Agjencia për Media dhe Informim publikoi sot disa fakte mbi protokollin mes Qeverisë së Republikës Italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për fuqizimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit, nënshkruar dje në Romë nga kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni.
Konkretisht, neni 3 i kësaj marrëveshjeje përcakton se Italia merr në përdorim sipërfaqe të territorit shqiptar për ngritjen e strukturave pritëse.
Marrëveshja parashikon se Italia ngre tërësisht me shpenzimet e saj, strukturat për qëndrimin e migrantëve (neni 4).
Po ashtu, kufiri maksimal do të jetë jo më shumë se 3 mijë persona të strehuar në të njëjtën kohë (neni 4).
Italia përballon çdo shpenzim për migrantët e strehuar, përfshirë çdo kosto të kujdesit shëndetësor dhe çdo kosto tjetër të parashikuar që mund t’i vijë palës shqiptare (neni 6).
Po ashtu, në marrëveshje përcaktohet se afati maksimal i qëndrimit të një emigranti nuk mund të jetë më i madh se koha e nevojshme për procedurat e azilit/mbrojtjes.
Në përfundim të procedurave, pala italiane kryen me shpenzimet e saj largimin e migrantëve nga Shqipëria (neni 9).
Në daljen e përbashkët për shtypin në Romë me kryeministren Meloni, Rama u ndal te “borxhi” që Shqipëria i ka Italisë, popullit dhe institucioneve italiane për atë që kanë bërë për shqiptarët që nga dita e parë që refugjatët e viteve ’90 arritën në Itali. “Nëse Italia thërret, Shqipëria përgjigjet”, u shpreh ai.
Ndërsa kryeministrja Meloni vlerësoi marrëveshjen se pasuron miqësinë midis dy kombeve në partneritet strategjik me njëri-tjetrin. Meloni shtoi se Shqipëria, jo vetëm që konfirmohet një mike e Italisë, por edhe e BE. “Edhe pse nuk është formalisht pjesë e BE, por është kandidate për hyrjen në BE, sillet, ka një qasje sikur të jetë tashmë një vend i BE”, tha Meloni.
/Argumentum.al