Seanca e sotme e Kuvendit të Shqipërisë është përfshirë përsëri nga tensionet, pasi deputetët e opozitës kanë penguar diskutimet rreth projektligjeve.
Deputetët e partisë opozitare, Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe deputetë të tjerë opozitarë jashtë grupeve parlamentare, kanë bllokuar foltoren me karrige, ndërsa kanë hedhur edhe tymuese në sallë.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, në hapje të seancës theksoi se e gjithë kjo që ndodh “është një turp për parlamentarizmin shqiptar”.
Duke iu drejtuar deputetëve të opozitës, Nikolla theksoi: “Harroni që parlamenti nuk janë karriget, nuk është godina, është përgjegjësi dhe vullnet që mesa duket juve ju mungon”.
Në një deklaratë për mediat sot, ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i cili nga Kuvendi njihet si deputet jashtë grupeve parlamentare për shkak të përplasjeve të fundit në Partinë Demokratike, ka theksuar së kërkojnë “Rikthimin e të drejtës së opozitës për të ushtruar veprimtarinë e vet ligjvënëse”.
Në mes të tensioneve dhe rrëmujës së krijuar, Kuvendi ka miratuar disa projektligje të parashikuara të diskutoheshin në seancën e sotme, përfshirë edhe për ndryshimet ligjore në ligjin “Për avokaturën e shtetit”, projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Bullgarisë, për mbrojtjen shoqërore” dhe disa projektligje të tjera.
Pas miratimit të projektligjeve, kryeparlamentarja Nikolla njoftoi mbylljen e seancës.
Kujtojmë se deputetët e partisë opozitare, Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe deputetë të tjerë opozitarë jashtë grupeve parlamentare kanë penguar mbajtjen e dy seancave të fundit parlamentare, duke penguar deputetët e partisë në pushtet, Partisë Socialiste të Shqipërisë, të mbajnë fjalimet e tyre në seancë, dhe duke bllokuar foltoren dhe vendet e ministrave.
Deputetët opozitarë kanë theksuar se “opozita është e vendosur që me këtë betejë në parlament të mbrojë me të gjithë forcën të drejtat e saj kushtetuese”. Deputetët e Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD) dhe deputetë të tjerë opozitarë kanë theksuar se “do të nisë qëndresa e opozitës në parlament”, pasi sipas tyre “parlamenti është shndërruar në një institucion personal të kryeministrit Edi Rama dhe kryeparlamentares Lindita Nikolla”.
/Argumentum.al