Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, hetimet parlamentare të opozitës nuk duhet të prekin Kushtetutën.
Në fjalën e tij në Asamblenë e Zgjeruar të Partisë Socialiste në Peshkopi, Rama u shpreh se, “asnjë e drejtë nuk po i mohohet opozitës”.
“Po iu mohohet, mbase po, abuzimi me të drejtën për të bërë detyrën – tejkalimi i të drejtës në emër të të qenit deputet. Nuk është e vërtetë, është gënjeshtër që çdo deputet dhe një grup deputetësh kanë të drejtë të bëjnë çfarë t’iu teket dhe kanë të drejtë që ta shfrytëzojnë Kushtetutën dhe të shfrytëzojnë ligjet për t’i kapërcyer Kushtetutën dhe ligjet. Kjo nuk është e vërtetë, kjo është gënjeshtër”, u shpreh ai.
Rama tha se, “patjetër që opozita ka të drejtë kushtetuese që të bëjë hetime parlamentare, kjo nuk diskutohet, por ama në të njëjtën kohë, është shumë e qartë që hetimet parlamentare të opozitës nuk duhet të prekin Kushtetutën, nuk duhet ta tejkalojnë Kushtetutën dhe për këtë, Gjykata Kushtetuese ka vendosur një kornizë shumë të qartë, shumë të prerë: çfarë bëhet me këtë të drejtë dhe çfarë nuk mund të bëhet me këtë të drejtë dhe ato që nuk mund të bëhen me këtë të drejtë, jo nëpër penxhere, por sikur të arrijnë deri në tarracë dhe të kapërcejnë shtatë penxheret, nuk ka shans që t’i bëjnë me miratimin tonë”.
Sipas tij, kjo nuk ndodh, sepse ne jemi këtu për të bërë komplet diçka tjetër.
“Ne jemi këtu për të qeverisur. Patjetër që ne jemi këtu për të dëgjuar dhe respektuar të gjithë ata që kanë detyrën, por edhe që kanë të drejtën që të thonë çdo gjë që mendojnë kundër atyre që mendojmë ne, por ne nuk jemi këtu në asnjë mënyrë për t’ia lejuar vetes që të humbasim kohë edhe të humbasim mundësi për këtë vend për të harxhuar kohën dhe për të gjetur mundësi për ata të cilët qysh prej vitit 2013, po ua sjell në kujtesë,që ta mbyll këtë kapitull, kanë bërë të njëjtën gjë”, deklaroi kryeministri.
“Në 2013 fituam ne, nuk kaluan 2-3 muaj filluan avazin “nuk njohim zgjedhjet”. Në 2015 fituam përsëri. Përsëri i njëjti avaz. Në 2017 u futën në çadër për të mos hyrë në zgjedhje, por në fakt për të mos ardhur në parlament që të votojnë Vetting-un qëkur ne kemi nxjerrë flamurin e Reformës në Drejtësi, a thua se nxorëm një rrobë të kuqe që sa e shohin i turren sikur janë dema të tërbuar. Mirëpo, nëse dikur ishin dema, tani e keni parasysh vetë se çfarë lloji janë”, tha Rama.
“Në 2019 ikën fare, ikën fare, u zhdukën, morën malin dhe menduan që gjithë Shqipëria do të ngjitej në mal e t’i thoshte ‘aman kthehuni, se o ju, o ne do hidhemi në greminë nga maja malit’. Asnjë njeri nuk shkoi në majë të malit, u kthyen vetë. Në 2021 përsëri e njëjta gjë, dhe mbasi të gjithë së bashku thanë ‘fituam’, se ata fitojnë gjithmonë, dhe taksirati jonë është se ata fitojnë, po ne duhet të qeverisim. Mbani mend ndonjë palë zgjedhe ku ata nuk kanë fituar? Ata i kanë fituar të gjitha zgjedhjet. Po mbani mend ndonjë palë zgjedhje ku ata kanë qeveris? Kështu është ndarë kjo punë, ata fitojnë, ne qeverisim. Dhe mbasi ndodhi dhe ajo pastaj thanë të gjithë që fituam, pastaj filluan të gjejnë kush e ka fajin. Kush e ka fajin, për çfarë? Fituan. Dhe sot nuk dihet më ku e kanë kokën, ku i kanë këmbët, ku i kanë duart, ku e kanë trupin, dihet vetëm ku e kanë mendjen, mendjen e kanë te 7 penxheret. Nuk i ndihmojmë dot”, tha Rama.