Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në një intervistë për televizionin publik francez “France24” se marrëveshja me Italinë për migrantët parashikon ndërtimin e një qendre pritjeje me standard të njëjtë si në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian.
Kryeministri theksoi se fakti që kjo marrëveshje bëhet me një vend joanëtar shkakton jo vetëm lajm, por dhe teori konspiracioni dhe dyshime që nuk janë serioze.
“Duhet theksuar një arsye shumë e thjeshtë. Është e vërtetë që Shqipëria nuk është ende vend anëtar i BE, por është vend plotësisht evropian, fqinj me Italinë, dhe sikur e njëjta marrëveshje të ishte bërë me një vend të BE, nuk do të ishte fare lajm i ditës. Por fakti që kjo marrëveshje bëhet me një vend jo anëtar shkakton, jo vetëm lajm, por dhe teori konspiracioni dhe dyshime që nuk janë serioze, për mua. Nëse ngremë pikëpyetje për metodën, duhet të ngremë pikëpyetje për gjithë Bashkimin Evropian, duhet të ngremë pikëpyetje për metodën në gjithë vendet e BE, sepse këto qendra pritjeje nuk janë gjë e re”, tha Rama.
Sipas tij, “bëhet fjalë për një qendër pritjeje që është standard në të gjitha vendet e BE-së”.
“Përse duhet të skandalizohemi nëse është e eksternalizuar nga një vend i Bashkimit Evropian në një vend plotësisht evropian që është fqinj me këtë vend evropian? Nuk duhet të skandalizohemi nga kjo, duhet të mendohemi si të reagojmë të gjithë ndaj këtij fenomeni që është gjithnjë e më i madh dhe që askush nuk i ka dhënë përgjigje. Ndoshta qendrat e pritjes nuk janë zgjidhja e vërtetë, por nuk na takon neve t’i japim mend Evropës”, tha ai.
Rama theksoi se “ne thjesht po i japim një ndihmë të vogël një vendi jo vetëm fqinj, por me të cilin jemi të lidhur thellësisht prej një kohe të gjatë”.
“Nga ana tjetër, duhet të them se nuk bëhet fjalë për 36 000 njerëz, por për një qendër pritjeje me 3000 vende në dispozicion. Kjo do të thotë që do të ketë 3000 njerëz në Shqipëri dhe asnjë më tepër, nëse ka rotacion kjo është diçka normale, mund të ketë më tepër njerëz që priten dhe të cilëve u shqyrtohet kërkesa në Shqipëri. Por janë 3000 njerëz. Dhe nuk mendoj se këta 3000 njerëz do të tronditin industrinë e turizmit, sepse kemi strehuar tashmë 4000 e ca afganë”, tha Rama.
Kryeministri tha se “kjo nuk është e vetmja qendër pritjeje në Evropë, ka të njëjtin standard dhe natyrë si ato në Greqi”.
“Greqia është vend anëtar i BE dhe nuk e di nëse ka ndonjë dallim dhe ku e shohin dallimin ata që kritikojnë. Dhe 3000 njerëzit që do të vijnë në Shqipëri në qendrën pritëse të bëhen shkas për refrenin e vjetër të historive me mafiozë, me trafikantë, me të drejtat e njeriut e të tjera si këto, nuk është serioze. Duhet të mendojmë më në thellësi për këto gjëra, duhet gjetur zgjidhje”, tha ai.