Ndërsa lufta 3 javëshe Izrael-Hamas po hyn në atë që kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu thotë se mund të jetë një fazë e re “e gjatë dhe e vështirë”, presidenti amerikan Joe Biden, po u bën thirrje udhëheqësve izraelitë dhe arabë që të mendojnë mirë për realitetin e mundshëm të pasluftës.
Ai realitet do të jetë i tillë, argumenton ai, ku gjetja më në fund e marrëveshjes për një zgjidhje të kërkuar prej kohësh me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez, duhet të jetë një përparësi.
“Nuk ka kthim në ‘status quonë’ siç ishte më 6 tetor”, u tha presidenti Biden gazetarëve, duke iu referuar ditës para se militantët e Hamasit të sulmonin Izraelin dhe të nisnin luftën e fundit. Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Biden ia përcolli të njëjtin mesazh drejtpërdrejt kryeministrit Netanyahu gjatë një telefonate javën e kaluar.
“Kjo gjithashtu do të thotë që kur kriza të përfundojë, duhet të ketë një pikëpamje të asaj që vjen më pas dhe sipas këndvështrimit tonë, duhet të jetë një zgjidhje me dy shtete”, tha presidenti Biden.
Nxitja për një zgjidhje me dy shtete, një zgjidhje sipas së cilës Izraeli do të bashkëjetonte me një shtet të pavarur palestinez, u ka ikur nga duart presidentëve amerikanë dhe diplomatëve të Lindjes së Mesme për dekada me radhë. Ajo u la në rend të dytë që kur përpjekja e fundit e udhëhequr nga Amerika në bisedimet e paqes dështoi në vitin 2014, mes mosmarrëveshjeve për vendbanimet izraelite, lirimin e të burgosurve palestinezë dhe çështje të tjera.
Shtetësia palestineze është diçka që presidenti Biden e trajtoi rrallë në fillimin e administratës së tij. Gjatë vizitës së tij në Bregun Perëndimor vitin e kaluar, presidenti Biden tha se “kushtet nuk janë pjekur” për përpjekje të reja për të arritur një paqe të përhershme, ndonëse përsëriti para palestinezëve mbështetjen e e kamotshme të Shteteve te Bashkuara për shtetësi.
Tani, në një moment shqetësimi në rritje se lufta Izrael-Hamas mund të shndërrohet në një konflikt më të gjerë rajonal, presidenti Biden ka filluar të theksojë se pasi të përfundojnë bombardimet dhe luftimet, puna drejt një shteti palestinez nuk duhet të injorohet më.
Deri kohët e fundit, presidenti Biden kishte vënë theksin me shumë në atë që administrata e tij e shihte si ambicie të arritshme për normalizimin e marrëdhënieve midis Izraelit dhe fqinjëve të tij arabë, sesa në rifillimin e bisedimeve të paqes.
Edhe Këshilltari i tij për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan, në një ese të gjatë që u shkrua pak para sulmit të 7 tetorit dhe që përshkruan përpjekjet e politikës së jashtme të presidentit Biden, nuk përmendi shtetësinë palestineze. Në një version të përditësuar të esesë për punët e Jashtme të postuar në internet, zoti Sullivan shkroi se administrata ishte “e përkushtuar ndaj një zgjidhjeje me dy shtete”. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë gjithashtu se bisedimet e normalizimit kanë përfshirë gjithmonë propozime të rëndësishme në dobi të palestinezëve.
Megjithatë, pikëpamja e presidentit Biden për periudhën pasluftës përballet me mjaft pengesa. Një shtet i pavarur palestinez në Bregun Perëndimor dhe në Gaza, është një mundësi e papranueshme për qeverinë e ekstremit të djathtë të Izraelit. Autoriteti palestinez në Bregun Perëndimor është i pafrytshëm dhe ka pak besueshmëri nga popullsia të cilën e qeveris. Ndërkohë, zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 në Shtetet e Bashkuara, mund ta bëjnë presidentin Biden një ndërmjetës më pak se ideal.
Aaron David Miller, i cili shërbeu si këshilltar për çështjet e Lindjes së Mesme për administratat demokrate dhe republikane, tha se theksi që së fundmi presidenti Biden i ka vënë zgjidhjes me dy shtete, është një “pikë aspiruese për bisedime”.
“Gjasat janë shumë, shumë të pakta”, tha ai. “Në thelb, është një mision i pamundur.”
Megjithatë, presidenti Biden ditët e fundit e ka ngritur këtë çështje në bisedat e tij me udhëheqës të tjerë. Sipas Shtëpisë së Bardhë, ai dhe presidenti egjiptian Abdel Fattah el-Sissi gjatë një bisede telefonike të së dielës, diskutuan krijimin e kushteve “për një paqe të qëndrueshme dhe afatgjatë në Lindjen e Mesme, duke përfshirë krijimin e një shteti palestinez”.
Thirrja për një zgjidhje me dy shtete u ngrit të shtunën në takimin e Koalicionit republikan-hebreit në Las Vegas, ku pretendentët presidencialë republikanë kritikuan politikën e presidentit Biden ndaj Izraelit dhe thanë se demokratët dështuan të dënojnë mjaftueshëm antisemitizmin në gjithë Shtetet e Bashkuara. Një kandidat presidencial, sipërmarrësi i bioteknologjisë, Vivek Ramaswamy, tha se Izraeli duhet të ndjehet i lirë të braktisë “mitin e një zgjidhjeje me dy shtete”.
Shtëpia e Bardhë është e vetëdijshme se thirrjet e presidenti Biden për një zgjidhje me dy shtete janë ambicioze dhe ndoshta nuk janë të arritshme në një afat të shkurtër, sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë i cili nuk ishte i autorizuar të diskutonte publikisht këto çështje dhe foli me kusht që të mos i përmendej emri. Dihet po ashtu se qeveria e kryeministrit Netanyahu, duke u përballur me reagimin publik për dështimin në parandalimin e sulmit të Hamasit, është e përqendruar në operacionet e saj kundër Hamasit dhe nuk po u kushton shumë vëmendje bisedave të presidenti Biden për shtetësinë palestineze.
Megjithatë, presidenti Biden beson se është e rëndësishme që ai dhe ekipi i tij të japin “shpresë” dhe ta bëjnë të qartë se administrata e tij mbështet një shtet palestinez, tha zyrtari i Shtëpisë së Bardhë.
Dennis Ross, një negociator në procesin e paqes në administratat e presidentëve Geroge H. W. Bush dhe Bill Clinton, tha se është e rëndësishme të fillohet me planet për të ardhmen edhe pse fundi i konfliktit aktual nuk duket në horizont.
Thirrjet e ripërtërira për shtetësinë palestineze ndodhin në një kohë kur grupet palestineze amerikane, organizatat mbrojtëse myslimane dhe disa demokratë kanë shfaqur zhgënjimin me faktin se presidenti Biden vazhdon të shprehë mbështetje të plotë për Izraelin në një kohë kur numri i palestinezëve të vrarë po rritet dhe kriza humanitare në Gaza po përkeqësohet.
“Kjo nuk ka të bëjë me besimin e dikujt”, tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby. “Ka të bëjë në gjetjen e një të ardhmeje për Lindjen e Mesme që do të ishte më bashkëpunuese, më e qëndrueshme dhe më e sigurt, ku Izraeli do të ishte më i integruar në rajon dhe ne nuk heqim dorë nga ky qëllim”.
Presidenti Biden është shprehur i shqetësuar për përkeqësimin e kushteve për civilët e pafajshëm në Gaza. Por këmbëngulja e tij se nuk do të diktojë se si forcat izraelite të kryejnë operacionet e tyre, mund të dëmtojë përpjekjet e tij për të ruajtur besueshmërinë si një ndërmjetës i paanshëm. Udhëheqësit myslimanë në Shtetet e Bashkuara, në një takim privat në Shtëpinë e Bardhë me presidentin Biden dhe ndihmës të lartë javën e kaluar, i kërkuan presidentit të bënte thirrje për një armëpushim.
Pjesëmarrësit i thanë gjithashtu presidentit Biden se heshtja e tij për atë që ata e shohin si ndëshkim kolektiv të civilëve të pafajshëm të Gazës nga Izraeli, po e dëmton autoritetin e tij tek arabo-amerikanët dhe myslimanët, përfshirë ato shtete që mund të kenë një ndikim të madh në zgjedhjet e vitit 2024.
Ata gjithashtu i shprehën shqetësimin e tyre presidentit Biden lidhur me deklaratën e tij se nuk ka “besim” në numërimin e të vrarëve në Gaza, sepse ai është paraqitur nga ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi. Ministria thotë se më shumë se 8,000 njerëz, kryesisht gra dhe të mitur, janë vrarë në Gaza. Më shumë se 1,400 veta janë vrarë në anën izraelite, kryesisht civilë, gjatë sulmit fillestar të Hamasit me 7 tetor.
Thirrjet e ripërtërira për shtetësi mund të vihet në dukje nga presidenti Biden si një shenjë e përkushtimit të tij ndaj sovranitetit palestinez. Por, trajtimi i situatës në Lindjen e Mesme tashmë po kërcënon të jetë një frenim në përpjekjet e tij për rizgjedhje në vitin 2024 dhe çdo përparim që presidenti Biden mund të bëjë drejt një zgjidhjeje me dy shtete, ka të ngjarë të kërkojë një mandat të dytë.
Disa zyrtarë të Partisë Demokratike janë të shqetësuar se trajtimi i luftës nga ana e tij mund të dëmtojë pozitën e presidentit Biden dhe partisë përballë votuesve arabo-amerikanë si dhe votuesve më të rinj që sipas anketave, kanë simpati më të madhe për shqetësimet palestineze, sesa votuesit më të vjetër dhe ata më të qendrës brenda partisë./voa