Presidenti i Turqisë nuk mund ta kapërdijë humbjen në kutitë e votimit
Deri pak ditë më parë, edhe turqit të cilët nuk e honepsin më sundimin autokratik të Rexhep Tajip Erdoganit, shpreheshin se zgjedhjet në Turqi, edhe pse nuk mund të kenë qenë plotësisht të drejta, u zhvilluan të lira, shkruan The Economist.
Presidenti i tyre ka dënuar gazetarë dhe mijëra burokratë, ka zhgënjyer institucionet shtetërore dhe ka përdorur një referendum për të marrë pushtetin kushtetues. Ai ka cenuar vazhdimisht lirinë e shtypit të shkruar, ka vendosur dhëndrin e tij në postin e ministrit të Financave, ka zhvlerësuar lirën turke, duke e çuar kështu vendin sërish në recesion. Ai ka prishur marrëdhëniet e shtetit të tij me Amerikën dhe BE-në.
Përpos sa thamë më sipër dhe shumë të tjerave, zgjedhjet në Turqi, edhe nëse nuk kanë qenë plotësisht të drejta, të paktën ishin të lira. Por edhe kjo duket sikur zgjati shumë pak. Më 6 maj, pas disa javësh presioni të vazhdueshëm të ushtruar nga partia qeverisëse “Për Drejtësi dhe Zhvillim (AK)”, dhe vetë Presidenti, bordi zgjedhor i Turqisë anuloi zgjedhjet e zhvilluara në mars për të zgjedhur Kryebashkiakun e Stambollit, qytetit më të madh të Turqisë dhe njëkohësisht kryeqendra e saj ekonomike dhe kulturore. Në zgjedhjet e marsit, votuesit e Stambollit i kthyen shpinën njeriut të z. Erdogan, Binali Yildirim, një ish-kryeministër i këtij vendi, dhe me më pak se 14,000 vota në një total prej 8 milionësh, zgjodhën kandidatin jo aq të njohur, Ekrem Imamoglu.
Për z. Erdogan, rezultati ishte i patolerueshëm dhe i papranueshëm, aq më shumë që edhe ai vetë në vitin 1990 fitoi me një rekord mbresëlënës zgjedhjet për kryebashkiakun e Stambollit, përpara së të bëhej Kryeministër dhe më pas President i Turqisë. “Nëse ne humbasin Stambollin, ne kemi humbur të gjithë Turqinë”, është shprehur ai në vitin 2017. Ndërsa sa i takon fitores së z. Imamoglu, ai u shpreh se përgjegjës për të ishin organizatat kriminale që kanë pasur ndikim të madh në kutitë e votimit.
Arsyet e anulimit të publikuara nga bordi zgjedhor janë thjesht qesharake. Sipas tij, një prej më të rëndësishmeve është ajo se një numër i personave të pranishëm në qendrat e votimit nuk kanë pasur kualifikimin e duhur. Por, nëse kjo do të kishte qenë e vërtetë, atëherë zgjedhjet duhet të ishin anuluar që ditën që u zhvilluan, ose të paktën zyrtarë të tillë nuk duhet të ishin lejuar që të merrnin pjesë në to. Por ato nuk u anuluan menjëherë. Një nga arsyet që shpjegon këtë situatë të çuditshme mund të jetë presioni që ka ushtruar partia AK mbi bordin zgjedhor për anulimin e zgjedhjeve.
Për fat të keq, situata e kohëve të fundit e Turqisë do të ketë shumë pak ndikim në nivel ndërkombëtar, sepse duket sikur z. Erdogan ia ka dalë tashmë që të tjetërsojë Perëndimin. Edhe pse BE-ja ka shprehur mosmiratimin e saj ndaj situatës aktuale të Turqisë, planet e kësaj të fundit për anëtarësim në BE kishin ngrirë prej kohësh (nuk është se ndodhën së fundmi) dhe ajo po tregohet e kujdesshme sepse çdo formë sanksioni do të rrezikonte prishjen e marrëveshjes nën të cilën europianët i paguajnë turqit për t’i mbajtur refugjatët sirianë larg brigjeve të tyre.
Ndërsa sa u takon marrëdhënieve të Amerikës me Turqinë, ato janë prishur për shkak të vendimit të kësaj të fundit për të blerë raketat antiajrore ruse dhe duke rritur në këtë mënyrë ankthin dhe shqetësimin e NATO-s. Edhe reagimet brenda vendit nuk kanë qenë të zhurmshme.
Nuk janë zhvilluar protesta publike në shkallë të gjerë, sepse mbështetësit e opozitës frikësohen se mund të arrestohen. Gjykatat, po ashtu si bordi zgjedhor i janë nënshtruar autoritetit të z. Erdogan. Tashmë, shpresa e vetme e të gjithë atyre njerëzve mbetet sërish kutia e votimit. Veprimet e z. Erdogan kanë shkaktuar zemërim të madh në popull, i cili rrjedhimisht mund të përkthehet në rritje të mbështetjes dhe rritje të votave ndaj z. Imamoglu. Dhe nëse kjo do të jetë e vërtetë, atëherë poshtërimi që do të përjetojë Presidenti turk Erdogan gjatë ditës së zgjedhjeve do të jetë shumë i madh.
Por duke qenë se ky skenar është i pritshëm, atëherë z. Erdogan me siguri ka menduar për një zgjidhje të mundshme, ndoshta ai po planifikon një valë të re arrestimesh, ndoshta do të kërkojë rritje të fuqive të tij presidenciale, apo një marrëveshje të dyshimtë me një kandidat të palës së tretë apo vjedhjen e votave, sipas modës së vjetër të së kaluarës. Prandaj, kushdo që voton në Stamboll, dhe që dëshiron që demokracia të mos varroset njëherë e përgjithmonë në Turqi, duke përfshirë këtu edhe mbështetësit më të afërt të partisë qeverisëse AK, duhet t’ia japin votën e tyre kandidatit më të mirë.