloi karakterin e tij të veçantë politik në më shumë se një rast”, shtoi ai.
“Përmendja këtu e Nikos Kazantzakis, një emër i dashur edhe për dashamirësit shqiptarë të letërsisë, e sjell natyrshëm edhe parantezën mbi faktin se Konstantinos Mitsotakis ishte një poliglot dhe lexues i ethshëm, i cili deri kur u nda nga jeta në moshën 98-vjeçare me shikimin e pamundur për të lexuar nuk u nda asnjë ditë nga librat. Falë audiolibrave ai vazhdoi të shijonte magjinë e letrave të shkruara në frëngjisht, gjermanisht dhe greqisht, sigurisht duke ndjekur publikime të natyrave të ndryshme dhe poezi, dashurinë për të cilat e mbrojti me xhelozi nga varësia mbytëse e politikës. Kretan i paepur edhe në këtë kuptim ai ushqeu gjithmonë pasionet e të nxënit përmendësh të poezive që e tërhiqnin më shumë”, shtoi Rama.
“Si deputet i unionit të qendrës, Kostandinos Mitsotakis nuk ngurroi të bashkonte forcat në frontin e famshëm anti-qeveritar anendotos. Dhe me kë? Me atë që më vonë do bëhej një tjetër legjendë e Greqisë së re, por edhe kundërshtari i tij më i madh politik Andreas Papandreu. Përkatësia politike larg bindjeve komuniste nuk e pengoi deputetin liberal Kostandinos Mitsotakis, që në mbrojtje të vlerave të lirisë dhe të demokracisë, të mbështeste në vitin 1962, legalizimin e partisë komuniste duke u shkëputur nga orbita e mendësisë së përgjithshme mbytëse të asaj periudhe të politikës greke, kur komunistët persekutoheshin egërsisht për idetë e tyre të jashtëligjshme, por mendësia e tij e re, forca e hekurt e bindjeve të tij dhe karakteri i tij kryeneç, do të sprovoheshin fort disa vite të gjata pas grushtit të shtetit në prillin e vitit 1967 dhe vendosjes së juntës famëkeqe të kolonelëve”, theksoi ai.
Rama kujtoi se “natën e grushtit të shtetit, ai arrestohet nga kolonelët dhe më tej survejohet rreptësisht si i dyshuar për organizmin e një kryengritjeje në Kretë kundër diktaturës”.
“Ia del të arratiset nga Greqia mes shumë peripecive dhe rreziqeve, në gushtin e vitit 1968, falë ndihmës së mikut të tij, ministrit të jashtëm turk Çağlayangil, arrin të fluturojë nga Stambolli për Paris me një avion të flotës pakistaneze për tu zhytur në tallazet e mundimshme të emigracionit politik. Një vit më vonë bashkohet edhe me gruan dhe 4 fëmijët përmes peripecish që do të meritonin një film më vete nga jeta e tij romaneske. Parisi i trazuar i vitit 1968 u bë dhe kryeqendra e rezistencës greke kundër juntës. Në atë kryeqytet të lirisë, barazisë dhe vëllazërimit Kostandinos Mitsotakis bashkëpunoi me refugjatë politik grekë të të gjitha bindjeve, të të krahëve, të të gjitha ngjyrave”, tha ai.
“Ndërkohë u angazhua në organizime dhe në publike të cilat lanë shenjë në rrugën e opozitarizmit të vështirë demokratik të atyre burrave e grave që i kaluan ato vite jashtë Greqisë, pa lënë gur pa luajtur për të ndihmuar në rrëzimin e juntës kriminale që u kishte marrë peng atdheun. Kur më në fund vendosi të kthehej në Greqi në vitin 1974, me bindjen se rezistenca politike tanimë duhej organizuar nga brenda vendit, ai u gjend përsëri në sallën e gjyqit, këtë herë për botime pa lejen e policisë të konsideruara si nxitëse kundër rendit publik”, vijoi Rama.
Kryeministri tha se “Kostandinos Mitsotakis u kthye në Parlament në vitin 1977”.
“Fillimisht si lider i partisë Neoliberale dhe pasi u bashkua me Demokracinë e Re një vit më vonë, shërbeu si ministër në disa qeveri derisa në vitin 1984 mori kreun e partisë të cilës i dha fizionominë e vetes së tij politike, duke transformuar nga një forcë klasiciste e ideologjisë së djathtë në një parti reformiste liberale, me ambicien për të hapur horizonte të reja, duke udhëhequr, jo më thjesht për të qeverisur me sytë nga horizonti i vjetër. Kryeministri Mitsotakis hyri në zyrë gati gjysmë shekulli mbasi hyri në llogoren e luftës çlirimtare. Tamam si mishërimi deri në fund i të vërtetës se asgjë për të nuk ishte e thënë të arrihej pa vështirësi të denja për 31 romancieri, ai ngjiti shkallët e Vilës Maximos pas një sage prej tre palë zgjedhjesh të fituara në vetëm 11 muaj”, vijoi Rama.
Edhe kapitulli i romanit të jetës së tij prej personazhi politik librash në majën e pushtetit, nuk është aspak më i qetë sesa kapitujt e trazuar të rrugës drejt majës ku kryeministri i ri 72 vjeçar i Greqisë ndolli kundër vetes të gjitha erërat e mundshme politike dhe sociale, duke ndërmarrë disa reforma liberale, të cilat trazuan ujërat e ndenjur të një Greqie të ngopur dhe të mpirë nga dominimi populist i aleatit të dikurshëm të frontit rebel parlamentar të Anendotosit dhe kundërshtari i tij super karizmatik Andreas Papandreut.”Ambicia e madhe dhe qasja konfrontuese e patriarkut të demokracisë së re në krye të qeverisë për të zvogëluar sektorin publik, çliruar ekonominë nga zinxhirët burokratikë, tërhequr shtetin nga menaxhimi i ndërmarrjes strategjike dhe rregulluar tregun e punës dhe rrjedhën e kapitaleve, provokuan valë protestash masive dhe kundërshtish nga të katërta anët”, shtoi ai.
Rama theksoi se: “me fuqinë e atij besimi të pamatë në vete, që e karakterizonte, por që në sytë e kundërshtarëve ngjante si vetëpëlqim acarues, Kostandin Mitsotakis e ktheu plotësisht busullën e politikës së jashtme greke nga perëndimi dhe hodhi spirancën në Washgington duke ringritur në nivelin e aleancës strategjike marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të cilat, botëkuptimi anti-imperialist dhe karshillëku sfidues i paraardhësit të tij ndaj superfuqisë amerikane, i kishte futur në qerthullin e një konflikti permanent”.
“Zgjedhjet e parakohshme të vitit 1993 e larguan pas vetëm tre vjetësh, kryeministrin 75 vjeçar nga zyra, ku si për t’ia trazuar deri në fund edhe këtë kapitull të jetës, u rikthye në atë zyrë, paraardhësi i tij Andreas Papandreu, dora vetë, ndërkohë që Kostandinos Mitsotakis u tërhoq nga drejtimi i partisë. Ai mbeti President nderi i demokracisë së re deri në fund të epilogut të jetës së tij të jashtëzakonshme”, shtoi ai.
Duke iu drejtuar banorëve të Derviçanit, Kryeministri u shpreh iu duk e arsyeshme ta skiconte sot këtu fillin e romanit të jetuar të këtij personazhi emblematik të politikës së vendit fqinj dhe njërit prej dy atdheve tuaj, i cili ishte kryeministri i parë grek, i cili zbriti në Shqipëri dhe vizitoi Derviçanin.
“Rikthimi i tij në këtë shesh sot, përmes këtij busti që skulptori, kolegu dhe miku im Adi Dule, e krijoi me sukses dhe me shumë dëshirë për hir të së vërtetës, qoftë se dhe ai ka qenë disa vite në Greqi si emigrant, po qoftë dhe sepse portreti i plakut Mitsotakis është vetiu ndjellës për një skulptor për nga karakteri i formës që ka, mendoj se është një rikthim i duhur, në vendin e duhur, por edhe në kohën e duhur i një njeriu të duhur, për të mishëruar me praninë e vetë të përjetshme lidhjen e pandashme të minoritetit grek me Greqinë, të cilën ai e rivendosi pas një këputje të gjatë dhe të dhimbshme me ardhjen e tij 33 vjet më parë, por mjafton ta kesh parë në një material arkivor të televizioni grek kur ai flet me dashurinë e sprovuar të një jete mes tallazesh edhe me atë sensin e tij aristokratit të humorit për kokëfortësinë e gruas së tij arvanitase, që të kuptosh që kjo prani e tij këtu, ushqen natyrshëm edhe mirësinë kokëfortë të lidhjes së pandashme mes dy gjindjeve tona, të cilat e shkuara i ka përzierë aq shumë saqë po të mos i dallojë gjuha apo këndi i kujtesës së ndryshme të historisë politike, asgjë tjetër nuk i bën të pandashëm si pikat e ujit”, shtoi ai.
Rama tha se “do kisha dëshiruar shumë që sot të ishte këtu dhe Kiriakos Mitsotakis, djali i Kostandinosit, kryeministri i sotëm i Greqisë dhe miku im i dashur, por me siguri dhe ai do të rikthehet në këtë shesh, aq më tepër që ua ka premtuar, ku që nga sot, sheshi mban emrin e të atit”.
“Ndërkohë, më vjen shumë mirë, që bashkë me ju dhe me mua, është këtu një deputet tanimë i thinjur i demokracisë së re. Kur e shoqëroi 33 vjet të shkuara kryeministrin Kostandinos Mitsotakis në këtë shesh, ai ishte një djalosh i ri, pa asnjë fije të bardhë në kokë, i cili më vonë do të bëhej krye bashkiaku që i riktheu Athinës flamurin e lojërave olimpike dhe ndër shumë të tjera, edhe njëri prej shembujve të mi frymëzues kur mora drejtimin e bashkisë së Tiranës, miku im i shtrenjtë Dimitris Avramopulos! Nuk e harroj, kur si anëtar i një delegacioni qeveritar, atëherë isha ministër i Kulturës, mora pjesë në takimin tonë me zotin Avramopoulos në bashkinë e Athinës dhe dëgjova të fliste me një respekt të madh për punëtorët shqiptarë në Greqi, rëndësinë e tyre për Greqinë dhe kontributin e tyre për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona”, shtoi ai.
Sipas kryeministrit, “pas gjysmë shekulli këputje të lidhjes sonë të afërt shumë shekullore, sot të gjithë i thonë këto fjalë të mira, por në atë periudhë të vështirë, kur shqiptarët njehsoheshin të gjithë në mexhlisin publik të vendit fqinj në një pakicë fare të vogël keqbërësish, që bënin lajm në televizione, gazeta teksa kokulur shumica dërrmuese, dërrmohej heshturazi në punët më të vështira, fjalët e krye bashkiakut të Athinës ishin melhem për krenarinë tonë të plagosur nga keqtrajtimi i figurës së shqiptarit në Greqinë e viteve ’90”.