Ministri i Jashtëm Kinez Wang Yi bëri thirrje për “5 detyrime” në marrëdhëniet kino-amerikane gjatë bisedimeve me Sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken, të cilat u zhvilluan në Uashington D.C të enjten dhe të premten.
Wang, gjithashtu anëtar i Byrosë Politikale të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, tha se të dy palët duhet të mbështetin mirëkuptimet e përbashkëta të arritura nga krerët e të dy shteteve, duhet të stabilizojnë marrëdhëniet dypalëshe, t’i mbajnë të hapura kanalet e komunikimit, të menaxhojnë siç duhet dallimet, mosmarrëveshjet dhe fërkimet, duke nxitur një bashkëpunim reciprokisht të dobishëm.
Përmes bisedimeve, të dy palët ranë dakord që të punojnë së bashku drejt një takimi mes krerëve të dy shteteve në San Francisko.
“Udhëkryq kritik’
Situata aktuale ndërkombëtare po kalon një transformim dhe momente të turbullta, tha Wang. Si dy ekonomitë më të mëdha në botë dhe anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kina dhe ShBA-ja përballen jo vetëm me detyrat e tyre përkatëse të zhvillimit, por edhe me sfida të përbashkëta, tha ai.
Kryediplomati kinez tha se Kina beson gjithmonë se interesat e përbashkëta të dy vendeve i tejkalojnë dallimet e mosmarrëveshjet, se suksesi i njërit është një mundësi dhe jo një sfidë për tjetrin dhe se rruga për vendet e mëdha duhet të jetë dialogu dhe bashkëpunimi, por jo një lojë ku fituesi i merr të gjitha.
Kina mendon se të dy vendet duhet të rikthejnë marrëdhëniet e tyre në rrugën e zhvillimit të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të përfitojnë të dy vendet si dhe bota, shtoi ai. Kthesat dhe vështirësitë në rrugën e zhvillimit të marrëdhënieve kino-amerikane këtë vit ofrojnë përvojë të mjaftueshme për të nxjerrë mësime, tha Wang.
Për të stabilizuar dhe përmirësuar më tej marrëdhëniet kino-amerikane, të dy palët duhet të kenë pikëpamje objektive për qëllimet strategjike të njëri-tjetrit, të trajtojnë në mënyrë korrekte faktorët konkurrues në shkëmbimet mes të dy vendeve dhe të përcaktojnë konceptin e sigurisë kombëtare, tha Wang.
Nga ana e tij, Blinken tha se ShBA-ja dhe Kina kanë mbajtur kontakte dhe ndërveprime muajt e fundit dhe kanë kryer komunikime të sinqerta dhe konstruktive, duke çuar në rezultatet pozitive. ShBA-të duan një marrëdhënie të qëndrueshme dhe të vazhdueshme me Kinën dhe janë të gatshme të përmirësojnë komunikimet me palën kineze, të parandalojnë gjykimet e gabuara, të diskutojnë bashkëpunimin në fushat ku nevojitet bashkëpunim dhe të bëjnë përgatitje të mira për fazën tjetër të angazhimeve të nivelit të lartë.
Për konfliktin izraelito-palestinez
Wang dhe Blinken shëmbyen gjithashtu pikëpamje mbi çështjet ndërkombëtare dhe rajonale, duke përfshirë konfliktin izraelito-palestinez. Wang tha se më urgjentja tani është parandalimi i një katastrofe humanitare në një shkallë më të madhe dhe rruga themelore për të dalë nga konflikti është zgjidhja me dy shtete. Vendet e mëdha, shtoi kryediplomati kinez, duhet të ruajnë gjakftohtësinë, të jenë objektivë dhe të jenë të drejtë, ndërsa Kombet e Bashkuara duhet të luajnë rolin e duhur. Kina është e gatshme të punojë me të gjitha palët për të aktivizuar një mekanizëm për nxitjen e paqes, për të ndërtuar konsensus më të gjerë ndërkombëtar për zbatimin e zgjidhjes me dy shtete dhe për të diskutuar sigurimin e garancive ndërkombëtare më efektive, tha Wang.
Blinken tha se ruajtja e paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në Lindjen e Mesme është në interes të të gjitha palëve dhe se ShBA-ja ndan pikëpamjen se ekziston nevoja për t’u kthyer në zbatimin e zgjidhjes me dy shtete.
Wang Yi zhvillon bisedime me anëtarë të komunitetit strategjik të ShBA-së
Të shtunën, Wang Yi u takua gjithashtu edhe me anëtarë të komunitetit strategjik të ShBA-së në Uashington D.C. Ai tha se gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara, Kina dhe ShBA-të zhvilluan komunikime strategjike të thelluara, konstruktive dhe thelbësore për shumë çështje me interes të përbashkët me një qëndrim barazie dhe respekti reciprok.
Të dyja palët kanë rënë dakord të bëjnë përpjekje të përbashkëta për një takim mes krerëve të dy shteteve në San Francisko. Në të njëjtën kohë, tha Wang Yi, “rruga për në San Francisko” nuk do të jetë një rrugë e qetë dhe nuk mund të mbështetet në një “vozitje automatike”. Për këtë qëllim, të dy palët duhet të “kthehen me zell në Bali”, të zbatojnë me të vërtetë konsensusin e krerëve të dy shteteve, të eliminojnë ndërhyrjet, të kapërcejnë pengesat, të rrisin konsensusin dhe të grumbullojnë rezultate./CRI